Lulëzimi kulturor manipulativ

Kultura

Lulëzimi kulturor manipulativ

Nga: Hejza Art Më: 11 korrik 2022 Në ora: 10:41
Foto ilustrim

Nuk janë të rrallë rastet kur kemi dëgjuar deklarata të tipit “në kohën e këtij funksionari shqiptar lulëzoi kultura shqiptare”, apo edhe të kemi lexuar shkrime të porositura propagandistike “do të mbahet mend iks funksionari, sepse në kohën e tij lulëzoi kultura shqiptare”!

Nëse deklaratat e këtilla nuk do t’i konsideronim si retorikë boshë të motivuar nga fushatat partiake, atëherë do të thoshim se jemi miliona kilometra larg definicionit dhe të kuptuarit e kulturës!

Çka do të thotë “lulëzim i kulturës”? Kur mund të shihet, të ndjehet, të përjetohet “lulëzimi i kulturës”? Ku dhe kur ndodhë ky “lulëzim i kulturës”? Në kohën e një funksionari? Brenda mandatit të një funksionari as që mund të konceptohet ideja e këtij lulëzimi, as që mund të hidhet në letër projekti i këtij lulëzimi!

Lulëzimi i kulturës ka ndodhur vetëm përgjatë revolucioneve kulturore, ndodhë vetëm përgjatë realizimit të platformës kombëtare për institucionalizimin dhe përforcimin e identitetit kulturor; lulëzimi kulturor ndodhë vetëm kur elitat politike e kulturore kombëtare projektojnë politika afatgjate kulturore; lulëzimi i kulturës ndodhë vetëm atëherë kur kombi kreativ fillon dhe bëhet shijues i denjë i kreativitetit kulturor.

A mund të jetë “lulëzim kulture” kombëtar botimi i dhjetë titujve më shumë se sa rëndomë, shtimi i ndonjë premiere në repertor vjetor të teatrit, mbajtja e dy-tre koncerteve më shumë se një vit më parë, organizimi i dy-tre ekspozitave etj. Nëse këtë e llogarisim “lulëzim” atëherë jo që nuk kemi perceptim të gabuar për kulturën, por, madje as që mund të themi se e kuptojmë esencën e fjalës kulturë.

Kjo sintagmë, a mos përdoret më tepër sa për ta mashtruar komunitetin partiak se i përket një subjekti që e ka dert të madh kulturimin e tij? Jo, përtej këtij mashtrimi, më tepër manipulohet me këtë “sintagmë” sa për ta kamufluar mungesën totale si të afiniteteve për kulturë të lidershipit, ashtu edhe të programit partiak i cili për “projekte kulturore” na i paraqet konstatimet dhe definicionet mbi kulturën, artin, krijimtarinë.

Lulëzimi kulturor nuk mund të bëhet me funksionarë politikë, rëndësia e të cilëve në këtë proces nuk mund të jetë më i madh se i koncentratit për t’i dhënë hov lulëzimit. Lulëzimi i kulturës bëhet vetëm përmes bashkëpunimit me elitat kulturore, përmes angazhimit të tyre në drejtimin e proceseve kulturor, në jetësimin e ideve kulturore programore.

Lulëzimi kulturor nuk është proces që guxon të lihet në duart e militantëve, qofshin këta edhe funksionarë të lartë partiakë. Kapitulli në platformën kombëtare për kulturën shtetërore dhe për kulturë nacionale nuk guxon të ngelë vetëm “kapitull dekorativ” i programit partiak, por, duhet të jetë një vizion i qartë që obligon në përkushtim për ta hedhur me kujdes “farën e kulturës”, sepse, nuk mund të vihet deri te lulëzimi i gjësë së bukur nëpër sterrnishta e nëpër ferra!

Asnjë subjekti politik nuk i takon të funksionojë pa një këshill kombëtar për kulturë, i përbërë prej elitës kulturore. Sepse, ky është ai këshill apo bord që ia shton seriozitetin subjektit politik në angazhimet e saj, (sado deklarativ) në projektet kombëtare. Projektet infrastrukturore, korridori 8, 9, 10, 11, 12... nuk kanë të bëjnë asgjë me identitetin kulturor të një komuniteti, apo të një shoqërie. Manipulohet rëndë sa herë që ato prezantohen si “projekte kombëtare”! Gjuha, krijimtaria popullore, arti, letërsi, opera, baleti, teatri, komedia, ansambli, trashëgimia kulturore, shpirtërore, veshja, ushqimi, feja (por jo edhe “truqet fetare”) – tërë kjo është infrastrukturë e identitetit të fuqishëm kulturor. Kur t’i kemi këto, kur këto të gëlojnë nga aktivitetet kulturore, kur ta kultivojmë pastër përkatësinë tonë kulturore, shpirtërore, fetare, mund të themi se kultura jonë është në fazën e lulëzimit, fazë kjo që dëshmon lirinë e plotë të një populli!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat