Shthurja (post) moderne..!

Kultura

Shthurja (post) moderne..!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 00:05
Zejnullah Jakupi

Duke parë mjerimin e jetës moderne dhe postmoderne e cila dita ditës po na shfaqet lakuriq para syve, e manifestuar edhe në rrjetet sociale dhe në formatet mediatike (shih Big Brother, dhe formate tjera) mund të konkludojmë se nuk duam që t´i ruajmë më sekretet private, jetën tonë intime, duam që ta marrin vesh gjithë njerëzia për to. Por dikur, bazuar në traditën tonë, që ngjanë me ruajtjen e privatësisë, interesit familjar e që lirisht mund të themi se ajo mburojë ishte si një fortifikatë që nuk depërtonte askush në te, ruhej, si e ruajnë familjet mbretërore. E sot, vaj halli. Prandaj, jo vetëm individi, por e mbarë shoqëria dhe shteti duhet t´i ruajë privatësitë, informatat sekrete, etj. Disa medie tabloide kanë qëllime të raportojnë për jetën private të njerëzve, e ta themi se janë shthurur fare. Gjithsesi kemi edhe mediet profesionale,të cilat i vlerësojnë ato dhe kanë kujdes kur të raportojnë. Në këtë kuptim po sjell disa nga leksionet jetësore nga Stoiku dhe perandori romak Mark Aureli.

Mark Aureli është Stoiku romak shumë aktual i cili duhet lexuar dhe rilexuar edhe në ditët tona. Leksione këto që duhet lexohen nga diplomatë, politikanë, gazetarë dhe individë nga jeta private.

Po kush ishte Mark Aureli?

Mark Aurel, ose Marcus Aurelius, ishte perandor romak nga viti 161 deri në 180 dhe, njihej si përfaqësuesi i fundit i rëndësishëm i stoikëve të rinj. Si princ dhe pasardhës i babait të tij adoptues Antoninus Pius, ai e quajti veten Marcus Aurelius Antoninus Augustus. Mark Aureli u lind më 26 Prill 121 pas Krishtit, (Romë), Itali dhe vdiq më 17 mars 180 pas Krishtit (Sirmium). Mark Aureli ishte dhe mbetet filozofi, përfaqësuesi i fundit i rëndësishëm i stoikëve të rinj.

I fascionuar me filozofinë e tij stoiciste, do ndaj me ju disa nga persiatje të përzgjedhura në këtë trajtim. E para, ka të bëjë me ruajtjen e sekreteve individuale, e manifestuar në shumë sfera të jetës, një strategji dhe parktikë kjo e hasur edhe në kulturën tonë shqiptare (ndoshta ishte kështu deri para kohës së revolucionit digjital me rrjetet sociale, të cilat ju kanë zhveshur nga çdo diskrecion privat dhe intim).

Dhe, natyrisht, do shtjelloj tutje fenomenin tjetër, të asaj që e spjegon se si të arrihet vetëvlerësimi, ruajtja e qetësisë nga emocionet dhe hapjen alternative ndaj mendimeve ndryshe, koncentrimin në të tashmen dhe kontrollin mbi vetveten dhe jo, kontrollin mbi të tjerët, qofshin ato ngjarje apo veprime të individëve të caktuar.

Të ruhet sfera intime dhe private?

Mark Aureli na këshillon; gjëra të cilat i klasifikojmë si private nuk ka nevojë t´i di askush, përveç neve dhe nuk duhet t´i bëjmë publike (ashtu ndodh edhe me sekretet shtetërore), sepse ajo është pasuria që e ruajmë në arkën tonë. Aty ruhen betejat tona të së kaluarës, të cilat na kanë formuar gjatë viteve të kaluara dhe natyrisht nuk është e domosdoshme që ta hapim „Kutin e Pandorës“, për të gjithë, për rrjetet sociale, opinionin publik, sepse kjo hapje mund të jetë joproduktive, sepse pastaj do bëhemi të varur nga paragjykimet ose vlerësimet e të tjerëve, të cilët do të na vlerësojnë si të plotësuar ose më pak të plotësuar. Madje kjo ´hapje´ sjell edhe konflikte dhe dhunë, edhe në familje dhe më gjerë. E kaluara e secilit prej nesh, nuk është skenë për të demostruar dështimet, për t´i demonstruar saherë që dëshirojmë, sepse ato mund edhe të na bëhen pengesë për të ardhmen, ose duke u marrë shumë me të kaluarën mund të na turbullohet shikimi drejtë të ardhmes. Kapitujt e jetës së kaluar, pavarësisht sa kanë qenë të vështirë dhe sfiduese, sipas Mark Aurelit nuk duhet të lexohen me zë për të tjerët ose t´i bëhen të njohura publikut. Kujdes, kjo mund të jetë e mirë për të tjerët që të dëgjojnë tregimet tona, por jo edhe për ne. Ato mund të mbesin si pika referimi të cilat mund të konsulltohen për të parë se sa larg kemi ecur, por jo t´i ndajmë me të tjerët. Ajo çfarë do të ndajmë me të tjerët është vetvetja jonë, ajo që jemi me pamjen e jashtme dhe dhe jo ajo çfarë na definon përmes zbulimit të sekreteve.

Mbajë sekret detajet e planeve tuaja!

Nuk duhet t´i bëjmë publike detajet nga qëllimet dhe planet tona, sepse kjo shpërfaqje mund të jetë si një thikë me dy teha (vlen gjithashtu edhe për strategjitë ofensivat ushtarake, politike). Mund të na motivon dhe të na jep guxim, por gjithashtu edhe të na krijojë probleme dhe këtu janë disa argumente se pse duhet t´mbajmë sekret. Nëse i jepni mundësi njerëzve t´i shohin detajet e këtyre planeve, atëherë, ju jepni atyre mundësi që të përzihen në planet tuaja, sepse jo gjithkush që ju njeh i gëzohet suksesit tuaj. Për fat të keq mundet që xhelozia dhe urrejtja ndaj nesh të ju befasojë duke u shfaqur në një vend apo kohë të caktuar kur ju nuk e prisni dhe të ju kthehet kundër jush.

Gjithashtu, bërja publike mund të ju pengojë, sepse juve do të ju jap një ndenjë plotësimi dhe nuk do jepni maksimumin në planin e caktuar, për të arritur qëllimin, sepse ju duket sikur e keni arritur këtë qëllim dhe jeni plotësuar, edhe pse në fakt ju nuk e keni arritur akoma këtë. Duke i mbajtur sekret detajet ju i ruani strategjitë e veprimit dhe në fund kjo ju mundëson që më në fund të flasin sukseset për veprimin tuaj.

Mos flisni sa sa jeni i lumtur!

Të qenurit i lumtur në shoqëri ose në rrethin tonë dhe të mos tregohet është shumë e vështirë. Por është e rëndësishme të kuptoni se si dhe me kë e ndani fatin tuaj dhe informatat gjithashtu rreth tij?

Paraqitja juaj në publik mund të zvogëlohet nga dikush që nuk ju dëshiron që ju të jeni të lumtur. Të flasish shumë për fatin dhe jetën tuaj të lumtur mund të krijohet befasi dhe nga kjo të shfaqen të papritura e padëshiruara të cilat mund të shpien drejt zhgënjimeve të ardhshme. Të qenurit i lumtur vije nga brendia dhe jo domosdoshmërisht nga gjërat materiale. Pra, të mbani atë që e quani „fat i lumtur“ për ju dhe të mos ju japim shkas të tjerëve të gjykojnë për fatin tuaj se si do ta shohin ata këtë. Njëherit, mbajtja sekret e fatit tuaj mundëson ruajtjen e energjisë emocionale dhe kjo do të ju jap juve liri më të madhe të jeni tutje të lumtur, sepse siç thamë, nuk do të jenë të gjithë të lumtur me fatin tuaj dhe, ata, do të mund të jenë xheloz dhe të kenë sjellje destruktive ndaj jush. Fati është një përvojë personale dhe intime që ju ndihmon t´i ndieni emocionet tuaja pa i futur ato në filtrat sociale tek të tjerët.

Lidhjet e dashurisë

Ka shumë arsye gjithashtu që të mos bëni publike lidhjet tuaja të dashurisë, siç po bëhen në rrjetet sociale, ose nëse është e domosdoshme ato të bëhen vetëm në mënyrë selektive. Mbajtja sekret e dashurisë ju jep mundësi që të përmirësoni gjendjen nëse vije deri tek konfikti ose zbehja e marrëdhënieve mes juve dhe partnerit tuaj. Bërja publike krijon johonë negative që ajo pastaj të ju kthehet si bumerang dhe natyrisht do krijohen më pak mundësi që të arrihet zgjidha e problemit. Në shumtën e rasteve ai që e bënë publike këtë gjendje sikur kërkon në fakt të viktimizohet për të kërkuar pastaj përkrahës për fatin e pësuar.

Situata financiare

Edhe këtu është e rëndësishme të ruani diskrecionin lidhur me situatën financiare. Edhe nëse gjendja juaj financiare është e mirë, bërja publike e informacioneve lidhur me të mund të shkaktojë tek të afërmit dhe natyrisht te rrethi një xhelozi e cila është një ndjejnë natyrore tek njerëzit, por mund të jetë shumë e rrezikshme dhe mund t´ ju dëmtojë marrëdhëniet mes jush, sepse ata në saje të këtyre informacione do ju „duan“ më shumë, natyrisht do ju kërkojnë ndihmën tuaj, do të kërkojnë përkrahje në çështje materiale dhe në të kundërtën nëse keni vështirësi financiare, bërja publik lidhur me këtë gjendje mund të ju rrezikojë dukshëm duke krijuar rreth jush paragjykime sociale. Kështu, të tjerët do fillojnë të ju vlerësojnë duke u bazuar në gjendjen tuaj finaciare dhe gjendjen e kontos dhe jo të ju vlerësojnë si njeri të njerëzishëm pavarësisht gjendjes tuaj financiare. Prandaj, nuk thuhet pa shkas se dija është fuqi, se dija është pushtet dhe autoritet. Dhe, çdo bërje publike e kësaj gjendje do ju zvogëlojë dhe do ju dëmtojë reputacionin tuaj dhe kjo do të pamundësojë juve që t´i zgjidhni problemet e tilla në mënyrë të pavarur.

Mos tregoni se jeni i dëshpruar!

Është e rëndësishme të ruhet paqja e brendhsme dhe të mos bini në dëshprim, qoftë edhe në momentet e vështira. Dëshprimi rrezaton energji të tilla sa që të gjithë njerëzit mund ta kuptojnë, ta ndiejnë këtë tek ju. Kjo energji mund të ju mbyll të gjitha dyrët e suksesit dhe ju pamundësojë shanse të reja në jetën tuaj dhe do të ju bëje të dyshoni në personalitetin dhe potencialin tuaj krijues/politik ose në sfera tjera. Gjithashtu edhe të tjerët do të ju shohin si ngarkesë sociale dhe jo si një partner, mik, koleg të barabartë. Dhe, ndodh që shumë njerëz, kur ta kuptojnë këtë, do preferojnë që të tërhiqen nga ju, pra, kur e kuptojnë dëshprimin tuaj, do kenë bindjen se gjendja është komplekse dhe se nuk ka shans që të zgjidhet, prandaj do largohen nga ju. Dëshprimi mund të ju bëjë të vendosni shumë shpejtë për një gjë, si p.sh., marrje e një vendimi të gabuar. Dëshprimi shkakton frikësim dhe depresion dhe mos bërja publike ju jep juve mundësi të veproni efektshëm për të kërkuar ndihmë profesionale ose vetvetiu të merrni inciativë për ta zgjedhur problemin e caktuar. Rrugëdalja është rezilienca efektive- mbajtja e diskrecionit e cila do ju ndihmojë që të fitoni qetësinë, të rrisni vetëbesimin tuaj dhe të kërkoni zgjidhjen e problemit. Edhe pse dëshprimi është një mani njerëzore, ju vazhdimisht duhet ta ruajni qetësinë, të krijoni përshtypjnë për ambientin se nuk jeni të dëshpruar dhe kështu do të ruhet imazhi edhe pse në brendi nuk e keni ketë harmoni, ju duhet të jepni një imazh të vetëbesimit dhe zotërimit të situatës dhe që të mos jepni atë fotografinë e zymtë të dëshprimit.

Disa nga leksionet lidhur me vetëvlerësimin, koncentrimin në të tashmen, reflektimin stoik

Kjo pikë referimi, ashtu si ajo më parë, ka shumë ngjajshmëri me një koncetrim ndoshta tjetërfare, sepse po jetojmë në jetën shumë dinamike, me shumë lajme dhe ngjarje nga të gjitha anët dhe, njeriu e ka të pamundur t´i përcjell të gjitha, ashtu siç nuk ka mundësi as ti komentojë ato. Duke lexuar dhe analizuar lidhur me këtë fenomen, filozofik, Mark Aurelit ka dhënë disa një përgjigje në dilemën time, parafrazuar nga vepra e tij e njohur, "Meditimet" ose vetëvështrimet. (Selbstbeobachtung). Ja disa prej tyre:

Kontrolloje mendjen tënde

Mark Aureliu theksonte se kontrolli i mendjes (mendimeve) është një sfidë thelbësore. Ai inkurajonte njerëzit të kontrollonin mendjen e tyre dhe emocionet për të arritur qetësi dhe paqe dhe, siç e shpjeguam, kur folëm lidhur me ruatjen e sekreteve.

Gjithashtu M. Aureli apelon; pranoni natyrën e përhershme të ndryshimit: sepse jeta është e ndryshueshme dhe duhet të pranoni natyrën e përhershme e ndryshimit. Përpiquni të kuptoni se gjërat do të ndryshojnë, dhe pranojini këtë fakt me qetësi.

Pika tjetër është Vetë-përmirësimi i parë si një qëllim i vazhdueshëm: Mark Aureliu besonte se zhvillimi personal dhe moral është një proces i vazhdueshëm. Nxitja e vetes për të bërë progres dhe për të përmirësuar veten është një detyrë e rëndësishme.

Nga mësimi i tij pason; keni vetëdije dhe përgjegjësi: përqëndrohuni në kuptimin e detyrave dhe përgjegjësive si udhëheqës i një perandorie të madhe. Këtë mësim aplikoni gjithashtu në jetën tuaj të përditshme, duke inkurajuar përgjegjësinë ndaj detyrave tuaja.

Vetëkontrolli dhe mençuria janë gjithashtu të rëndësishme: Perandori romak M. Aureli kujton se në momente të sfiduese duhet të kontrolloni emocionet dhe të veproni me mençuri. Nxitja e vetes për të mos u zhytur në pasione të tepërta është një mësim i rëndësishëm.

Vetëdija e mënyrës se si të reagoni ndaj ngjarjeve tregon se ju duhet të keni kontroll mbi mënyrën se si reagoni ndaj ngjarjeve, edhe nëse nuk keni kontroll mbi vetë ngjarjet. Në qoftë se reagimi i juaj është i mençur dhe i qëndrueshëm, ju mund të shmangin stresin dhe ankthin e tepërt.

E për të arritur këtë, Aureli e kushtëzon këtë me faktin se duhet të keni qetësi të brendshme dhe paqe të jashtme. Ai thekësonte se kjo do të arrihej përmes kontrollit të mendjes dhe sjelljes personale, duke patur respekt ndaj natyrës dhe bashkëjetesës janë vlerat e respektit ndaj natyrës dhe harmonisë në shoqëri. Ai shprehte domosdoshmërinë për të ruajtur harmoninë dhe respektin ndaj natyrës.

Kujdes nga vlerësimi i njëanshëm ose paragjykues!

E para, nuk duhet të nguteni të japni vlerësime kuturu. Ju, shpesh, mund të jeni të prirur të vlerësoni gjërat, duke u bazuar në emocionet tuaja. Andaj duhet pyetur vehten; pse ndiheni kështu a ka diçka faktike- reale apo kjo gjendje është vetëm një ndjenjë e juaj emocionale- e njëanshme, një vlerësim kuturu. Hape horizontin tënd!

Duhet të jesh gati të akceptosh disa perspektiva të ngjarjes. Të jesh i hapur me disa perspektiva, sepse çështja mund të mos ketë të bëjë me ju, duhet të mirëkuptoni rrethanat që nuk kanë të bëjnë me ju, prandaj mbajë distancë nga ato, fokusohu në kohën e tanishme. Nuk duhet të qani kokën shumë për të kaluarën ose të krijoni iluzione se si do të ishte kjo gjendje në një kohë tjetër, sepse duke u marrë me këto ju harroni të tashmen, pra, të mos harroni ta jetoni jetën tuaj. Prandaj vetëm momenti i tanishëm është i rëndësishëm që të keni kontrollin total mbi të.

Të kaluarën nuk mund ta ndryshoni, por mund të mësoni nga ajo dhe të ecni tutje. Nuk ju duhet të bieni në histeri dhe melankolie, sepse nuk mund t´i ndryshoni më këto momente, por që duhet t´i shfrytëzoni si urë kaluese për të arritur suksese të reja, të ecini tutje. E njëjta vlen edhe për ata që harxhojnë shumë kohë duke menduar për të ardhmen, se si do bëhet? Kjo bluarje në tru, ju rrëmben qetësinë dhe shumë energji e cila do ju mungojë në betejat e reja, do ju bënë të lodhur dhe të dobët. Nëse koncentroheni në kohën e tanishme mund të arrini të ndërtoni të ardhmen se sa të harxhoni kohë duke menduar për të.

Koncentrimi në të tashmen sjell shumë dobi dhe energji, ju jep mundësi të koncentroheni në punët tuaja për të arritur suksesin e merituar.

Akceptoje se shumë gjëra nuk mund t´i kontrollosh, sepse ka edhe gjëra të pakontrolluara.

Shumë gjëra që nuk kanë të bëjnë me ju, nuk mund t´kontrolloni dhe nëse mundoheni, sepse do humbisni shumë energji për t´i zgjidhur por nuk do të mundeni. Jeta ka shumë të papritura, koha, veprimet e njerëzve të tjerë, zhvillimet globale etj. Nëse mundoheni të investoni në to energi mentale do të dilni humbës, sepse nuk do ja dilni. Kur ta kuptoni se shumë gjëra janë jashta kontrollit tuaj mbi të cilat nuk do mund të keni ndikim, do jetë vonë. Prandaj është më mirë të investoni energji në të tanishmen. Çdo pengesë që ju paraqitet, p.sh; koha me shi e cila do ju prishë planin e parashikuar për një piknik, duhet ta merrni me qetësi. Ndoshta është pikërisht një rast i tillë për të ushtruar aktivitete tjera indour, të cilat nuk do i kishit bërë sikur të mos dështonte planin të cilin e kishit planifikuar. Pra, duhet ta shëndërroni të pakontrolluarën në një mundësi dhe kur i kuptoni rrethanat që janë jashta ndikimit tuaj, ju atëherë bëni veprime racionale duke investuar tërë energjinë në faktorët mbi të cilët ju keni kontroll dhe duke i lën anash ata faktorë mbi të cilët ju nuk mund të ndikoni.

Dhe së fundi, dy fjalë për reflektimin. M. Aureli sugjeron; nuk duhet vetëm t´i numërojni problemet, por edhe t´i kuptoni se pse kanë ndodhur ato. Por as nuk duhet ta dënoni vetveten për gabimet, por të mësoni prej tyre që ti dini cilat janë sukseset e arritura dhe për t´i festuar ato? Reflektim do të thotë të konkludoni se kush jeni ju dhe dhe kush dëshironi të jeni?

Këto që trajtuam ishin vetëm disa nga leksionet që t´i shfrytëzoni nga filozofia dhe veprat e Markut Aureliu. Ato vazhdojnë të jenë aktuale edhe sot dhe mund të jenë frymëzim për të ndjekur një jetë më të mençur dhe të qetë në jetën moderne konfliktuese dhe të dinamizuar tejmase.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat