Dita e dytë e edicionit të 14-të festivalit të filmit të animuar Anibar vjen me aktivitete të shumta

Kultura

Dita e dytë e edicionit të 14-të festivalit të filmit të animuar Anibar vjen me aktivitete të shumta

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 11:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit të Animuar Anibar vjen me një program të bujshëm, i cili përfshin aktivitete të shumta.

Sot më 18.07.2023 u mbajtën shtatë aktivitete të ndryshme. Shfaqja e filmave filloi nga ora 10:00 në Kinema “Jusuf Gërvalla” me programin e Audiencës së Re ku u shfaq edhe filmi “The Root” nga animatorja Finesa Peja nga Kosova.

Shfaqja e filmave vazhdoi në Kinema “Jusuf Gërvalla” me programin special “Queer Toons” ku u shfaqën gjithsej pesë filma të cilët për temë kanë trajtuar sfidat e personave të komunitetit LGBTIQA+. Dita vazhdoi edhe me shfaqjen e filmave nga programi i filmit të metrazhit të gjatë ku të gjithë të pranishmit patën rastin të shohin filmat “Silver Bird” dhe “Rainbow Fish”.

Pasditja filloi me panelin e parë “Forcimi i mbrojtjeve ligjore: Rruga drejt martesës së të njëjtit seks” në Kosovëme panelistët Arbër Nuhiu, Bjeshkë Guri dhe Ramadan Sokoli. Një bisedë mjaftë e rëndësishme u zhvillua në Galerinë e Arteve, ku u diskutua rreth kodit civil dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti LGBTIQA+, hapat për të siguruar të drejta të barabarta dhe faktorët që ndikojnë në reformat ligjore.

Nga ora 20:30 në Kino Liqeni filloi shfaqja e filmave të garës ndërkombëtare, ku u shfaqën pesë filma për të pranishmit, duke vazhduar pastaj me garën e studentëve në Kino Kubat, me gjithsej gjashtë filma.

Nata përfundoj me argëtim nën tingujt e muzikës nga Rebiswan, RON dhe Genc Elezaj duke përmbyllur kështu natën e dytë të netëve muzikore të Anibar-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat