“Bardhësitë e Atdheut”- Një Bukuri me shkëlqim Dielli pas një dimri të gjatë në tokën e acartë…

Kultura

“Bardhësitë e Atdheut”- Një Bukuri me shkëlqim Dielli pas një dimri të gjatë në tokën e acartë…

Nga: Prof. Dr. Bahri GASHI, Më: 24 tetor 2023 Në ora: 18:54
Afrim Mustafa

Libri më unik në historiografinë e luftës moderne të shqiptarëve për liri. Vepër sublime, enciklopedi e dëshmorëve, të flijuarëve të luftës së gjeografisë mbarkombëtare, një memorie faktografike, duke i skalitur heronjtë e tri Ushtrive Çlirimtare, të cilët u bënë fanarë ndriçues në altarin e lirisë, lartësisht u ngritën drejt majave të “Bardhësive të Atdheut”, në këto mijëra faqe të mbushura me dhembje dhe krenari, siç ishin dikur, mijëra kilometra rrugë lirie, në atë botë të mallkuar robërie.

Autori Mustafa, Veteran i UÇK-së, brenda kësaj vepre të madhe, jo vetëm, si peshë fizike, ashtu të madhe, por në përmasa të përmbajtjes kombëtare, është pikërisht, kjo vepër, që me të drejtë edhe nga të tjerë kritikë dhe lexues, por edhe vet autori, është cilësuar si, një Enciklopedi Gjithkombëtare. Si e tillë, është një vepër, që në vete ka rënditur së murosuri kalanë e lirisë me mijëra jetë martirësh e dëshmorësh, të ujitur me mijëra litra gjaku, pa të cilët liria sot, nuk dot mund të paramendohej. Memorizimi i kujtesës për dalëzotësit e atdheut, e kemi thënë edhe herë tjetër, në ngjarje përkujtimesh dëshmorësh, por edhe në këtë ngjarje kushtuar kësaj vepre, kaq ambicioze, në botimet në gjuhën shqipe, të bën të kuptosh një dimension të një bote, krejtësisht tjetër, nga ku ata DËSHMORËT lundrojnë së jetuari në pavdekësi, duke qenë të gjallë dhe të pavdekur në përjtësi, e të lartësuar e skalitur, në piedestal dhe kujdestarë të përhershëm të lirisë sonë.

Në kryevepren e të gjitha veprave, e gjejmë formulimin universal – kur’anor, ku i Lartësuari, Krijuesi ynë na përkufizon qartësisht, liribërësit, përkatësisht, flet për përmasat e ndërlidhura të dalëzotëse, për ngjizjen e lidhjes, midis Atdheut dhe Zotit të tyre, duke na treguar, citoj: “Mos i mendoni të vdekur ata (Dëshmorët) që luftuan në rrugën e Zotit të tyre, ata janë të gjallë, por ju nuk e kuptoni gjallërinë e tyre.” Në aspektin luftarak, lufta jonë çlirimtare për liri si një nga ngjarjet më sublime të historisë sonë, flet qartazi për përkushtimin dhe idealin e madh të dëshmorëve për liri. Ata, dëshmorët, ushtarë lirie, i shndritnin rreshtat dhe marrshet tona drejt lirisë, atëherë çlirimtarë dhe sot dëshmues të gjurmëve të tyre, sikur shkëlqimi i Diellit drejt tokës së vdekur nga dimri.

Sot dhe nesër, ne të gjallet e vujatjeve të pamumërta, jetojmë vetëm mbi flijimin e tyre, nga ku, ne, po ndërtojmë të ardhmen tonë në liri, ose, thënë ndryshe, pa luftën tone të drejtë dhe të domosdoshme, dhe pa sakrificën dhe gjakun e tyre, ne akoma sot do të ishim të robëruar. Përjetësimi i dëshmorëve në vepra të tilla kulmore të shkruara, siç është kjo e llojit të veçantë; “Bardhësit e Atdheut”, e autorit Afrim Mustafa, dëshmon edhe një herë maksimën e popullit, citoj: “Kombi që nuk i harron bijtë e tij të rënë në luftë nuk ka vdekje kurrë “ , ndërsa “Kombi që i harron bijtë e tij, të rënë në luftë nuk ka lindje kurrë”, ndryshe thënë, në kuptimin ekzistencial të substancçs kombëtare, mund të konstatojmë se, nuk ekziston popull i lirë, i cili jeton në paqe, pa heronjtë e tij.

Libri, në tërësi përfshin gjithësej: 3.000 Dëshmorë nga periudha e viteve 1997- 2002, por edhe më përpara lavdisë së UÇK-së, rrjedhimisht prej viteve (1878-2002). Dokumentimi fillon nga veprimet shekullore për Liri dhe Pavarësi, nga Kryeheroi Legjendar i Shekujve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për të vazhduar nga ngjarja e kulmore e shpiptarëve: Lidhja e Prizrenit, (10 qershor 1878) e deri në përfundimin e Luftës së UÇK në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, këtu prezantohen dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ( 2.868 dëshmorë ), Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ( 30 dëshmorë) dhe 102 dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.

Brenda numrit të 3.000 dëshmorëve, janë prezantuar edhe: 71 dëshmorët nga Shqipëria, të rënë në Kosovë dhe në Maqedoni në vitet 1998-1999 dhe 3 dëshmorët nga: Algjeria, Franca dhe Italia, rënë po ashtu në Betejën e lavdishme të Koshares. Brenda kopertinave të këtij publikimi shumëdimensional, ka edhe mijëra: Dokumente, dëshmi, argumente, personalitete dhe veprimtari gjithkombëtare, të cilat u zhvilluan dhe vepruan, duke sakrifikuar nëpër periudha të ndryshme, përgjatë 5 shekujve të fundit, gjithadej në hartën e Shqipërisë, si përpjekeje për liri paravrësi dhe rikthim të dinjitetit e të qenurit shqiptar i Shqipërisë së idealeve etnike.

Materia në përmbledhje kaq voluminoze e ribotuar sërish, tregon saktësisht seriozitetin mbi 20 vjeqarë të punës së palodhur të autorit Mustafa për të treguar peshën dhe vlerën e patjetërsueshme që kanë lënë dëshmorët e lirisë për historinë tonë të shumëpërvuajtur, por të lavdishme. Në aspektin akademik, metodologjia e veprimtarisë botuese të autorit, konsiston: në disa mijëra vizita të familjeve të dëshmorëve, biseda individuale, rrëfimet, intervistat, fotografitë, shkrimet publicistike, arkivat, grumbullimi, sistemimi, dhe në fund shkrimi autentik i kësaj kryevepre në kohëzgjatje hulumtuese shumëvjeqare, me aplikimin e shumë metodave të grumbullimit të të dhënave kualitative, përbënë një nga veprat më serioze të kësaj natyre të shkruara deri më tani në hapsirat mbarshqiptare.

Pasqyrimi real i kësaj materie, me tematikë martirësh e dëshmorësh, me një kronologji në të tri periudhat për çlirim,në këtë përmbledhje të jashtëzakonshme për shumësinë e masakrave dhe dëshmorët e tri Ushtrive Çlirimtare, pashkputur të krijon imazhin e plotë të përmasave të lirisë, të një vepre tipike serioze shkencore, në aspektin e dokumentimit faktik të sublimimit historik të kombit, mbi të kuptuarit e të qenurit, i flijuar dhe flijimtarë për atëdhe. Zakonisht të tilla vepra të mëdha, siq është kjo “Bardhësitë e Atëdheut”, iu dedikohen vetëm përkushtuesëve të atëdheut, dëshmorëve.

Prandaj, ATA, dëshmorët pa asnjë dilemë janë pronarët e vetëm të lirisë, janë baballarët tanë dhe të vërtetit e luftës sonë të drejtë. Bardhësitë e Atdheut nuk u flijuan për veten e tyre,që ne vetëm t’iu thurrim, tekste këngësh, poezi, emra sheshesh, rrugë e shkolla, dhe vargje të bukura nga poetët dhe shfaqje aktorësh: Ata me vetëdije u flijuan për secilin prej nesh, për lirinë tonë, për dinjitetin tonë, kulturën tonë, dhe ne tani shumë më shumë se kurr, na duhet ti kujtojmë ata me dhembëshuri, atëdhedashuri dhe krenari kombetare, që amanetin e tyre për lirinë e vërtetë ta qojmë deri në fund.

Neve si shoqëri, na duhet ta mishërojmë thellë idealin e tyre tek vetja dhe brezat që po rriten të lirë, ti nderojmë më shumë pasardhësit e tyre, dhe jo të na vie në kujtesë dhe të na bëhet realitet kjo thënje e poetit të madh Naim Frashërit që thonte; citoj: “Do të vdisja me shumë gaz po të kisha pagëz shpresë se do’t më thonit ju më pas vdiq për mua paste ndjesë". Në fund, duke e përgëzuar sërish autorin Mustafa për këtë faktografi e madhështi dokumentimi, vërtetë u bë një aset i çmuar kombëtar, duke qenë ruajtës dhe memorizues i vlerave sublime të lirisë, vazhdon të mbetet një një figurat autoriale të rëndësishme, i përmasave të papërsëritshme historiografike. E gjithë lavdia u takon atyre: DËSHMORËVE- HERONJVE- MARTIRËVE, gjakut të derdhur për liri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat