Nëse ka komb, i cili duhet kudo që të ketë një gazetë, është kombi ynë

Kultura

Nëse ka komb, i cili duhet kudo që të ketë një gazetë, është kombi ynë

Ilirjan Agolli Nga Ilirjan Agolli Më 6 maj 2023 Në ora: 14:53
Foto ilustrim

Pak fjalë në vend të programit (S.Peci, Kombi)/ Në këtë vend, qendra e parë e qytetarisë, lirisë, diturisë, industrisë, në të cilën përpara pak viteve zuri të na mbledhë robëria dhe vobektësia e vendit tonë, shumë e nevojshme dhe e pritur është për ne edhe një gazetë. Gazeta në gjithë botën, është jo vetëm ushqim i përditshëm i mendjes, por në të rrëfehen nevojat dhe qëllimet e kombit, prandaj ka atë rëndësi të madhe në çfarëdo çështje. 

Nëse ka komb, i cili duhet kudo që të ketë një gazetë, është kombi ynë

Kombi shqiptar prej shumë vitesh në robëri, pa shkolla, pa dituri, i rrethuar nga të gjithë anët me armiq, të cilët me çfarëdo intrigash kërkojnë ta mposhtin, ta dobësojnë dhe ta përçajnë, që të mos mund të mbarojë qëllimet dhe të fitojë të drejtat e tij, pa ndonjë mbështetje, pa ndonjë ndihmë prej gjithkundi fare, vetëm në fuqinë e tij, duke patur shpresën, ka nevojë të madhe të ketë organin e tij të shtypit me të gjithë anët ku mund, se nuk e lënë kudo. Organ me të cilën të mbrohet nga lufta e përditshme e armiqve, të rrëfejë të drejtat e tij në botën e qytetëruar, të përpiqet për përparimin e çështjes politike, dhe për lërimin e gjuhës së vet, t’u japë kurajo dhe ndihmë gjithë atdhetarëve që përpiqen për këto qëllime, t’u hapë sytë duke treguar rrugën e drejtë, dhe rreziqet e kombit prej intrigave të armiqve, atyre atdhetarëve, që nuk interesohen; të futë ndër ata nxehtësinë e shenjtëruar, e cila quhet patriotizëm, dhe me pak fjalë të jetë mbrojtës, ndihmës, këshillues dhe luftëtar i interesave të kombit. 

Mjerisht, për Atdhenë, ndonëse nuk e kemi kuptuar rëndësinë e shtypit, ndonëse ata që duhej ta botonin, e ta ndihmonin këtë, për shumë shkaqe nuk e bënë, edhe në e bënë, s’qenë të zotët ta mbanin, jemi shumë të vobektë në këtë çështje. Ç’shërbim mund t’i sjellin kombit, sado rëndësi që të kenë, në këto kohëra të rrezikshme, dy ose tre gazeta shqip? Si mund të kuptojë bota që kërkojmë edhe ne lirinë dhe të drejtat tona, kur nuk thërresim dhe nuk i kërkojmë kudo që gjendemi? Si do t’u zëmë gojën armiqve, që as kombësinë tonë nuk njohin? Ata kanë kuptuar rëndësinë dhe shërbimet që sjell shtypi, prandaj, kanë mbajtur me pagime të mëdha organe të qëllimeve të tyre. 

Veç kësaj nevoje të përgjithshme, nuk është e pakët dhe kjo e këtushmja. Gjendemi sot për sot më tepër se 7 mijë shqiptarë, të cilët nuk kemi ardhur për të zënë rrënjë këtu, si ca kombësi të tjerë, po vetëm gjendja e tanishme nën qeveri të huaj dhe të ligë, na largoi prej vendit për pak kohë, edhe mendjen ditë e natë e kemi aty, edhe në ngjarjet e atjeshme. 

Një gazetë, e cila detyrë të parë do të ketë të mësojë dhe të botojë të rejat dhe lëvizjet jo vetëm të Shqipërisë dhe të atyre vendeve, për të cilat interesohemi, po edhe të ngjarat dhe gjendjen e atdhetarëve të këtushëm; do të jetë me pak fjalë një lidhje e Amerikës me Shqipërinë. Të rejat e vendit dhe interesat e atdhetarëve kurdoherë do të shikojë. E dimë fort mirë që kjo barrë është shumë e rëndë për fuqinë e një njeriu, por kam shpresë që, mëmëdhetarët duke kuptuar nevojën e shërbimit që mund të sjellë gazeta, do të na vijnë ndihmës që të mundim të marrim edhe bashkëpunonjës për t’i dhënë fund gjithë qëllimeve tona. (Drejtor Sotir Peci. Gazeta Kombi. Boston. Mass. SHBA. 9 qershor 1906. Nr.1. Faqe 1).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat