Sulmi në zemër i merr jetën një polici në Durrës

Kronikë e zezë

Sulmi në zemër i merr jetën një polici në Durrës

Më: 9 maj 2018 Në ora: 20:01
Ilustrim

Është ndarë nga jeta punonjësi i qarkullimit rrugor në Durrës, Ndriçim Çupa, duke hidhëruar familjen, miqtë, të afërmit e kolegët.

Në moshën 53-vjeçare, pas një karriere të gjatë mbi 25 vjet në policinë e qarkullimit rrugor, Çimi u nda nga jeta në banesën e tij mbrëmë në orën 22:30.

Me lot në sy, ngjarjen e kanë rrëfyer kolegët e tij, të cilët ende nuk e besojnë largimin e parakohshëm të Çimit, i cili në çdo rrethanë ka qenë i buzëqeshur.

Zemra e tij nuk e përballoi dot infarktin, pavarësisht ndihmës që tentoi t’i jepte gruaja dhe djali në banesë.

Kolegët kanë thënë për “DurrësLajm” se edhe ditën e djeshme ka qenë në punë turni i parë.

“ Është kthyer pasdite në shtëpi, dhe në mbrëmje ka dalë shëtitje bregut të detit. Sapo u kthye në banesë, u ul në divan, aty dhe ku i pushoi zemra”.

Djali, mësues fizkulture, pavarësisht ndihmës së dhënë, nuk ka mundur dot që ta mbante në jetë.

Lajmi i hidhur është përhapur menjëherë në policinë e Durrësit. Përgjatë gjithë natës dhe ditës së sotme, në banesën e Çimit qëndrojnë kolegët e tij, të prekur nga kjo humbje e parakohshme.

Varrimi është bërë sot pasdite në orën 16:00, ndërsa e gjithë policia e Durrësit është në zi.

Çimi, siç e njohin të gjithë qytetarët durrsakë, ishte ndër të vetmit punonjës të qarkullimit rrugor, që gëzonte respektin e të gjithë qytetarëve dhe shoferëve, jo vetëm për mirësinë dhe dashamirësinë që e karakterizonte, por edhe për buzëqeshjen e tij, e cila nuk i largohej nga fytyra për asnjë moment, edhe kur vihej përpara vështirësive të mëdha gjatë ushtrimit të detyrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat