Vrasja e Mario Majollarit: Arrestohet në Kosovë i dyshuari Kastriot Gjuzi

Kronikë e zezë

Vrasja e Mario Majollarit: Arrestohet në Kosovë i dyshuari Kastriot Gjuzi

Më: 19 prill 2018 Në ora: 11:12
Mario Majollari

Policia e Kosovës ka vënë në pranga ditën e djeshme autorin e dyshuar të vrasjes së Mario Majollarit pak ditë më parë në Tiranë.

Burime të sigurta nga policia e Kosovës bënë me dije se kanë arrestuar Kastriot Gjuzin, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia shqiptare për vrasjen e 28-vjeçarit, afër banesës së tij në zonën e ish-Kinostudios në Tiranë.

Media mëson se policia e Kosovës e ka arrestuar Gjuzin teksa ka tentuar që të futet në Kosovë, përmes pikës kufitare të Vërmicës.

Burime  thanë se Kastrito Gjuzi ka tentuar që të kalojë për në Kosovë përmes malit, për të shmangur arrestimin nga policia.

Por, policia Kufitare e Kosovës, duke monitoruar zonën kufitar, ka mundur që të dallojë me anë të dylbive Kastrito Gjuzin, i cili ishte nisur për në fshatin Vërmicë.

Ai është ndaluar për kontroll nga policia e Kosovës dhe i është kërkuar një mjet identifikimi.

Ka qenë karta e identitetit, e cila ka zbuluar se Policia e Kosovës nuk kishte të bënte me një person të thjeshtë që po kalonte kufirin ilegalisht, por me autorin e vrasjes së Mario Majollarit.

Pasi është arrestuar, policia e Kosovës e ka dorëzuar atë tek autoritetet shqiptare.

Menjëherë pas ngjarjes së nodhur me 12 Prill, policia nisi hetimet mbi motivet e vrasjes dhe si pistë e parë ishte ajo e gjakmarrjes për shkak të dy vrasjeve që i ati i Majollarit kishte kryer në vitin 2000.

Njëri nga viktimat e ngjarjes së vitit 2000 ka qenë edhe Ilir Gjuzi, vëllai i Kastriot Gjuzit, çka ka bërë që policia të shkojë në shtëpinë e tij, por nuk e ka gjetur në banesë, duke e bërë atë të dyshuarin kryesor për vrasjen e 28-vjeçarit.

Nga hetimet e policisë më pas, ka rezultuar se Kastriot Gjuzi i është vënë në ndjekje të riut dhe në një rrugicë të errët, pranë banesës ku jetonte bashkë me të motrën, e ka qëlluar për vdekje me tre plumba.

Mario Majollari prej kohësh ndihej i kërcënuar për krimin që Avni Majollari, babi i tij, kishte kryer dhe për këtë kishte vendosur para tre vitesh të shkonte drejt Suedisë për të kërkuar azil.

Edhe pse shtetit suedez në fillim e ka besuar historinë e tij dhe ia ka dhënë azilin, pikërisht një shkresë e shtetit shqiptar ka bërë që ata të ndërroni mendje në momentin e fundit.

Siç bëhet në shumë raste në vendet e huaja kur shqiptarët kërkojnë azil për shkak të gjakmarrjes, atë kërkon nga shteti shqiptar nëse kanë mundësi që t’ju sigurohet jeta në vendin e tyre.

Dhe për Mario Majollarin, Shqipëria ka thënë se atij mund t’i sigurohet jeta, duke bërë kështu që Suedia të kthejë 28-vjeçarin për në vendin tonë.

Ardhja e tij në Shqipëri ka vënë në lëvizje Kstriot Gjuzin, i cili ka organizuar vrasjen e 28-vjeçarit, Mario Majollarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat