Guri i Caranit të tim ati

Kultura

Guri i Caranit të tim ati

Nga: Ndue Dedaj Më: 15 mars 2024 Në ora: 11:47
Ndue Dedaj

Po e them që në krye të herës, mua do të më kishte pëlqyer të lexoja jetë njerëzish, as të shquar e as të pashquar, jo se disa të paktë njerëz mbi këtë tokë nuk kanë bërë vepra të mëdha në dobi të njerëzimit, për çka duhen përmendur gjithmonë e jetës, por, ngaqë në “shëmbëllim” të tyre, janë të pafundëm njerëzit që nuk kanë bërë asgjë të shquar, por zotërojnë mrekullisht “artin” e të shtirurit si njerëz të mëdhenj. E kur qëllon që ata janë udhëheqës, atëherë për famën e tyre punon një mori nëpunësish zyrtarë dhe mjetesh informacioni, deri tek i fundit, Tik - Toku, në shumëfishim të zërit, figurës dhe emrit të tyre të zakonshëm. Prandaj, në shenjë mospranimi të kësaj kategorisë, që nuk u ka shkuar prapa historia, por janë përpjekur ata vetë ta tërheqin pas tyre historinë si mushkën, kam vendosur të shkruaj enciklopedinë e njerëzve të pashquar, me lejen dhe në nderin e tyre, kuptohet në kundërshti të plotë me shkruesit “normativë” të librave për të shquarit e pashquar, siç po ndodh me të gjithë drejtorucët dhe kryetarucët e djeshëm të provincës, një pjesë e të cilëve “punëtorë partie” të devotshëm dhe servilë të përbetuar të shefave më të lartë.

I pari në këtë enciklopedinë e njerëzve të thjeshtë është im atë, Marku, jeta e të cilit, sipas kërkesave standard të CV të sotme zyrtare nuk shënon asgjë të veçantë, kishte lindur më 1923 te Rrasa e Zezë dhe dinte vetëm shkrim e këndim, pa shkuar dhe një ditë të vetme në shkollë, por që pasi kishte vetëmundur analfabetizmin, shkruante ngapak kur i nevojitej (nuk vinte gisht në letër si gjyshi) dhe lexonte libra e gazeta. I binte çiftelisë për qejf ndonjëherë mbrëmjeve në shtëpi, por pa ndonjë talent, dhe vetëm nëse nuk ishte dikush tjetër që ia thoshte, ai mund të këndonte në sofrën e burrave në dasma sa për të kaluar rendin.

Pas Luftës kishte kryer ushtrinë në Himarë dhe vise të tjera të Bregut për tre vjet, veshur me unformën ushtarake të rreshterit apo kapterit, që i shkonte; kishte qenë deri në Shkodër e Tiranë, e mundet, kur ishte i ri, pa u mbyllur kufijtë, dhe kah Kosova. Mbetur jetim 13 vjeç më 1936, nga i ati Deda, që kishte qenë ndërtues kullash në Dheun e Dibrrit - Mirditë, i kishte rënë barra të “mbartte” shtëpinë nga Rrasa e Zezë në Qafë-Vorrëz, pasi atje në breg të Lumagjinit, kulla trekatshe në kodër ishte “zhytur” në tokë, çka zor të ketë ndodhur tjetërkund. Këtu, pra, qendron dhe merita e tij, që mund të quhet vepra e pashkruar, si krejt punët atërore të pashkruara të kësaj bote, që kanë mbajtur gjallë shtëpinë e tyre me votrën ndezur e tymin lart. Se nuk ishte fjala vetëm për t’i dalë çatisë në krye me tjegullat, por shtëpia ishte në radhë të parë bashtina, gjaja e gjallë, mulliri, pazari, dalja në katund e bajrak, ekzistenca e mbijetesa. E gjitha kjo mund të përmblidhej me togfjalëshin: Guri i Caranit. Apo plang e shtëpi. Nëse do të guxonim në rrafshin etnologjik, me termat e sotëm, shtëpia ishte institucion, që kishte kreun e saj, të zotin e shtëpisë, emri i të cilit gdhendej në portën e saj dhe po atij i thirrej në emër në oborr nga të njohur e të panjohur: “O Marka Deda:” O i Zoti i Shpisë!”

Në kushtet që u ndodh im atë, pas shembjes “apokaliptike” të Kullës, i ra që gjithçka shtëpijare të ngrihej nga hiçi. Hapi me krahët e tij krej tokat e reja në vendngulimin e ri, Livadhi i Karricës, blerë nga gjyshi, për ta bërë atë prodhues e të jetueshëm. Shkuli aq shumë rrënjë lisash për të mbjellë misër e hardhi, sa vetëm traktori mund t’ia kishte dalë. E, pra, nuk ishte me ndonjë shtat të bëshëm Herkuli, por krejt i hajthëm, thua se era mund ta shtynte tutje. Ndryshe kishte qenë nga shtati i bëshëm dhe temperamenti vetmitar Nika i novelës “Pishtarët e natës” të Martin Camajt, i lidhur ngusht me tokën e tij dhe ai, por si njëri, si tjetri, nuk ia gjenin kurrë fundin rropatjes së përjetshme me bashtinën, për t’i bërë pjellore malet, ashtu si dhe fushat, që nuk bëheshin dot të tilla me parullat e Partisë, por mbeteshin rrakuke pa krahët e tyre të fortë.

Shkonim shpesh bashkë me tim Atë te Vija e Madhe, nëpër korijet e lisave të bungës e shpardhit, që e kishte rezën në krye të Lumagjinit, nja tre mijë metra larg shtëpisë. I binim mbrapa ujit, pasi vija herë thyhej tek shembja (që ishte një shkrrelë e frikshme, që po të të rrëshqiste këmba përfundoje humnerës në përrua), apo në nja dy përroska të vogla, herë se vija mbushej me gjeshkë e ujët derdhej anash. Dimrit vija thuajse nuk sillte ujë, kurse në pranverë mblidheshim gjithë burrat e lagjes dhe e hapnim atë për ta bërë gati për stinën e verës. Thuhej se Vija e Madhe që hapur me pagesë nga disa ushtarë italianë , që ishin gjendur atypari, gjatë Luftës së Parë Botërore. E vetmja vepër arti e saj mund të quhet Laku i Pré, nëpër të cilin kalonte uji nga njëra anë e një kodërze në tjetrën. Nuk dihet nëse mes atyre ushtarëve kishte ndonjë teknik apo inxhinier, megjithatë vija si objekt ujësjellës i vështirë e dëshmonte përvojën italiane.

Me tim atë shkonim dhe tek dy mullinjtë e shtëpisë sonë të vjetër te Rrasa e Zezë, “Mullini i Madh” e Mullini i Vogël” ku bluanin kallamoqin banorë nga Shëngjergji, Kalori e Bukmira. Flisnim për gjëra të përditshme, të moralshme, sa i përket famijes, shoqnisë së fshatit dhe miqve të shtëpisë, shkollimit etj. Ajo ishte bota jonë asokohe, në fëmijërinë time. Pataj erdhën sondat, gjeologjia dhe miniera me punëtorinë e saj, rruga - ura, sektori pyjor etj. Deri në vitin 1973 ishte gjallë dhe gjyshja flokëbardhë Dilë, e cila herë më dukej se kishte dalë nga bota e miteve dhe legjendave, herë nga kronika e luftërave për Pavarësi, që i kishte ngulur topat te “Boka e Dryshkut” e gjuante armikun. Si çdo Nënë e Bir, ata të dy plotësonin njëri - tjetrin për bukuri. Në familjen tonë, kurrë nuk u mor nëpër gojë askush, prandaj ne fëmijët, falë edukatës që kishim marrë nga të mëdhenjtë, nuk dinim asgje të keqe për askënd që na rrethonte.

Im atë ishte njerëzor, i buzëqeshur, bujar, kurrë s’e pata dëgjuar të thoshte “unë”. Bile ky ka qenë një stil i burrave të maleve, që thëniet e mençura të tyre i vinin në gojën e dikujt tjetër, bie fjala, “siç ka pas thënë një plak andej kah Oroshi a Kashnjeti”, prandaj dhe fjala e tyre e peshuar zinte vend. Me fjalë të tjera, im atë nuk ishte një burrë i kombit, bile as i Krahinës, në kuptimin e parisë së vendit, ai nuk e pati ndonjëherë as vulën e katundit. Kooperativa ia prishi oazin që kishte krijuar për njëzet vjet me krahët e tij, refuzoi fillimisht të hynte në bashkësinë fshatare me këtë emër, por pas njëfarë presioni politik u fut. Në gjeologji e minierë ku punoi më vonë e hidhte ndonjë gotë fernet me shokët, por nuk e tepronte. I donte njerëzit dhe përpiqej të bënte për ta sa mundej. Nuk fliste kurrë keq për askënd dhe mbi të gjitha nuk urrente. Nuk kishte armiq, kishte vetëm miq.

Di të them që im Atë ishte i rëndësishëm për ne si familje, si një zot shtëpie model, që ringriti shtëpinë tonë nga “hiri”, me zdatk e mure, pemë të llojllojshme, kopshtnaje - përfshi dhe kopshtin e duhanit, ara me gjërize, gjë të gjallë, koshere bletësh, dhe mbi të gjitha se ishte njeri!

Nuk ka një fjalë, më të madhërishme, më të bukur, më të shquar se ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat