Romët pulsi i unitetit të Ballkanit Perëndimor

Kultura

Romët pulsi i unitetit të Ballkanit Perëndimor

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 08:32
Koncerti i orkestrës "Romët - Forca e Natyrës" në Tiranë

Orkestra "Romët - Forca e Natyrës" dëshmon për rëndësinë e thellë të diplomacisë kulturore brenda strukturës komplekse të integrimit evropian.

Në mesin e sixhades së historisë rome, qëndron një thesar enigmatik - një testament i qëndrueshmërisë përballë mjerimit dhe armiqësisë, një mishërim i paqes edhe në kohë konfliktesh, një narrativë e mbijetesës dhe e përparimit pavarësisht kapitullimit të perandorive.

Kultura rome ‘pulson' në muzikë. Dhe përmes artit pakica rome synon të integrohet në shoqëri dhe njëherazi të shpërfaqë identitetin dhe trashëgiminë si dhe të theksojë rolin e pakicës rome, si faktor ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor. Po si mund ta tregosh këtë rol dhe historinë e tyre përmes muzikës? Një nga mundësitë është të mblidhen në një orkestër muzikantë të mirë romë nga vende të ndryshme për t'i bërë jehonë rrugëtimit të romëve. Një orkestër e tillë është "Romët - Forca e Natyrës", e cila ka vënë vetes këtë mision ambicioz.

Image
Koncerti "Harmonia e kombeve: Romët pulsi i unitetit të Ballkanit Perëndimor” në Tiranë

Pas koncertesh në disa vende të Evropës dhe të Ballkanit, kjo orkestër dha edhe në Tiranë koncertin "Harmonia e kombeve: Romët pulsi i unitetit të Ballkanit Perëndimor” me pjesë muzikore tradicionale, klasike dhe moderne të krijuara apo ripërpunuara nga Bekir Haliti dhe Mehmethan Dishbudak, në të cilat gërshetohen tradita të ndryshme muzikore dhe pasqyrohet udhëtimi shekullor i romëve që fillon në Indi duke vazhduar nëpër Iran, Armeni, Turqi, Greqi, Ballkan, Rusi e plot vende të tjera të botës.

Përvojë unike

"Ky koncert është një përvojë unike, sepse romë nga vende të ndryshme luajnë muzikën e tyre së bashku dhe me miq që nuk i përkasin kësaj pakice.

Koncerti flet për historinë, të tashmen tonë, flet për unitetin dhe forcën që tejkalon kufijtë”, thotë Zeljko Jovanovic, drejtor Zyrës për nismat rome pranë Fondacionit  Shoqëria e Hapur.

Image
Zeljko Jovanovic (djathats) drejtor Zyrës për nismat rome pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur

Orkestra "Romët - Forca e Natyrës" përbëhet nga një plejadë artistësh jashtëzakonisht të talentuar. Me lojën e tyre ata bashkojnë Ballkanin Perëndimor dhe Evropën në një kulmim harmonik. Veprimtaria e orkestrës kalon përtej sferës së muzikës; ajo shërben si një thirrje e qartë, që vërteton se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është një premtim politik bosh dhe dëshmon për rëndësinë e thellë të diplomacisë kulturore brenda strukturës komplekse të integrimit evropian, duke rikonfirmuar e se BE-ja është ndërtuar mbi themelet e diversitetit dhe të bashkëpunimit.

Pasuri e Ballkanit Perëndimor

Me larminë e saj orkesta nxjerr në pah identitetet, talentet dhe zërat që pasurojnë Ballkanin Perëndimor, duke u integruar në mënyrë të palëkundur në qilimin e gjallë të Evropës dhe dëshmuar se romët nuk janë thjesht një impuls, ata janë vetë shpirti i unitetit dhe se ritmi i tyre përzihet me të tjerët, duke siguruar që zemra e Ballkanit Perëndimor të ketë një harmoni të vetme./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat