Regjisori Kujtim Gjonaj merr titullin “Qytetar Nderi i Tepelenës”

Kultura

Regjisori Kujtim Gjonaj merr titullin “Qytetar Nderi i Tepelenës”

Nga: Albert Z. ZHOLI Më: 27 shtator 2016 Në ora: 20:13
Kujtim Gjonaj

Ditën e shtunë 24 shtator 2016 në qytetin e Tepelenës u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar nderi i Tepelenës”, regjisorit dhe skenaristit Kujtim Gjonaj. Në këtë ceremoni të organizuar në mënyrë tëpërsosur nga Bashkia e Tepelenës dhe Shoqata “Labëria” dega Tepelenë, merrnin pjesë, Kryetari i Bashkisë Tepelenë, z. Tërmet Peçi, deputeti i PS, z. Dashamir Kamberi, deputeti i PDIU, z. Tahir Muhedini, regjisori dhe skenaristi i talentuar Petrit Ruka, shkrimtari dhe skenaristi Enver Kushi, z. Dorian Koçi, analisti Mentor Nazarko, kineasti Skënder Jaçe, miq, të afërm si dhe shumë qytetarë tepelenas. Mes të ftuarve duhet përmendur dhe grupi i Bënçës, i kryesuar nga “Mjeshtri i Madh”, Golik Jaupi. Para fillimit të aktivitetit qytetarët e Tepelenës zhvilluan biseda miqësore me regjisorin Gjonaj si dhe bënin pyetje të ndryshme rreth krijimtarisë së tij. Ajo që bëri përshtypje është se salla e pallatit të Kulturës së Tepelenës ishte mbushur plot. Qytetarët e këtij qyteti janë vërtet të dashuruar me artin dhe kulturën. Aktivitete e kësaj natyre janë në qendër të vëmendjes së bashkisë Tepelenë dhe Kryetarit të saj artdashës z. Tërmet Peçi.

Regjisori, Petrit Ruka

Fjalën e hapjes së këtij aktiviteti e mori regjisori dhe poeti, Petrit Ruka (mik i Kujtimit, i cili ka punuar vite të tëra në Kinostudio bashkë) i cili mes të tjerave tha:

Të flasësh për filmin dokumentar shqiptar, pa përmendur Kujtim Gjonaj si një nga regjisorët më të shquar të tij është një gjë gati e pamundur, sepse është një gur i rëndë në historinë e kësaj gjinie filmike. Të del përpara gjithandej në tërë shtrirjen e tij; me numurin e jashtëzakonshëm të tyre, me tematikën e gjithanshme, me cilësinë e tyre, me çmimet që kanë marrë, me emocionet që ata të kanë shkaktuar kur i ke parë, me mjeshtërinë e fituar qysh herët. Kujtimi ka patur fatin e madh e përkëdhelës të jetë një nga kronikanët e mëdhenj të historisë së këtij vendi që vjen përmes pelikulës, kësaj materie me një rëndësi të jashtëzakonshme për memorien e një vendi. I emëruar fill pas studimeve universitare drejt e në këtë punë kaq të bukur, ai pati mundësinë fatlume që për më shumë se dyzet vjet të gjendet në një nga misionet më jetike të artit, atë të shkrimit të shpirtit të një kombi me njërin prej arteve më sundues të shekullit. Atij dhe një grushti shumë të vogël njerëzish, u ra për pjesë të arkivojnë ngjarje të mëdha kombëtare, historinë dhe personazhet më të rëndësishëm të këtij vendi. Por ajo nuk mund të bëhej dot pa pasionin dhe dashurinë për artin, një dashuri që nuk mësohet dot, por është e lindur tek njerëz si Kujtimi dhe që falë saj ia dolën të krijojnë vepra që tashmë janë vetë historia e ekranizuar e këtij vendi. Kujtim Gjonaj është një nga më të shquarit e njerëzve të këtij filmi të dashur falë një talenti që erdhi gjithmonë duke u pjekur e rritur, përmes një pasioni që nuk e la kurrë deri në ditët e sotme.

Si njeri prej kineastëve që kam bashkëpunuar me të, kam bindjen e patundur se ai arriti deri këtu falë një dashurie të vërtetë për figurën dhe fjalën e bukur shqipe, falë besimit se ky ishte një mision jete dhe jo thjesht një punë. Duke punuar së bashku në disa filma dokumentarë, ku unë kam qenë skenaristi i tij, kam ndjerë nga afër përkushtimin e kësaj dashurie, elegancën me të cilin krijonte frymën kolektive të grupit realizues të filmit, thjeshtësinë e një komunikimi prej shoku dhe miku të mirë e të dashur. Nuk ndodhte kështu vetëm me mua për hir të faktit që vinim prej të njëjtës erërave që na frynin në shpirt, Tepelenës sonë të dashur, por me të gjithë njerëzit me të cilët krijonte. Sytë e tij të qeshur e të mençur që kishin gjithmonë diçka prej Vjose, jepnin dritë dhe mirësi tek të gjithë e siç dihet, ajo dritë zbriste tek filmat që ai ngjizte njeri pas tjetrit në krijimtarinë e tij kaq të begatshme.

Deputeti i PS, z. Dashamir Kamberi

Sot është një ditë e shënuar për qytetin tonë, pasi nderohet një nga ikonat e regjisurës shqiptare, z. Kujtim Gjonaj. Ky tepelenas është larguar që në lëmini nga qyteti i tij i lindjes, por ai si shkëputi lidhjet kurrë prej tij. Kur vlerësohet arti, kultura, figura të tilla lartësohet edhe emër I qytetit tonë. Njerëz si Kujtimi i lartësojnë emrin e qytetit tonë. Nga ana tjetër vlerësoi lart dhe punën e Bashkisë dhe kryetarit z. Tërmet, që di të vlerësojë figurat e krahinës dhe di të jetë sa më afër artistëve dhe kulturës tepelenase.

Deputeti i PDIU, Z. Tahir Muhedini

Ndihem i vlerësuar sot që ndodhem mes miqve të mi tepelenas. Ky qytet ka histori të madhe, pasi nga kjo trevë kanë dalë patriotë dhe atdhetarë që kanë dhënë jetën për lirinë e Shqipërisë. Tepelenën dhe Çamërinë i kanë lidhur luftërat kundër shovinistëve grekë. Nuk janë të pakta rastet ku këto dy treva i kanë ardhur në ndihmë njëra tjetrës për t’u bërë ballë bandave greke që donin copëtimin e Shqipërisë. Me Kujtim Gjonajn më kanë lidhur filmat e tij për Çamërinë. Ai në disa filma për Çamërinë martire ka derdhur talentin e tij sikur të ishte çam, pasi aq shumë ka punuar për të njohur, traditat, zakonet dhe historinë e Çamërisë. Ai ka lexuar shumë për patriotët çamë, ndaj dhe filmat e tij janë vlerësuar maksimalisht nga komuniteti martir çam.

Enver Kushi, skenarist

Me Kujtimin kam vite të tëra pune. Jam njohur me të që kur punonim në Kinostudio. Ai mbetet një regjisor vizionar, plot talent dhe këmbëngulës. Unë kam qenë skenarist i disa filmave që ka bërë ai për Çamërinë dhe komunitetin çam dhe kam parë dashurinë e madhe që ka treguar për këtë trevë. Kam parë studimin që i bënte ai figurave historike çame, përgjegjshmërinë në punë dhe zbërthimin e skenarit. Unë mund atë quaj atë pjesë të Çamërisë, pasi është regjisori shqiptar që ka realizuar më shumë filma dokumentarë për këtë trevë me histori të madhe.

Duke i dhënë titullin e lartë z. Kujtim Gjonaj, Kryetari i Bashkisë z. Tërmet Peçi theksoi:

 Është kënaqësi që jemi mbledhur këtu në nder të regjisorit të njohur Kujtim Gjonaj, për të kurorëzuar një punë mbi 50 e ca vjeçare në shërbim të kulturës dhe regjisurës shqiptare me një titull nderi. Jam i lumtur sepse vlerësohet një njeri, jo vetëm për karrierën e tij të gjatë, por dhe për vlerat e mëdha njerëzore që ka emetuar gjatë jetës së tij. Tepelena është një nga qytetet më të veçantë shqiptarë. Është një qytet piktoresk, me bukuri të mahnitshme natyrore dhe mbi të gjitha me njerëz të jashtëzakonshëm që kanë ditur të bëjnë epokë, jo vetëm brenda krahinës, por dhe jashtë saj. Jam i nderuar që para meje dhe të gjithë juve është një njeri, që gjatë jetës së tij me talentin dhe frymën krijuese, ka ngritur një histori të tijën, ka ngritur historinë e heronjve më të mëdhenj shqiptarë, figurat që kanë skalitur memorien e kombit tonë. Shpeshherë kam dëgjuar për Kujtim Gjonaj dhe dokumentarët e tij. Si qytetar dhe kryetar bashkie jam ndjerë me të vërtet krenar për këtë figurë madhore të artit shqiptar. Ndaj me një kënaqësi të veçantë, për kontributet e larta në artin shqiptar i jap regjisorit Kujtim Gjonaj titullin “Qytetar nderi i Tepelenës” duke i uruar jetë të gjatë dhe vazhdimësi në krijimtari.

Zëri i Golik Jaupit

Pas dorëzimit të titullit, dhe falënderimit mes lotëve të regjisorit Kujtim Gjonaj (gjatë marrjes së titullit) atmosfera në pallatin e Kulturës Tepelenë u ndez, pasi zëri brilant i “Mjeshtrit të Madh”, Golik Jaupi dhe grupit të tij, kënduan disa këngë polifonike patriotike. Në fund ët takimit poeti Petrit Ruka dhe shkrimtari Albert Zholi, dhuruan disa libra nga krijimtaria e tyre në Bibliotekën e re të Bashkisë Tepelenë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat