“Për Lëvizjen kam dhënë sa herë që më është kërkuar”

Kultura

“Për Lëvizjen kam dhënë sa herë që më është kërkuar”

Nga: Mr. Skënder R. Hoxha Më: 18 gusht 2016 Në ora: 00:00
Autori i këtij shkrimi gjatë bisedës me veprimtarin Adem Qerreti

(Portret i një bytyçasi kontributdhënës)   

       Kishim dëgjuar edhe më herët se bytyçasi Adem Qerreti (1938) nga fshati Kryshec i Lugut të Baranit, komuna e Pejës është ndër veprimtarët e shquar të kauzës sonë kombëtare që kanë vepruar jashtë atdheut.

    Nga kureshtja që të njihemi më mirë me të bëmat e tij, më 8 gusht të këtij viti, në orët e pasditës, sapo ishte thyer vapa dhe dielli kishte marrë rrugën e tij kah perëndimi, e takojmë xha Ademin në lokalin e të vëllait, Rexhepit, në Lagjen e Qerretëve, në Kryshec.

Kur i tregova se do të shkruaj për veprimtarinë tënde të dikurshme, për gazetën “Bota sot”, pa hezituar filloi të shpalosë kujtimet për aktivitetin e tij të larmishëm në Lëvizjen për  kauzën tonë kombëtare gjatë decenieve të fundit të shekullit të XX-të. Për ato që kishte bërë ky bytyças, me modesti dhe me një krenari të matur, rrëfen: “Jam i lindur në vitin 1938. Në vitin 1970 kam shkuar dhe jam punësuar në Gjermani. Vazhdimisht kam qenë i kyçur në aktivitete të Lëvizjes në Diasporë. Kam marrë pjesë në çdo protestë, në Minhen të Gjermanisë, pastaj në Hausburg, ku isha edhe organizator e udhëheqës i shumë aktiviteteve pë çështjen tonë kombëtare. I organizonim shqiptarët, e besa edhe boshnjakët, e kemi marrë pjesë në protestë të mbajtura gjatë viteve 1989, 1990, 1997, etj.

    Në atë kohë, parulla ime ka qenë: “Kontribuo për UÇK-në!”. Në fillim, aktivitetin tonë e kemi mbajtur si fshehtësi, e më vonë edhe haptas. 

Më kujtohet kur, në vitin 1998, i kemi tubuar 125.000 marka gjermane, për t’i dhënë krah rrugës sonë të shenjtë drejt lirisë. Për këtë kontribut tonin e kemi thirrur dhe e kemi njoftuar Sali Çekajn. Salihi e ka çuar Isa Mustafën, i cili i ka marrë ato mjete financiare.

     Unë, edhe personalisht kam kontribuar. Sa herë që më është kërkuar për Lëvizjen, kam dhënë nga 300 – 500 DM”, thotë në fund të rrëfimit të tij Adem  Qerreti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat