Rukie Rama, personazhi i gjallë i romanit “Nata me hënë” i Kadaresë

Kultura

Rukie Rama, personazhi i gjallë i romanit “Nata me hënë” i Kadaresë

Nga: Gjon Neçaj Më: 24 gusht 2016 Në ora: 00:07
Rukie Rama

Rukie Rama , protagonistja e një prej historive më të bujshme në kohën e diktaturës, vajza e bukur nga Bytyçi i Tropojës , sfidoi Sigurimin e Shtetit në vitet 1970, duke i hedhur poshtë gënjeshtrat dhe mori pafajësinë, pas shumë viteve  e burgosur. Ajo është shëmbëlltyra e femrës malësore, nga e cila duhet të reflektojë ende sot femra shqiptare, e cila është në shënjestër të përbuzjes dhe tragjizmave.

A jeni ju Mariana e veprës së Kadaresë, “Natë me hënë”?

Kadareja u mbështet në historinë time jetësore,te një një mësuesese e re nga Tropoja, çikë Bytyçit, që më akuzonin si “imorale” e që më pas u detyrova të bëj me këmbëngule ekspertizën mjeko-ligjore për të vërtetuar se isha e virgjër. Një vajzë e re malësore si unë,ishte e vështirë t’i bëja sfidë një operativi të sigurimit, mik i ish-ministrit Feçorr Shehu.

Po si ndodhi kështu me jetën tuaj?

Isha drejtoreshë shkolle në një nga fshatrat më kufitar të Shqipërisë, kur operativi i sigurimit më gjurmonte, por unë nuk e përfilla asnjëherë. Kaq u desh që mbi mua të binin breshëri akuzash. Më akuzuan si agjente, e madje operativi dëshmoi se unë i isha rrëfyer atij, teksa pretendonte të më kishte të dashur. Por nga unë ky turp nuk mund të mbahej. Kërkova me insistim të më bënin ekspertizën mjekësore. Sot, kur e kujtoj atë kohë, më vjen të qesh me veten. Kisha lexuar shumë, por për këtë punë nuk dija kurrgjë. Ekspertiza më dha të drejtë. Unë isha e virgjër.

Si e mësoi Kadare historinë tuaj?

Kur u arrestova më sekuestruan të gjithë librat dhe ditarët që kisha mbajtur qysh në shkollën pedagogjike në Shkodër. Kadare kishte kërkuar ditarët e mi për të shkruar “Natë me hënë” pa mundur t’i gjejë. Ato ditarë, pas 36 vjetësh, i kërkova edhe edhe vetë. Thonë se e kanë gjetur njërin prej tyre. E pres të më vijë në dorë ajo fletore e vjetër ku kisha hedhur ditët e hetuesisë. Nga 25 vjet burg që më dënuan, unë bëra 7 vjet, të cilët i kalova në Bajram Curri, Kuçovë, e Kosovë të Elbasanit. Pas 36 vitesh, kam shkelë për herë të parë në qelinë ku bëri ditët e paraburgimit në burgun e Bajram Currit. Në qelinë nr. 7 pas 36 vjetësh, buzët më dridheshin, lotët i rrjedhin çurg faqeve, tashme 70 vjeçare. E unë për disa moment kujtova veten time 25 vjeçare, duke ngrysur ditët në atë qeli, e vetme kundër tërë botës e me një të vërtetë që nuk pranon ta dëgjojë kush.

Si i kujton ato vite që të morën rininë dhe lirinë?

Kur rikthehem pas në kohë, në vitet e burgut, burg i bërë për shkak të dashurisë së egër e të paplotësuar të një njeriu me pushtet, rikujtoj edhe bashkëvuajtëset në burgun politik të Kuçovës, ndër të tjera edhe 13 gra ruse. Më kujtohen se si provokatorët i fusnin në dhomë dhe episode që nuk i shqit dot nga mendja. Nuk mundem të shpjegohem më gjatë…

Tani jetoni në Belgjikë dhe vazhdoni të jeni ende aktive?

Unë jetoj prej vitesh në Bruksel dhe u jep mësim fëmijëve të emigrantëve shqiptarë. Jam shumë krenare dhe e lumtur, tepër aktive, e merrem me organizimin e aktiviteteve të ndryshme për kulturën shqiptare, shkruaj publicistikë, por asnjë herë nuk e harroj të kaluarën, rininë e mohuar dhe të lidhur nyje, si ky bistek flokësh në kokën time.

Ç’ka u ka mbetur në mendje diçka e veçantë nga rinia juaj?

Jeta ime është e ndarë në dysh. Koha e parë është e lumtur, me adoleshencën, mbarimin e shkollës pedagogjike, punën si drejtoreshë shkolle, e më pas vullnetarizmin ku isha komandante në aksionin e rinisë Rrogozhinë-Fier në qershor-korrik 1967 të 108 çikave të Nikaj Mërturit, porositë që më jepnin prindërit për t’u bërë dikushi në jetë, e menjëherë më pas, koha e dytë, e zymtë, e vranët, burgu, operativi, dëshmitarët e rremë.

Në burg, ish-nxënësit më shkruanin vazhdimisht. Ata i sfiduan sigurimsat, duke më postuar letra nga qytete të ndryshme të vendit. I shkruanin me një mënyrë të padeshifrueshme, duke përdorur rregullin e treshit, që unë ua kisha mësuar dikur.

E këto janë disa nga vizionet e mia të mbetura në memorien e pashlyer të historisë sime. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat