Vilhelme Vranari-Haxhiraj “Mjeshtre e Madhe e Penës”

Kultura

Vilhelme Vranari-Haxhiraj “Mjeshtre e Madhe e Penës”

Nga: Kadri Tarelli Më: 27 prill 2023 Në ora: 22:51
“Genti mbreti Ilir i Ardianëve”

Kadri Tarelli, shkruan: dhe kultura janë vijat e ugarit ku mbillet fara që quhet kombësi. Është fantazmë çdo shpresë, që s’mund të vihet në veprim dhe shterpë çdo energji, që s’frymëzohet nga një ideal. Isuf Luzaj. Filozof

Në Durrës, përuron librin “Genti mbreti Ilir i Ardianëve”

Në ditët e fundit të prillit, 2023, një ngjarje e bukur për jetën arsimore të Durrësit. U organizua përurimi, (unë e quaj “kuvend libri”) , “Genti mbret i Ardianëve”, të autores vlonjate Vilhelme Vranari-Haxhiraj. E gjitha në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Qemal Mici”, ku prej kohësh zhvillojnë mësim edhe nxënësit e shkollës “14 Nëntori’, (për shkak të dëmtimit të shkollës së tyre, nga tërmeti i para tre vjetësh). Të pranishëm në këtë veprimtari ishin mësues, nxënës, prindër dhe të ftuar, drejtorë shkollash, ish mësues, shkrimtarë, gazetarë dhe krijues të Durrësit.

Drejtore e shkollës znj. Merita Kuçi-Thartori, në emër të kolektivit mësimor, përshëndeti dhe uroi mirëseardhje për të gjithë të pranishmit, që marrin pjesë në këtë festë letrare, kushtuar librit “Genti mbret i Ardianëve”.

Është e dyta herë që nxënësit tanë kanë mes tyre Znj. Vranari. Më parë me librin “Elitat e mohuara. krenari e kombit”, ndërsa sot aurore e librit më të ri, ku e shfaq veten si gjyshe dhe nënë e nipit të saj, gati frymëtari i saj, njëkohësisht si nëna e gjithë fëmijëve, që bisedon lirshëm edhe me nxënësit tanë të shkollë sonë, si lexues dhe interpretues plot gjallëri. E gjitha e etur shpirtërisht dhe letrarisht për të frymëzuar të vegjëli, me krenari për dheun e të parëve, mëmëdheun tonë, gjuhën dhe historinë, por edhe me dashuri për librin, në veçanti atë historik.

Ajo që kënaqi të pranishmit ishte një lloj dramatizimi i librit, ku skenën e zotëronin vetë fëmijët, sa të bukur në veshje dhe paraqitje skenike, aq edhe të hedhur në lëvizje dhe në dialog. Një punë e vështirë, për nxënës të vegjël, sepse bëhet fjalë për një libër historik, por e realizuar kaq bukur sa u duartrokit nxehtësisht çdo pjesë. Bota e fëmijëve është minierë arti. Lum kush e kupton! mjafton t’i vesh në punë, dhe ata bëjnë çudira, mbase më mirë se aktorët profesionistë, sepse janë të çiltër, i vlerësojnë çastet madhore dhe dhurojnë emocione pa fund. Kjo është meritë e mësueseve të klasave (4 – 5), të shkollës, të përfshira në magjinë e fjalës dhe kumtit që u përcoll aq hijshëm te të pranishmit. Meritojnë falënderim dhe mirënjohje, n/drejtore Sava Hoxha, bashkë me grupin e mësueseve: Alketa Korita (si regjisore), Shyqyrie Rrumbullaku, Alma Vilishtari, Enkeleda Shala, Afërdita Taho, etj.

Meritoi duartrokitje vogëlushja prezantuese Noemi Shala, nxënëse. Kl. 5.b, së bashku me shokët dhe shoqet, që i dhanë gjallëri skenës dhe veprimtarisë. Të gjithë ishin të shkëlqyer. Mes tyre po përmend:

Piktore. Marie Domi, kl. 7, që i dhuroi autores, portretin e saj të punuar enkas për këtë ditë festive, si falënderim e mirënjohje për librin dhe krijimtarinë e saj letrare.

Këngëtare: Livia Beu, kl. 6.a

Poster i realizuar nga Orges Kaboçi, kl. 7

Një analizë të plotë të librit, bëri Shpendi Hulësi Topollaj, shkrimtar, studiues dhe publicist i njohur, ku veçoi vlerat letrare dhe historike, aq të domosdoshme për të vegjlit, që përjetojnë dhe përcjellin kohën dhe moshën, për të shtuar dshurinë dhe krenarinë për atdheun dhe kombi.

Me kënaqësi përshëndeta edhe unë, që si mësues dhe më shumë herë në rolin e gazetarit, kam përcjellë për gati 15 vjet, të gjitha veprimtaritë letrare dhe artistike të shkollës “14 nëntori”.

Pa përsëritur fjalët e parafolësve, theksova:

Përshëndetje ju të dashur nxënës, që duke ligjëruar kaq bukur, më ngjallët nostalgji për vitet e shkuar si mësues. Urime dhe suksese në udhën e bukur por të vështirë të dijes.

Falënderim për ju mësues, si “Misionarë të dijes dhe edukimit”, që meritoni shumë e shumë vëmendje dhe kujdes, pasi i shërbeni nxënësve dhe ardhmërisë së kombit.

Përshëndetje për drejtorinë që vazhdimisht, si rrallë kush, ju mbështet në veprimtari të tilla, që lartësojnë emrin e shkollës.

Nga përvoja ime si mësues dhe drejtues shkolle, them: “Investimi gërshetuar me procesin mësimor, siç është edhe ky kuvend libri, ju ndriçon emrin, për të mbetur në kujtesën e shkollës, të nxënësve por edhe të qytetarisë durrsake”.

Mirënjohje znj. Vilhelme Vranari-Haxhiraj, që mes afro 60 librave të botuar ndër vite, sollët në këtë kuvend librin “Genti mbreti Ilir i Ardianëve”, frymëzuar dhe shkruar enkas për nxënësit e vegjël, si trashëgimi për të njohur historinë tonë të lashtë.

Në rrafshin historik është një gjetje shumë e bukur e autores. Janë kohët e hershme, kur shqiptarët janë qeverisur nga mbretër të racës sonë, si e vetmja kohë e ndritur që duhet shkruar e lartësuar, duke u mësuar sa më mirë.

Unë, si njohës i historisë, e vlerësoj librin në disa plane këndvështrimi, që meritojnë vëmendje dhe studim, mbase edhe si model krijimtarie:

Së pari: Shembull ndërthurje të historisë, në fushën arsimore, metodike e pedagogjike.

Së dyti: librin e vlerësoj për njohuritë historike, aq sa vlen jo vetëm për të vegjlit, por edhe për të rriturit, pasi këtu mund të gjejnë të dhëna që nuk i kanë ndeshur kurrë.

Së treti: E përgëzoj autoren Vrana-Haxhiraj, për artin e fjalës, për mënyrën e rrëfimit aq këndshëm, ëmbël, urtë e butë, për të hyrë aq natyrshëm në bisedë më të vegjlit, nduke shtjelluar faktet historike në formë dialogu me personazhet që ngërthejnë kohën dhe lashtësinë.

Së katërti: Siç e pamë edhe nga loja juaj artistike: posaçërisht fjalët e vendosura në gojën e mbretit Gent, janë si porosi jete për fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit. Është forma më e bukur për të përcjell mesazhe atdhetarie, duke lidhur e nxitur mendimin me ndjesitë e moshës.

Për ta plotësuar më shumë portretin e mikeshës sonë Vivra, po jap disa nga vlerësimet, që po të shpalosen të gjitha, duhen disa faqe libri:

1. Anëtare e “Akademis së së Shkencave dhe Arteve, Shqiptaro- Amerikane, me seli në New-York. SHBA”.

2. “World Icon of Literature Auard”, në Indi. (Ikonë e letërsisë botërore),

3. Çmimi I Nd/kombëtar “Gj. K. Skënderbeu”, Torino (Itali-2009),

4. “Nderi i Kombit”, nga “Bashkimi kulturor shqiptar në Rumani”.

Me kwnaqwsi po citoj edhe disa vlerësime nga pena tw njohura shqiptare:

Dr. Mujo Buçpapaj, shprehet: “Aq sa mund të themi pa frikë, se asnjë shkrimtar tjetër i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar, sa Vilhelme Vrana-Haxhiraj.

Akademik, Prof. dr. Eshref Ymeri. Anëtar i Akademisë, së Shkencave dhe Arteve, Shqiptaro- Amerikane, me seli në New-York. SHBA, thotë: “Kur hyn në universin e fjalës artistike të znj. Vrana-Haxhiraj, e cila operon në tërë regjistrat e gjuhës shqipe, arrin të kuptosh poezinë e madhërishme të ndjenjave që të kaplojnë”,

Prof. Dr. Fatmir Terziu, “Mjeshtër i Madh”, në Londër, shkruan: “Vilhelme Haxhiraj është një shkrimtare erudite, studiuese e publiciste, me një kulturë që shtrihet në kohë dhe hapësirë të pamatë, që renditet mes emrave më të shquar të letërsisë kombëtare dhe më gjerë.

Albert Habazaj. Kryetar i Shoqatës së së Artistëve dhe Shkrimtarëve “Petro Marko”, Vlorë, shkruan:

“Një femër një grua, një nënë, që ka zë të fuqishëm, të ndjeshëm, të guximshëm në letërsinë shqipe. “Ajo ka ardhur në letërsi si Antigona për të shëruar shpirtrat njerëzor”, thotë për të Xhevahir Spahiu. E kanë quajtur “Herta Muler shqiptare”, thotë Mujo Buçpapaj. Dikush e quan edhe “Musine Kokalari e Vlorës”, etj, etj.

Shpendi Hulësi Topollaj:

“Ndofta ka ardhur koha që qytetarët dhe pushtetarët e këtij qyteti heroik, (Vlora), që gjithmonë kanë ditur të vlerësojnë kontributet kombëtare, t’i ngrenë asaj një të tillë statujë”.

Fatmir Minguli:

“Ky libër është përgatitur nga një njeri i vetëm, nga shkrimtarja “Vivra”, në vend që ky botim enciklopedik të bëhej nga grupe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës”.

Fatmira Beqja-Veseli, mësuese veterane, e pranishme në këtë festë libri, thotë: “Barazia shoqërore e grave, meritohet, aq më pak nuk jepet si lëmosh mëshire. Një formë, që Vivra e përbuz deri në neveri”.

Në fund, dy fjalë vlerësimi edhe nga unë Kadri Tarelli: - Nuk jam Orakull i Dodonës, kështu shkrova para tre vitesh, kur bëra një shkrim me titull: “Një vlerësim i merituar për “Princeshën e Letrave shqipe”, kushtuar Vilhelme Vrana-Haxhiraj”.

Ju të dashur mësues dhe nxënës, mbani si porosi fjalët e autores, të vendosur në fund të këtij libri, ku si nënë, mësuese dhe studiuese, gjen vend të shprehet dashurisht:

- Unë bëra aq sa munda. Kurse ju trashëgimtarët e mi, do ta çoni më tej historinë e këtij vendi, që e kanë mohuar keqbërësit.

Urime “Princeshën e Letrave shqipe”, për libra të tjerë me po kaq vlerë atdhetarie!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat