Pse nuk “atdhesohen” 41 mijë fjalë shqipe të palcës shqiptare në fjalorët e akademisë shqiptare ?!

Kultura

Pse nuk “atdhesohen” 41 mijë fjalë shqipe të palcës shqiptare në fjalorët e akademisë shqiptare ?!

Sami Mulaj Nga Sami Mulaj Më 1 shkurt 2024 Në ora: 10:17
Autori Sami Mulaj

Janë 41 mijë e më shumë fjalë shqipe më pak, të thesarit tonë të shtrenjtë, të gjuhës shqipe në fjalorët e gjuhës të akademisë shqiptare, hartuar e botuar në Tiranë prej më se 70 vjetësh.

Prej 18 vitesh i ka sjellë tek lexuesit, studiuesit e krijuesit me librin voluminoz prej 1664 faqesh, studiuesi pasionant i gjuhës, shkrimtari i njohur Mehmet Elezi, e tani pasojë e kërkesës mbarë shqiptare sapo bën ribotimin e pestë të radhës.

Janë 41 mijë fjalë shqipe, që Ai i ka nxjerrë, me një punë titanike prej veprash të autorëve emër Mëdhenj shqiptar Fishta, Mjeda, Koliqi, Konica, Camaj e Kadare që i mungojnë shkollës shqiptare, bibliotekave e librarive anë e kënd botës shqiptare..

Janë 41 mijë fjalë shqipe, ardhë prej veprave Madhore shqiptare si Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut, Eposi i Kreshnikëve, Visaret e Kombit etj që ju mungojnë shqiptarëve prej më se pesëdhjetë vjetësh e tani që janë nxjerrë në dritë si thesare, shkenca zyrtare e politike i mënjanon ftohtësisht si prurje e panevojshme pa i vlerësuar e rehabilituar në fjalorët e Akademisë.

Janë 41 mijë fjalë shqipe, që janë sjellë prej gojës, zemrës, e shpirtit të shqiptarëve, në shtrirje, në treva shumë të mëdha që janë mbarë prej krejt trevave verioreve të Shqipërisë, të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, prej Maqedonisë, Luginës së Preshevës e Malit të Zi dhe prej mbarë hapësirave shqiptare e ato nuk mund të jenë kurrë e kurrsesi fjalë krahinore (?!) që i lë jashtë fjalorëve armata aktiviste politike e “shkencëtareve “që paguhen nga taksat e shqiptarëve për mbrojtjen e pasurimin e gjuhës tonë shqipe.

Janë 41 mijë fjalë të palcës shpirtërore shqiptare e që trembin akademikët ( demek akademikët shqiptarë ) për t’ju bë strehë në fjalorin shqiptar….?!

Deri kur ?!

Dhe pse prej 18 vjetësh instituti i gjuhës e akademia shqiptare bën shurdhin e i shmanget kësaj prurje gjigande në shërbim të mbrojtjes e mbijetesës së gjuhës shqipe.

Është koha që mendimi shoqëror e politik shqiptar të ndërgjegjësohet e veproj me ngut…se çkombëtarizimi bëhet më lehtë me shkatërrimin e gjuhës duke plagosur e dhunuar përmes saj shpirtin e kulturën e popullit.

Marrja e Grabitja e Atdheut kurrë nuk bëhet për një ditë, por përditë duke prekë e dëmtuar themelet e tij, e sidomos duke shkatërruar gjuhën e popullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat