Shkolla dhe aktivitetet e lira

Kultura

Shkolla dhe aktivitetet e lira

Nga: Ramiz Spahiu Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 11:21
Pamje nga vendi i ngjarjes

Mendimet bashkëkohore psikologjike e pedagogjike theksojnë se brezi i ri zhvillohet më mirë e më gjithanshëm nëse u sigurohet më shumë liri, pavarësi, iniciativë e vetëveprim. Dhe kjo arrihet përmes aktiviteteve të lira, të cilat ndihmojnë zhvillimin e natyrës krijuese të nxënësve.

Aktivitete të lira jashtë mësimore janë të gjitha ato veprimtari edukative që i organizojnë nxënësit me ndihmën e organeve shkollore më qëllim të zhvillimit të vet të gjithanshëm e të pavarur. Për vlerat edukative që kanë, aktivitetet e lira kaherë janë pjesë përbërëse e punës në shkollën bashkëkohore. Kështu shkolla po e zgjeron veprimtarinë e vet dhe prej entit për mësim siç ka qenë përpara, po bëhet institucion për edukimin e gjithanshëm të gjeneratave të reja, çfarë i nevojitet shoqërisë bashkëkohore.

Aktivitetet e lira shquhen për disa karakteristika: Nxënësit disponojnë liri në zgjedhjen e përmbajtjes së punës; Janë më të pavarur në punë e udhëheqje; Ofrojnë mundësi të mëdha për lidhjen e mësimit me jetën, teorisë me praktikën; Duke ofruar njohuri nga shkenca, teknika, arti e lëmi tjera, ato ndihmojnë edhe orientimin profesional te nxënësve dhe formimin e gjithanshëm te personalitetit te tyre.

Planifikimi i aktiviteteve te lira duhet të jetë i lidhur me festat shtetërore, festat e shkollës, me mbledhjet e prindërve, përfundimin e gjysmë vjetorit dhe përfundimin e vitit mësimor. Mandej duhet përshtatur me programin e garave ndërshkollore, komunale, rajonale, republikane e gjithë shqiptare. Zgjedhja e përmbajtjes së aktiviteteve varet nga pajisja e shkollës, nga mjedisi ku gjendet shkolla, nga interesimi i nxënësve etj.

Ne organizimin e aktiviteteve të lira, arsimtari luan rol të madh. Ai doemos duhet të jetë inspirues, organizator, këshillëdhënës, bashkëpunëtorë dhe bashkudhëheqës. Edhe pse mësimi është fusha themelore e punës së arsimtarit, ai s’bën të le pas dore as punën jashtë mësimit. Aktivitetet e lira janë fushë e veprimtarisë se tij. Edhe rregullorja për të ardhura personale parasheh pengesë për arsimtarët që udhëheqin ndonjë seksion të aktiviteteve të lira në shkollë. Arsimtaret duhet të jenë të interesuar e entuziast, të kenë vullnet e t’i motivojnë nxënësit për punë. Pikërisht në saje te punës se arsimtarëve shumë shkolla kanë kore të jashtëzakonshme, seksione sportive të shkëlqyeshme, kopshte të rregulluara mirë, seksione teknike, grupe dramatike, letrare të recituesve, gazeta të murit, fletushka të shkollës etj. Prandaj, ndihma .profesionale-pedagogjike e arsimtarëve është e domosdoshme.

Varësisht nga interesimi dhe prirja, çdo nxënës duhet të përfshihet në ndonjërin nga seksionet ekzistuese në shkollë, sepse një nxënës jo i mirë në mësim mund të jetë më i miri në sport, muzikë, pikturë e punë tjera kreative. Në aktivitete të lira duhet të zotëroi ndërgjegjja dhe përgjegjësia ndaj punës, mandej aty nxënësi zhvillon cilësitë e vullnetit e të karakterit, vendosmërinë, nisjativën, disiplinën, shprehitë për punë të organizuar kolektive, edukimin e marrëdhënieve pozitive ndërmjet gjinive etj.

Përfundojmë: Aktivitetet e lira jashtë mësimore duhet të zënë vend në organizimin e punës në shkollën bashkëkohore. Ato e bëjnë shkollën me edukative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat