Nisi sot procesi - Dermatoza, fermerët e Hasit dhe Kukësit të parët që u kompensuan

Kukësi

Nisi sot procesi - Dermatoza, fermerët e Hasit dhe Kukësit të parët që u kompensuan

Më: 14 shkurt 2017 Në ora: 19:52
ilustrim

Nisi sot procesi i kompensimit të fermerëve për kafshët e dëmtuara nga dermatoza nodulare.

Fermerët e Hasit në Kukës janë të parët të cilëve iu zëvendësuan çdo kokë gjedhi e prekur nga kjo sëmundje.

Kompensimi i fermerëve për gjedhët e prekur u bë pjesë e paketës më të madhe të solidaritetit, krahas dëmshpërblimit të përmbytjeve.

3 milionë dollarë u akorduan për vaksinimin për të parandaluar dëmet dhe për të kompensuar plotësisht të gjithë fermerët që humbën gjedhët nga kjo sëmundje.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti u takuan me fermerë të Hasit.

Fermerët vlerësuan jetike për ta jo vetëm kompensimin që iu bë, por edhe faktin se zëvendësimi i kafshëve të dëmtuara është bërë me kafshë me prodhimtari më të lartë, sikundër për fushatën e vaksinimit që frenoi rritjen e dëmeve.

“Kam pasur 10 krerë, 3 ngordhën. Faleminderit për vaksinat, sepse sikur të mos ishin bërë vaksinat në kohë do të ngordhnin edhe të tjerat, se kishte qenë sëmundje shumë e rrezikshme,” – tha një fermer i cili sot mori tre lopë, një kompensim për ato që i ngordhën nga sëmundja.

Fushata e zëvendësimit kokë për kokë e kafshëve të dëmtuara do të vazhdojë në të gjithë zonat ku kjo sëmundje u ka shkaktuar dëme familjeve fermere.

“E gjithë kjo zonë, – informoi Ministri Panariti – tashmë është vaksinuar me vaksinë falas, të siguruar nga shteti shqiptar dhe mbajtëm premtimin, që i kishim dhënë atëherë. Kjo racë është shumë më e mirë sesa lopët, mëshqerrat, që u dëmtuan. Është një racë e përzgjedhur me shumë kujdes, e importuar nga Danimarka, raca “xhersi”, e cila i përshtatet më së miri të gjitha karakteristikave të kësaj zone. Ne fillojmë sot procesin e kompensimit kokë më kokë të gjithë krerëve, të dëmtuar.”

Hasi, Kukësi, Dibra janë tre bashkitë e para ku ka nisur dëmshpërblimi për gjedhët, më pas sipas ministrit procesi do të shtrihet edhe në Lushnje Fier, Korçë dhe gjithë fermerët e dëmtuar nga kjo sëmundje do të dëmshpërblehen ashtu siç është premtuar për çdo kokë gjedh të humbur nga sëmundja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat