Boston, i jepet lamtumira e fundit At Arthur Liolinit

Kultura

Boston, i jepet lamtumira e fundit At Arthur Liolinit

Më: 8 tetor 2023 Në ora: 17:44
Foto nga vendi i ngjarjes

Të premten dhe të shtunën në Boston të Masaçusetsit u mbajtën nderimet e fundit dhe ceremonia e përmortshme për At Arthur Liolinin, prifti ortodoks që për dekada me radhë drejtoi kishën historike shqiptaro-amerikane të Shën Gjergjit në këtë qytet.

At Arthur Liolini u nda nga jeta më 28 shtator në moshën 80 vjeçare. Ai do të mbahet mend si një klerik që gjithë jetën ia dedikoi fesë dhe kombit. Kolegu Burim Goxhuli ndoqi ceremoninë dhe bisedoi me të pranishmit për figurën e At Liolinit dhe trashëgiminë që ai la pas.

Me ceremoni fetare, familjarët, miqtë dhe besimtarët në kishën historike të Shën Gjergjit në Boston, i dhanë lamtumirën e fundit klerikut të njohur shqiptaro-amerikan, At Arthur Liolin.

Pjesëmarrësit në këto homazhe e kujtojnë atë si një figurë të thjeshtë dhe të mençur, por mbi të gjitha si një njeri të mirë dhe veprimtar që gjithë jetën u angazhua për çështjen shqiptare.

At Liolini ishte pasues i veprës së Fan Nolit, duke udhëhequr për dekada kishën shqiptaro-amerikane të themeluar nga ai para 115 vitesh. Ai ishte gjithashtu Kancelar i Kryedioqezës Shqiptare Ortodokse në Amerikë, ku bëjnë pjesë 12 kisha.

Ishte ai që në kishë nuk e predikoi vetëm fenë por edhe dashurinë për Shqipërinë"

“Ishte një fat i madh për kishën, apo më saktë për kryekishën e Shën Gjergjit. At Arthuri ka qenë njeriu që më shumë se kushdo këtu në Amerikë arriti që një kishë ortodokse ta bënte kishë të tërë shqiptarëve dhe kjo është merita e tij. Ishte ai që në kishë nuk e predikoi vetëm fenë por edhe dashurinë për Shqipërinë, dashurinë për atdheun dhe virtytet e tjera të mira”, thotë Robert Ngjela, anëtar i korit të kishës ortodokse të Shën Gjergjit.

“Kemi qenë bashkë në dreka e në darka, në shtëpinë time e shtëpinë e tij. Gjithmonë ka qenë një burrë jo vetëm për fe, por edhe për njerëz. E kam njohur si një burrë, më shumë se e kam njohur si një prift. Për mua kjo është shumë e rëndësishme, sepse nganjëherë me priftërinjtë është vështirë të afrohesh. Ai kishte një shpirt dhe unë mendoj se edhe ne kemi të njëjtin shpirt dhe me shpirt do të vazhdojmë”, thotë aktivisti shqiptaro-amerikan Mark Kosmo.

At Arthur Liolini luajti një rol të rëndësishën në rikthimin e krishtërimit në Shqipëri, pas një çerek shekulli ku gjatë komunizmit u ndalua feja, duke pagëzuar shqiptarët që ishin privuar nga kjo e drejtë nga diktatura.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, At Liolini angazhohej me qeverinë amerikane dhe atë shqiptare për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, të cilat ishin ndërprerë për një periudhë pesëdhjetëvjeçare.

Ai ndihmonte në veçanti emigrantët e rinj shqiptarë në Masaçusets, ndërsa kontribuonte për ata që kishin nevojë përmes fondacioneve të ndryshme arsimore, fetare dhe historike.“Të tërë ata që kanë ardhur dhe i kanë provuar, i dinë vështirësitë e fillimit.

Mbase neve tani na duket se ata që vijnë tani e kanë më të lehtë, sepse jemi më shumë shqiptarë që kemi ardhur, ekziston përkrahja dhe ndihma për të tërë që vijnë të rinj. Kur erdhëm neve në fillim fare ky ishte vendi që trokitëm për herë të parë. Këtu e gjetëm atë mbështetjen e parë dhe punët e para. At Arthuri më çoi fjalë, më tha shko shikoje një fabrikë atje marrin punëtorë të rinj”, thotë Dhimitraq Demiri, besimtar në kishën ortodokse shqiptare në Boston.

Ruajtja brez pas brezi e virtyteve të At Arthur Liolinit nderon figurën e tij, thotë Dorothy Christo, besimtare ortodokse e lindur në Shtetet e Bashkuara dhe me origjinë shqiptare që është pjesë e bordit të kishës.

Ishte prift i mrekullueshëm. Njeri i vërtetë i Zotit që i shërbente me kënaqësi popullsisë shqiptare këtu. Ishte gjithmonë mikpritës, i përkushtuar dhe një pasuri për komunitetin tonë. Kemi një trashëgimi shumë të pasur. Ai donte që ne ta ruanim atë dhe ta vazhdojmë tek fëmijët dhe nipërit e mbesat tona. Ashtu siç po bëj unë dhe shumë të tjerë. Mendoj se është e rëndësishme të vazhdojmë traditën dhe rrugën për të cilën ai u angazhua për 50 vite, që ta vazhodjmë duke e nderuar kujtimin e tij”, thotë zonja Christo.

At Arthur Liolini gëzon respekt edhe tek klerikët amerikanë të besimit ortodoks në Boston.

Ai angazhohej dhe fliste në emër të kryedioqezës shqiptare dhe rëndësisë së ekzistencës së saj"

E para ishte njeri i dijes. Është shumë e rëndësishme që një klerik të jetë i interesuar të mësojë, jo vetëm për fenë por gjithçka tjetër. Është e rëndësishme për ata që duan të jenë teologë dhe pastorë të mirë. Ai angazhohej dhe fliste në emër të kryedioqezës shqiptare dhe rëndësisë së ekzistencës së saj. Mendoj se At Arthuri kishte një dhunti që të fliste me të gjithë, ishte i afërt me të gjithë dhe të ndihmonte këdo që ishte i interesuar për Krishtin”, thotë At Robert Arida, klerik në pension në katedralen ortodokse “Trinitija e Shenjtë” në Boston.

At Liolini vinte nga një familje me origjinë nga Boboshtica e Korçës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat