Pallati yt do t’ia kalojë qindra herë kullës sime, por do të lodhesh duke pritur diellin tënd...

Kultura

Pallati yt do t’ia kalojë qindra herë kullës sime, por do të lodhesh duke pritur diellin tënd...

Nga: Liridon Dajaku Më: 12 shkurt 2022 Në ora: 16:12
Hasan Dajaku

"Si shpërblim do të të japin mish të butë, pa eshtra; do të lahesh në bazene qumështi, do të të dëfrejnë me lavire barkbuta; pallati yt do t'ia kalojë qindra herë kullës sime, por do të lodhesh duke pritur diellin tënd, qielli yt mund të mbetet sterrë i zi dhe, siç është e natyrshme, do të vijë fundi. Mund të ndodhë edhe një gjë, para se të vijë fundi: kur s'u duhesh më, kur t'ua prishësh terezinë, do të të hedhin si letrën e ndyrë.

Çka do të ndodhë me të vërtetë nuk e di, por e di se do ta kesh vështirë, mundet edhe t'u lakmosh të vdekurve... Pastaj të pyesin: Pse jetove? Të pyesin: Pse e zgjodhe këtë rrugë?

Do të pyesin: Çka bëre? Do të të akuzojnë për netët e gjata të robërisë, do të të akuzojnë për vuajtjet që u kanë rënë mbi kokë,

Do të të fajësojnë për çdo gjë që ke bërë dhe për atë që ke pasur mundësi ta bësh e nuk e ke bërë. Mund t'i përballosh akuzat, komandant i ri?

Do të të pyesin: Pse flisje kur duhej të heshtje? Pse heshtje kur duhej të flisje? Pse e lavdëroje dreqin? Pse i shaje pëllumbat? Pse i trembje zogjtë? Pse? Pse? Pse? Rrebeshi i pyetjeve nuk do të ketë të sosur.

Gjyqi yt do të zgjasë shumë. Mundesh, o komandant i ri? Dhe mund të të akuzojnë për tradhti, për shëmtinë më të madhe me të cilën akuzohet njeriu. Mund të qëndrosh, komandant? Mund të qëndrosh, o njeri?...

*Pjesë e shkëputur nga monodrama "KOMANDANTI" - vitet '90 Hasan Dajaku - Liridon Dajaku

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat