Kafe dhe çaj, dy ditë në shesh

Kultura

Kafe dhe çaj, dy ditë në shesh

Më: 25 tetor 2016 Në ora: 12:51
Festivali i Kafesë dhe Çajit

Qytetarët e Prishtinës sot dhe nesër kafen dhe çajin e kanë falas.

Krejt kjo në saje të Festivalit të Kafesë dhe Çajit që për dy ditë do të jetë i hapur në sheshin “Zahir Pajaziti”.

E interesimi i qytetarëve për të shijuar llojet e ndryshme të kafes dhe të çajërave të ekspozuara në këtë festival ishte i madh.

Njëri nga ta, Liridon Misinit i bëri përshtypje çaji indian të cilin tha se e provon për herë të parë.

Ai tha se me anë të këtij  organizimi qytetarët njoftohen me cilësinë e produkteve e jo vetëm në mënyrë figurative siç bëhet herëve tjera.

Misini: Mundësi për cilësim të produkteve

 “ Ky lloj festivali është shumë i rëndësishëm për shkak se bëhet një promovim i produkteve që për qytetarët nuk janë fort të njohura, si për shembull ky lloj çaji indian që unë po e provoj tani, këtë nuk e kom njohur më herët edhe me erdh rasti. Është një përvojë shumë e mirë për ata vizitorë që vijnë këtu edhe shohin një festival të tillë... Nëse e kemi rastin si ky festival që t’i kemi produktet afër dhe ta provojmë atë produkt dhe të shohim çfarë vlere, çfarë cilësie  ka atëherë do të ishe shumë më e mirë se format e tjera”, tha Misini.

Është hera e dytë që në Kosovë organizohet Festivali i Kafesë dhe Çajit.

Organizatorja e këtij festivali, Hana Ukaj tha se kësaj radhe kanë organizuar një eveniment më të madh dhe me më shumë produkte të kafes dhe çajit se sa vitin e kaluar. Sipas saj kësaj radhe qytetarët janë më shumë të informuar për festivalin.

Ukaj: 70 përqind e produkteve të çajit dhe kafes janë  falas për qytetar

 “Edicioni i parë ka qenë por njerëzit nuk kanë qenë të informuar sa i përket festivalit vetëm çka kanë kaluar këndej pari, kësaj here kemi bërë një eveniment më të madh me më shumë produkte se vitin e kaluar...Janë 16 brende të kafes dhe çajit...Kemi DJ, ka me pas maskota të ndryshme dhe shumë surpriza.Risi tjetër është kanë me qenë baristat kosovarë,  të cilët prej orës 18:00 deri në orën 21:00 kanë me bërë kafe me animacione të ndryshme edhe 70 përqind e tyre kanë me qenë falas për qytetarë“, tha  Ukaj.

Në këtë festival janë të ekspozuara brendet e çajit si  ‘Emona Brand’, ‘Albred’, ‘Podravka’, ‘1001 Lule’, ‘Essi Tea’, ‘Loyds Tea’, etj, ndërsa nga brendet e kafes do të jenë: ‘Lavazza’, ‘Nescaffe’, ‘Barcaffe’, ‘Essi Caffe’, Mokate’,etj.

Të kënaqur me këtë lloj festivali janë edhe përfaqësuesit e firmave që ekspozojnë produket e tyre në Festival.

Hamit Bajraktari, menaxher i firmës “Essi Coffe” dhe “Essi Tea”, tha se me anë të këtij organizmi atyre iu krijohet mundësia e komunikimit direkt me konsumatorin final dhe sipas tij, ky festival  është  shumë i rëndësishëm sepse ata me këtë rast ata ofrohen direke me konsumator dhe  presin komentet kthyese të tyre  për kualitetin e produkteve.

Bajraktari: Përmes këtij festivali ne ofrohemi direkt me konsumatorin final

 “Në këtë panair  ne kemi menduar që të ofrojmë produkte tona si ‘Essi Coffe’ dhe ‘Essi Tea’, t’i ofrojmë me 20 deri në 30 përqind zbritje për konsumatorin. Po ashtu gjatë këtyre dy ditëve do të shpërndajmë çaj dhe kafe falas këtu në tendën tonë gjatë periudhës sa do të mbahet panairi për të gjithë konsumatorët që e vizitojnë tendën tonë... E kemi përkrah këtë panair prej ditës së parë, po ashtu, ka qenë e mirë edhe për neve sepse është komunikimi direkt me konsumatorin final. Na si firmë presim gjithë kohën të marrim informacione kthyese apo feedback prej konsumatorit për kualitetin tonë, për shijen e produkteve tona edhe gjithmonë pretendojmë të jemi në trend me kërkesat e konsumatorëve. Kjo është njëra nga mënyrat ku ne ofrohemi direkt me konsumatorin...Po shpresoj që kjo e mirë që i ka ndodhë Prishtinës të ndodhë edhe ne qytete tjera“ , tha Bajraktari.

Festivali i  Kafes dhe Çajit që është hapur sot do të vazhdojë deri nesër në Sheshin ‘’Zahir Pajaziti’’,  prej orës 10 e 30 deri në orën 21:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat