“Kthesa”, një roman tronditës për fatin e njeriut në tranzicion

Kultura

“Kthesa”, një roman tronditës për fatin e njeriut në tranzicion

Nga: Ndue Dedaj Më: 22 prill 2023 Në ora: 12:14
“Kthesa”

Shkrimtarët që trajtojnë tema bashkëkohore në veprat e tyre letrare janë më të vërtetë për t‘u admiruar, pasi ngjizin një materie letrare që ende nuk ka marrë formë në realitetin jetësor. Ka qenë një prirje e prozatorëve tanë për t’u marrë me të shkuarën historike, ku dukej se ndjeheshin më të sigurtë, pasi ngjarjet kishin precipituar dhe heronjë ishin kristalizuar. Kurse në letërsinë me problematika të ditës, gjithçka mbetet për t’u krijuar jashtë skemave dhe shablloneve letrare të njohura, çka e bën atë një letërsi e guximshme. Në këtë optikë, romancieri Ndue Lleshaj, që e lëvron gjininë e romanit prej dekadash, pas disa veprash me subjekte kryesisht nga e shkuara e afërt, vjen me romanin “Kthesa” (botim i “Nacional”) që për nga qasja, por dhe mbrujtja artistike, shënon një “kthesë” në prozën e tij. Është roman modern, që tejkalon klishetë tradicionale, që nga thurja e subjektit, struktura, linjat, karakteret, përjetimet e personazheve, situatat dramatike, deri tek episodet e pazakonta, si ai i flirtit të djaloshit maturant Blini me mësuesen e tij, “miqësimi” më pas po i këtij personazhi me ariun e vogël, një gjetje mjaft intriguese etj. Autori nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta “filtruar” këtë personazh, e ka lënë të lirë të sillet në rrjedhat e trazuara të jetës pa e marrë përdore.

1.

Përvojën e gjatë si mësues karriere dhe si krijues i pasionuar Ndue Lleshaj tashmë e shpalos si shkrimtar përmes romaneve të tij, me një rrëfim gjithë lirizëm, ngrohtësi dhe humor të hollë mirditas, duke iu përkushtuar fort dhe bindshëm prozës e duke krijuar një galeri tipash dhe karakteresh më së shumti nga trevat veriore. Ai ka depërtuar natyrshëm dhe në jetën urbane, sidomos me këtë roman, duke i njohur dhe përshkruar me imtësi mjediset e ndryshme shqiptare apo italiane. Natyra e tij hulumtuese e akumuluese e fabulave, ndodhive dhe historive jetësore ka ardhur dhe është shndërruar në një lëndë letrare kreative, me personazhe të larmishëm, që nuk ngjajnë njëri me tjetrin, të cilët dinë të sillën në situata të caktuara, falë stilit të prozatorit të afirmuar nga romani në roman. Nëse portreti i Blinit bëhet në vijimësi, faqe pas faqeje, si personazh kryesor që është, ai i Lirës vetm sa ravijëzohet me: “flokët e arta, ballin e gjerë, sytë e shkruar, hundën e rregullt, faqet e buzët e mbushura, mjekrën e rrumbullakët me një si huptinë në mes, qafën e gjatë që e zbriste në shtatin e zhdërvjellët e gjoksin e kërcyer…” etj.

Romani, ngjarjet e të cilit zhvillohen kryesisht në Tiranë, në thelb është vetë personazhi kryesor, Blin Malcia, një i ri në kërkim të fatit të tij në Shqipërinë e tranzicionit, që dallgët e jetës e përplasin sa në një anë në tjetrën, por që ai arrin të orientohet në këtë turbullirë sociale. Kësisoj romani fiton vlera përgjithësuese kur mendon se i tillë është fati i të riut shqiptar, pa një përspektivë të sigurt, përderisa bosi i drogës e krimit arrin të kandidojë për deputet, edhe pse kërkohet nga drejtësia italiane!? Gjysh Keli është një udhërrëfyes në jetën eBlinit, një busull e pagabueshme, ai e ndihmon atë të marrë kthesën, që të mos mbetet viktimë e kurtheve të fatit. Të nipit ai “donte t’ia fuste në gjak dashurinë për vendlindjen e të parëve, por dhe ta edukonte me tiparet më të mira që mishëronte popullata e atyre krahinave”; “tek ne krahina është si katundi e si familja. Me krahinën krenohemi e turpërohemi”. Ai i kumton nipit rrënjët: “Trungu ynë e ka prejardhjen nga një derë e fisme e njërës prej krahinave më në zë të Shqipërisë, që mban një emër të papërlyer, të bukur, krenar e përshëndetës. Mirditë quhet...” Ky identitet është dhe identiteti artistik i romaneve të prozatorit Ndue Lleshaj. Historitë e tyre kanë buruar më së shumti prej saj. Blini bëhet kureshtar pse në krahinën e të parëve të tij ka mbiemra katolikësh dhe myslimanësh, i ndërruan vetë apo ua ndërruan? Dhe gjyshi ia shpjegon historinë me laramanizimin gjatë pushtimit otoman. Autori përmes kësaj marrëdhënie nip - gjysh sikur na thotë se koha e gjyshërve nuk perëndon kurrë dhe nuk dimë se si do të luante në tallazet e jetës Blini, nëse nuk do të kishte porositë e gjyshit me vete gjithakah. Ai shprehet si një një filozof popullor: “Buka piqet në furrë e mendja në udhë”, pra në përballje me vështirësitë dhe të papriturat e jetës. Përvoja e të vjetërve të maleve tona nuk vlen vetëm përbrenda rrethinës së tyre malësore, por dhe në metropol e përtej detit.

2

Shkrimtari ia ka dalë të depërtoje në një labirint kriminal, duke përshkruar me saktësi e mjeshtri të dukshmen dhe të padukshmen e mafies së drogës në Tiranë, në një resort të frikshëm, ku në krye qëndron si një “perëndi” e krimit, Bosi. Në kërkim të një pune të mirëpaguar, Blini ka rënë padashur në terrenin e kësaj mafie, në një “çerdhe grerëzash” siç e quan ai, dhe i duhet të dalë pa u përfshirë, kjo është njëra nga kthesat e tij, por kthesa përfundimtare kërkon dhe disa sprova të tjera. Të mbetet në mendje përshkrimi me imtësi i mjediseve të lokalit “Qetësia” në kryeqytet, ku është domethënës dhe vetë emri i tij; ai vend ishte i qetë ditën dhe jo i tillë natën, ku bëhej tregtia e “mallit”. Autori ka krijuar një detaj që mbart gjithë kuptimësinë e librit - një kthesë rruge në errësirë tek ai hotel, të cilën Blini “nganjëherë e përfytyronte si kufi i botës së këtejshme të errët, pa të drejta me pa, me fol e me dëgjue, me botën e lirë të përtejkthesës, ku njerëzit e fitonin një pjesë të lirisë së humbur. Ajo kthesa kishte “misteret e saj”, “pafundësi ngjarjesh të papritura”, “gjer pusi që përfundonin me shkrehje armësh e marrje jete”.

Autori, përmes rrugëtimit jetësor të Blinit, ndërton një makromjedis letrar, që nis nga zonat e nxehta e të fshehta informale të Tiranës, vete në vendin e të parëve në Kthellë, ku duket se ai merr forcë si Anteu, hip në Vlorë në skafin e trafikantëve, përshkon detin mes gjalljes dhe vdekjes, gjendet në Itali nëpër të njëjtat mjedise kriminale, ku janë të njëjtët personazhe që mezi iu shpëton, kthehet në atdhe dhe në kërkim të të ardhurave me punë, fati i mbrapshtë e shpie sërish te droga, kësaj here në parcelat e hashashit mbas Dajtit, derisa arrin mde guxim e pjekuri të shkëputet nga kthetrat e mafias. Autori nuk e le personazhin e tij peng të krimit, edhe pse këtij i paguhet një çmim. Me mjeshtri e ka trajtuar autori kthesën, ku Blinit i kujtohet se prindërit e kishin këshilluar që fëmijë, kur hidhte hapat e parë, sesi të mësonte të merrte kthesat, se ndryshe rrëzohej e binte nga shkallët. Autori, është një vëzhgues i imtë i gjithçkaje që ndodh, por dhe një krijues i stërvitur i fiktion, si në përshkrimin e situatës së përmbytjeve në kryeqytet, në episodin me makinë, kur ai shpëton një grua që po mbytej me dy fëmijët e saj, por që i shpërblehet me burg për vete, ku i duhet të japë lekët e fituara shefit, që të dalë. Në të vërtetë është ajo që bën mafia, siç thotë autori, që me njërën dorë t’i jep e me tjetrën t’i merr paratë, nëse ti nuk iu bindesh kanuneve të saj të rrepta.

Blinin e rrethojnë personazhe të lidhur shpirtërisht me të, bartës të traditës e virtytit, si Kel Malcia, Gjyshamadhi, Gjergj Miri, Flaka, Laura, dy nënat e Blinit, Davina e Dafina etj. dhe të tjerë kalimtarë, si mësuesi i biologjisë, Zara, shef Dhori, administrator Thanasi, Xhimi sekseri që punon në ministri, Kokëboshi, shef Daku (i policisë), ku në këtë qerthull të gjithë shefat janë njësoj, si ata të ligjit, si ata të antiligjit. Dallim bën vetëm Bosi i krimit, përndryshe Maltin Guraku, mishërimi dhe hija e së keqes gjithkund, në Shqipëri dhe në Itali, ku i ka shtrirë kthetrat mafioze si trafikant droge, vrasës dhe përdhunues. Njëlloj romantizmi i Laurës e bën atë mjaft tërheqëse si figurë femërore, si një frymëzim për vajzat e kësaj kohe, që iu thotë atyre tërthorazi se ca vlera si martesa vazhdojnë të mbeten të shenjta.

Stili nganjëherë shihet që në frazën e parë të romanit, kështu dhe te “Kthesa”, një fillim spontan i një shiu, duket se paralajmëron “shiun”, “breshërin” dhe rrëbeshin që do të kemi më pas në vepër. Aty na shfaqet dhe Blini, me të cilin nuk do të ndahemi më deri në fund. Ne si lexues bëhemi pjesë e fatit të tij, bashkërrugëtar me të dhe drithërohemi nga sfidat që duhet të kapërcejë, ku mjafton të kujtojmë çastin e mbërritjes së tij në brigjet italiane, aventurën mafioze për eleminimin e tij fizik, si dhe përdhunimin e Laurës nga “shefi” i krimit në hotelin e tij në Itali. Kështu Blini gjithnjë e më shumë bëhet yni, bëhet ne. Romani ka strukturë dhe ndërthurje shumë herë befasuese, me përjetime të forta psikologjike që e bëjnë atë të lexueshëm dhe falë fantazisë së autorit edhe filmik, aq sa një producent a regjisor do ta kishte të gatshme lëndën për një skenar filmi. Autori depërton me lehtësi në situata delikate, din t’i maturojë ato, personazhet e tij dinë se ç’bëjnë, të përfshihen në konflikt dhe të dalin me zotësi nga ato. Ai e bën të humbasë Lira Bardhën e fillimit të romanit dhe e le lexuesin në kërkim të saj, kur ajo i shfaqet në fund, jo si e dashura, por si motra e Blinit. Këto janë të papriturat e jetës, që letërsia i zbulon më së miri. Kur Blini humbet bashkudhëtarët në det, si në një elegji, akuzon detin që mori aq shumë jetë në lulen e rinisë. Lufta për mirëqenie kthehet në luftë për ekzistencë, pasi djaloshi dhe përtej detit përfundon në rrugë pa krye dhe në kthetrat e të njëjtit padron të padukshëm Maltin Guraku, që në Dajt “iu qep kodrave dhe maleve për t’i kthyer pjellore me bimën e hashashit”. Ironia është veçori e stilit të narratorit, çka e pasuron romanin me elementin komik të domosdoshëm. Fraza është e rrjedhshme, vepra lexohet pa sforcim. Dinamika e jetës sikur e ka bërë dhe stilin të atillë. Asgjë nuk është e nënkuptueshme, e rrokshme, sa i përket fundit të romanit, lexuesi nuk e di nëse Blini do të ketë fat të lumtur apo të hidhur, atë e di vetëm autori që e ka ndërtuar mjeshtërisht arkitekturën e veprës. Lexuesi gazmohet kur Blini e quan kthesën një detyrë, lufton për këtë dhe fiton.

Pasuria gjuhësore shihet dhe në shprehjet popullore, si “Blini iu fut gjyshit nën batanie si zogu nën flatrat e pulës”, “i shkuan pas si ujku tufës”, “si vetetima në të kthjelltë”, apo trajtat leksikore të trevës: rrushkuqe, nëndheu, sheshnajë, qëmoçëm, rrafshatake, mustakosh, kacarroj, prishaqejf, vajhallit, shkarpë, vikamë, thepinë, terrtuar, si dhe fjalëkrijimet: fjalëshumtit, buzëdet, zëulët, syngulur, gojëlëshuar, mirëpeshuar, paburrërisht, drynuar, vendtharje etj. Ndihet ashti i fortë i vendlindjes, ku është mbrujtur autori, si urtësi, doke, por jo si ekzaltim e glorifikim, siç vërehet në disa këngë kinse rapsodike të kohëve të vona. E dëshmojnë këtë dhe fjalët e urta të shkrira organikisht në tekst. Në këtë vështrim, ky autor ka meritën se ka sjellë në mënyrë të moderuar e qytetare të folmën, urtësinë, psikologjinë dhe humorin mirditas, pa e pasur si qëllim në vetvete, por natyrshëm e funksionalisht. Kryekrejet ai ka mbarështruar lëndë gjuhësore nga Kthella, bir i së cilës është.

Pesë romanet e shkrimtarit Ndue Lleshaj dëshmojnë se tashmë proza romanore është vokacioni i tij, që me siguri do të njohë prurje dhe ngjitje të reja, në rrafshin e prozës bashkëkohore shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat