Vrasja e 24 vjeçarit në Gjilan ndodhi për motive të ulëta, flet prokuroria

Kronikë e zezë

Vrasja e 24 vjeçarit në Gjilan ndodhi për motive të ulëta, flet prokuroria

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 16:42
Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan ka dalur me deklaratë në lidhje me rastin e vrasjes së një 24 vjeçari i cili humbi jetën pasditen e së dielës në fshatin Vërbicë të Zhegovcit.

Sipas njoftimit vrasja dyshohet të jetë bërë për motive të ulëta që kanë pasur mes vete viktima dhe dy të dyshuarit.

”Pas një mosmarrëveshje verbale, në mes të dyshuarit B.N (1971) dhe tani të ndjerit, A.N (1994), ka ndërhyrë i dyshuari – i mitur A.N (2002), i cili me pushkë të gjuetisë ka shtënë dy herë në drejtim të viktimës A.N, me ç’ rast të njëjtin e privon nga jeta.

Me të njoftuar me rastin, në vendin e ngjarjes kanë dal Njësia e Hetimeve Regjionale (NJHR), të Policisë së Kosovës, si dhe Prokurori Kujdestar për Krime të Rënda, të cilët kanë vëzhguar vendin e ngjarjes dhe njëkohësisht kanë kërkuar që Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupin e pa jetë të viktimës ta dërgojë në autopsi. Në rastin e kryerjes së veprës penale ka pasur prezent edhe dëshmitarë, ku të njëjtit edhe janë intervistuar nga ana e hetuesve policor të NJHR, në Gjilan.

Në të njëjtën kohë janë arrestuar dy të dyshuarit për rastin në fjalë, i dyshuari – i mitur A.N, për shkak të veprës penale të kryer në bashkëveprim, “vrasje e rëndë” nga neni 179 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe për të dyshuarin B.N, për shkak të veprave penale, “vrasje e rëndë” nga neni 179 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374 të KPRK-së. Për të njëjtit të dyshuar është lëshuar Aktvendim mbi ndalim, për të dyshuarin B.N – në kohëzgjatje prej 48 orë, ndërsa për të dyshuarin – i mitur A.N, në kohëzgjatje prej 24 orëve.

Viktima e rastit është i afërm i të dyshuarve – kushëri i tyre, ku motivet e vrasjes kanë qenë pikërisht motive të ulëta dhe e gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë pasur mosmarrëveshje edhe më herët – viktima dhe të dyshuarit.

Pranë Prokurorisë Themelore në Gjilan, me datë 20.08.2018, nga Policia NJHR Gjilan, është ushtruar kallëzim penal ndaj të dyshuarve të lartshënuar, ndërsa Prokuroria Themelore në Gjilan, ka nxjerrë aktvendim mbi fillimin e hetimeve, si dhe ka ushtruar kërkesë (propozim) për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartë cekura penale, të cilat iu janë dorëzuar Gjykatës kompetente në Gjilan, e cila pritet që të vendosë për këtë çështje brenda afatit ligjor” thuhet në kumtesën e lëshuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat