Dhurata poetike nga mërgimi shqiptar

Kultura

Dhurata poetike nga mërgimi shqiptar

Nga: Baki Ymeri Më: 11 korrik 2023 Në ora: 21:55
Ballina e librit

Veprat e krijuesve të mërgimit janë do dhurata të bekuara që kontribuojnë vazhdimisht dhe aktivisht në pasurimin e thesarit tonë kulturor dhe kombëtar. Në një farë mënyre, ato shndërrohen në një masë definitive për realizimin e profilit shpirtëror të botës shqiptare dhe asaj europiane. Në kapitullin e parë të kësaj vepre, Sejdullah Martinaj vjen para nesh me pëshpëritje dashurie, me kujtimet e paharruara të rinisë, me një ndjeshmëri specifike dhe me një sinqeritet të veçantë. Në vargun e tij zotëron një “buçitje” sentimentale e frymëzimeve lirike, siç janë: çiltërsia, zëri i dashurisë, vendlindja, martirët e kombit, dashuria ndaj atdheut dhe jeta në totalitetin e saj.

Tekstet lirike me motive dashurie nuk i mungojnë letërsisë sonë, edhe pse ato ende janë të pamjaftueshme. Shqiptari e ndjen veten ende të “trembur” kur vjen fjala për përshkrimin e ndjenjave erotike si një dëshmi ekzistenciale dhe e domosdoshme për evolucionin e spiritualitetit tonë. Shëndrit dielli, buzëqesh hëna, lulëzojnë fushat dhe lartësohen malet nga ndjeshmëria e një poeti shqiptar. Poezitë e Martinajt janë dëshmi morale dhe shpirtërore. Poeti shkruan me dritën e momenteve speciale dhe nuk trembet para stuhisë së dashurisë që mbretëron gjithandej.

Para nesh kemi një koleksion të pasur motivesh erotike ku zotëron gjuha, drejtëshkrimi dhe diskursi poetik me kontacione gegërishte. Autori debuton me një vëllim të guximshëm ku lexuesit kanë shansin të deshifrojnë edhe vargje meditative/refleksive, sentimente e ndjenja që parashtrojnë pyetje dhe kërkojnë përgjigje. Të shkruash apo të lexosh poezi don të thotë të kërkosh freskinë e shpirtit e jo të moshës. Për deshifrimin e lirikës së këtij poeti të ri shqiptar, ekziston nevoja t’i referohemi një poeti të famshëm të huaj, Luçian Blaga: “Isha aq i lodhur dhe vuaja. Unë mendoj se vuaja nga shpirti im i mbushur me dashuri.” Dhe më tej, me fjalë të tjera. Fëmija qesh: Mençuria dhe dashuria ime është loja. I riu këndon: Loja dhe mençuria ime është dashuria. Plaku hesht: Dashuria dhe loja ime është mençuria.

Autori i kësaj vepre e ndjen dritën e dashurisë në thellësi të shpirtit. Poeti debuton duke fluturuar me flatra engjëjsh dhe shkruan për engjëj dhe engjëllusha. Kuptimi i këtij fluturimi reflektohet në vëllimin e tij të parë, një album poetik që do t’i lumturojë edhe dashamirët e tij në mërgim dhe atdhe. Misioni i librit qëndron në përkëdheljen dhe ledhatimin shpirtëror. Libri “Ekzistoj vetëm për ty” është i strukturuar në dy kapituj: “Porta e shpirtit” dhe “Shqipëri moj nëna ime”. Nga poezitë e kapitullit të parë meriton të citojmë disa sintagma reprezentative ku zotërojnë ndjeshmëria, melankolia dhe nostalgjia: Rreze e dashurisë ëndërrimtare, Simbol i bukurisë shqiptare, Te porta e shpirtit ke trokitë, Vjen si zanë në ditën e nusërisë, Të zgjodhi shpirti se të ndjeu, I paharruar në përjetësi, I përjetshëm mbeta n’dashuri, Shikimi yt më jep energji, Bukuri magjepsëse, Parajsa e dashurisë, Hyjneshë e bukurisë, etj.

Në Kapitullin e dytë shpërthen një ndjenjë e fuqishme nacionale, zëri shqiptar, dashuria dhe atdhedashuria ndaj Hasit, ndaj dëshmorëve të kombit, ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Tek-tuk dalin në pah edhe vargje satirike ku fshikullohet fanatizmi fetar, pseudo/patriotët dhe pseudo/poetët. Poeti përshkruan ëndrrat e të parëve tanë për bashkim kombëtar. Vepra titanike e prijësve të kombit është prezent pothuajse në çdo faqe të kapitullit të dytë.

Përmes prindërve të tij, si dhe përmes sakrificave të dëshmorëve të kombit, autori shpreh sentimentin e një patriotizmi të lartë duke cimentuar dashurinë ndaj Hasjanëve, ndaj Adem Jasharit, ndaj Nënës Tereze, ndaj tribunit më të shquar të atdheut tonë: “Nga dera fisnike e Kastriotit kryetrim i Arbërisë/ Ishe i vogël kur t’rrëmbyen osmanët e Azisë/ Gjon Kastrioti yt princ bujar dëshmoi madhërinë/ Djemtë ua fali otomanëve, por s’e shiti Arbërinë.” Dhe më tej: “Krenarinë Kombit ia ngjalle e ia ngrite/ Europën e zgjove nga gjumi e habite/ Jo i the robnisë jemi gjak i Ilirisë/ T’parët e t’parëve fis i Pellazgjisë”. Ja edhe një strofë e inspirruar e kësaj poeme briliante (Gjergj Kastrioti-Skënderbeu): “Me ty o Kryetrim u identifikuam ndër brezni/ Pa ty s’do t’kishte mbi këtë dhe Shqipni/ Hero qi s’vdes kurrë je gjithmonë ndër ne/ Për ata që kan lindur dhe të tjerët që kan me le”.

BOX

Sejdullah Martinaj u lind në Prizren më 29 gusht 1967. Vjen nga familja e madhe Martinaj nga Gorozhupi (Malësi e Hasit). Familja Martinaj është me origjinë prej Shalës së Dukagjinit të Mbishkodrës. Pas luftrave të vazhdueshme me Malazezë si dhe si pasojë e gjakmarrjes, erdhën dhe u vendosën në vijë të kufirit, në fshatin e njohur Gorozhup që është i ndarë, gjysma në Kosovë e gjysma tjetër në Shqipëri. Kthimi i tyre në trojet e Hasit ta kujton legjendën e asaj gruas që kishte ikur pikërisht nga Pashtriku, sepse burrin ia kishin vrarë barbarët e huaj që e kishin sulmuar atë vend dikurë moti. Sipas legjendës, gruaja Hasjane vendoset në Shirokë të Shkodrës, bashkë me tre djemtë e saj. Pasi u rritën, djemtë vendosen të ndahen. Njëri u vendos në Shalë, i dyti në Shosh, kurse i treti mori vetëm një copë bukë, u tha “Mirdita” dhe iku e u vendos në Mirditë. Ky rikthim, pra, në Pashtrik, tregon lidhjen e fortë shpirtërore që ka Shaljani dhe Shqiptari me tokën dhe vendin e tij.

Asokohe, familja e tij jetonte ende në katund, për t’u vendosur disa vjet më vonë përfundimisht në Prizren. Gjyshi i tij, Avdi Martinaj, menjëherë pas Luftës së dytë botërore, ishte vendosur me punë në Bujanovc, sot Lugina e Preshevës. Ai kishte arritur që për një kohë relativisht të shkurtë ta krijonte mjeshtrinë e tij si zejtar, bukëpjekës dhe furrtar në zemër të Bujanovcit, ku jetoi dhe punoj deri në pension, tridhjetë vjet rresht. Në Bujanovc ishte pritur shumë mirë nga populli i këtij qyteti shqiptar, mikëpritës dhe patriot. Avdi Martinaj ishte djali i Rrustem Martinajt, trim i madh, patriot i shquar dhe bashkëpunëtor besnik i At Shtjefën Gjeçovit për Malësi të Hasit dhe më gjërë.

Rrustem Martinaj, për shkak të vprimtarisë patriotike në shërbim të atdheut në favor të Shqipërisë Etnike, regjimi i ish Jugosllavisë së vjetër, përkatësisht i Serbisë antishqiptare, e pushkaton në vitin 1933. Emrin Sejdullah, gjyshi i tij e kishte hasur pikërisht në Bujanovc, i kishte pëlqyer dhe e pagëzoi nipin e tij të parë, po me këtë emër. Shkollën fillore (“Vëllezërit Frashëri”), e filloi në katundin e tij, për të vijuar pastaj shkollimin në Bujanovc. Në shkollën fillore “Muharrem Kadriu”’ (që pastaj u pagëzua ”25 Maj”) në Bujanovc, përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm klasën e pestë, të gjashtën dhe të shtatën. U kthye prap në vendëlindje, ku e përfundi klasën e tetë. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm në klasën e tetë dhe e zgjodhen kryetar shkolle. Vazhdoi shkollimin e mesëm në dy shkolla të Prizrenit, dy vitetet e parë të përgjithshme dhe dy të fundit Mjekësi e përgjithshme.

Shkollën e mesme e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm dhe u dallua në shumë aktivitete që bëheshin asokohe. Në të shumtën e rasteve ishte në krye të tyre dhe u printe bashkë me disa shokë e shoqe patriot. Ishte patriot i flakët dhe mori pjesë në të gjitha lëvizjet me karakter nacionalist dhe patriotik në atë kohë. Në të gjitha demonstratat që organizoheshin kundër regjimit serb pothuaj në të gjitha qytetet e Kosovës ai ishte aty. Motoja e tij në shërbim të atëdheut për jetë e mot. Pas përfundimit të shkollës së mesme e kreu shërbimin e detyruar ushtarak në Beograd dhe Petrovac na Mllavi të Serbisë. Edhe këtu ndjenjen patriotike e shprehte shpesh dhe konfrontoj edhe fizikisht me serbë kur cenohej ndjenja e të qënit Shqiptar. Pas përfundimit të ushtrisë regjistrohet në fakultetin e shkecave matematiko-natyrore dega Kimi në Prishtinë. I ndjeki studimet si student i rregullt por për shkaqe politike dhe ekonomike nuk arriti ti përfundoj.

Nga fundi i vitit 1993 iku në mërgim bashkë me të shoqen dhe dy fëmijët, për t’u vendosur përfundimisht në Mbretërinë e Holandës, ku edhe sot jeton, punon, krijon dhe vepron. Në Holandë, si të gjithë bashkatëdhetarët, është përballë me vështirësi të panumërta. Në ndërkohë e ka përkrahur luftën çlirimtare duke e ndihmuar me aq sa ka mundur dhe ka ditur. Ka mbaruar kursin e gjuhës holandeze, nivelin më të lartë në programin e dytë shtetëror. Sejdullahi e flet dhe e shkruan shumë mirë përveç gjuhës shqipe, edhe serbo-kroatishten dhe holandishten, si dhe anglishten dhe gjermanishten. Adrian Martinaj, djali i tij. është student i ekonomisë, ndërsa Gentiana Martinaj studente e mjekësisë në Universitetin e Erasmusit në Holandë. Fëmijët e tij janë dalluar kudo. Adriani, krahas studimeve punon si kontabilist në firmën e njohur KPMG.

Adriani ka luajtur futboll ku është dalluar si dhe e ka fituar Brezin e zi në sportin Tae kwon-do. Adriani ka qenë edhe mësues i Tae kwon-dos për një kohë. Disa herë ka fituar vende të para në gara të Tae kwon-dos. Njëherit është në kryesinë e një shoqate joqeveritare shumë aktive në Rotterdam. Gentiana, poashtu ka fituar Brezin e zi në sportin Tae kwon-do. Gentiana ka fituar rreth 50 medalje dhe kupa në garat e Tae kwon-dos si dhe njëher është shpallur kampione e Evropës, kampione internacional dhe disa here kampione e Holandës. Ajo ka studiuar për piano dhe bën punë vullnetare nëpër spitale, në shërbim të njerëzve dhe shoqërisë. S. Martinaj është njohës i mirë dhe përkrahës i kauzës kombëtare. Përmes vëlimit të tij të parë, tashmë inkorporohet edhe në kategorinë e poetëve të talentuar të diasporës sonë. Që nga 28 nëntori i vitit 2014, është korrespondent aktiv i revistës “Shqiptari” në Bukuresht.

MALËSIA HASIT

Has i thatë e i Gurit
Has i shqipës e i flamurit
Has i Shqipnisë e i Kosovës
Has i Prizrenit e i Gjakovës

Has i besës e i mirëkuptimit
Has i flijimit e i bashkimit
Has i traditës e i mikëpritjes
Has i besimit e i kontraditës

Has i Kastriotit, i Mazrrekut e i Palit
Has i Bogdanit famëmadhit
Has i sakrificës e i luftës
Has i penës dhe i pushkës!

PORTA E SHPIRTIT U HAP PËR TY

Te porta e shpirtit ke trokitë
Me zë të mekur u përgjërove
Deshte gjërat me i shoshitë
Ngarkesën e shpirtit e shkarkove

Portën shpirti tash ta çeli
Se e ushqeve me ëmbëlsi
Të pranoi e të përgëdheli
Me të sinqertën dashuri

Shumë trokitën para teje
Dera mbyllur po qëndronte
S’po pranonte kend pa leje
S’je për mua, i refuzonte

Të zgjodhi shpirti se të ndjeu
U shkrine e tëra u përvëlove
Lule e bukur shumë t’pëlqeu
U lumturove dhe u krenove!

LULE BORË

Si xixëllonjë me ngjyrë shëndritëse

Ti rreze e dashurisë ëndërrimtare

Modele e paimagjinueshme, mahnitëse

Lule borë simbol i bukurisë shqiptare

Përshfaqesh hijerëndë e uruar

Si n’legjendë me hijeshi përrallore

Për ty shumë këngë janë kënduar

E poetët t’kanë përshkruar si ëngjëllore

E papërsëritshme, je maja e bukurisë

E veshur me fustan t’bardhë si hyjneshë

Vjenë si zanë në ditën e nusërisë

Me kurorë mbi kokë si mbretëreshë

Me buzët në gazë e sytë e shkruar

Plotë shpresë, hidhesh e vallëzon

Ma falë vështrimin e dashuruar

Më vjen n’krahëror e m’përqafon!

PORTA E SHPIRTIT U HAP PËR TY

Te porta e shpirtit ke trokitë
Me zë të mekur u përgjërove
Deshte gjërat me i shoshitë
Ngarkesën tënde e shkarkove

Portën shpirti tash ta çeli
Se e ushqeve me ëmbëlsi
Të pranoi e të përgëdheli
Me të sinqertën dashuri.

Shumë trokitën para teje
Dera mbyllur po qëndronte
S’po pranonte kend pa leje
S’je për mua, i refuzonte

Të zgjodhi shpirti se të ndjeu
U shkrive e tëra, u përvëlove
Lule e bukur shumë t’pëlqeu
U lumturove dhe u krenove!

ADHUROJ BUKURINË

Unë isha në qiell

Ti më arrite

Kur isha diell

Ti më shëndrite

Unë isha dëborë

Dhe ti më topite

Kur isha meteor

Ti më mbërijte

Unë isha faktor

Ti më bleve

Kur isha dashnor

Ti më rrëmbeve

Unë t’u dedikova

Ti m’u dorëzove

Unë të përqafova

Ti më pushtove!

AH! AI MOMENT!

Qe moment gëzimi me ndjesi

Ishte prekës me drithërime

I paharruar në përjetësi

M’rrahu fortë zemra ime

Ah! i papërsëritshëm ai moment

M’shtangi pa pritë, më stepi ky rast

M’u mpiks n’shpirtë e m’la pa ment

Më ngrohi e pastaj flakë m’ndezi n’çast

Pa atë dhuratë mangësi do kisha

E varfër do më ishte imagjinata

Si shqiponja pa krah do isha

Do më mbeteshin buzët t’thata

Do t’më lotonin sytë si rrëke në faqe

Ëndërra e kahershme s’do më realizohej

Ku të t’gjeja e fshefur nën re manushaqe

Fytyrën tënde n’vetmi do ta përfytyroja!

BEFASI & SATISFAKCION

Kishe paraqitje tepër provokuese

Me veshjen tënde shumë elegante

Ecje krenare n’formë triumfuese

Engjëllushe e ëmbël, ishe sharmante

Unë po t’përcjellja me fanatizëm

Doja patjetër buzët tua t’i shijoja

Besoja n’vetvehten plotë optimizëm

Prisja vetëm çastin të të takoja

Ndjenja t’forta m’kishin kaplue

S’përmbahesha dot plotë emocion

Bukurinë tande njiherë me ta shijue

At’përjetim t’këndëshëm dhe satisfakcion

Mora guximin e tu afrova triumfalisht

E m’u dorëzove pa kundërshtim

Se t’erdha papritur krejt befasisht

M’u hodhe me afsh në përqafim!

BESOJ NË DASHURI

As vjeshta plotë me vranësi

S’më mposht n’emocion

I përjetshëm mbeta n’dashuri

Se dua këndshëm me pasion

Me dashurinë bashkëjetoj

Është ushqimi im i jetës

Ndjehem mirë imagjinoj

I rrij besnik së vërtetës

Ndjenja t’veçanta m’dallojnë

T’përkushtohem mahnitshëm

Të ndjej dhe ethet më ngacmojnë

Me afsh të të ledhatoj magjishëm

Flokët lehtas t’i lëmoj

Shpirtë e zemër t’i ushqej

Mbushem frymë t’përqafoj

Të përjetoj si gjakun n’dej!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat