Si tempull i dijes, në afirmimin e librit dhe të kulturës shqiptare...

Kultura

Si tempull i dijes, në afirmimin e librit dhe të kulturës shqiptare...

Hasan Hasanramaj Nga Hasan Hasanramaj Më 28 nëntor 2016 Në ora: 10:43
P\amje nga holli i Bibliotekës Kombëtare, ku ishin të pranishmit e këtij kremtimi

Në sallën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë  në pranin e strukturave të Ministrive të Kosovës, te ambasadoreve të akredituar në Kosovë dhe të personaliteteve të tjera të kulturës, të arsimit, të shkencës, dhe të qytetareve të tjerë - solemnisht u kremtua 72- vjetori i themelimit të këtij institucioni të kulturës. Drejtori i këtij institucioni, Fazli Gajraku - duke folur për historikun, themelimin dhe zhvillimin dhe vështirësitë me të cilat është ballafaquar ky institucioni i kulturës në mes tjerash tha se jemi tubuar të gjithë ne këtu ta kujtojmë të kaluarën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës  dhe në të njëjtin moment ta shënojmë, e ta festojmë 72-vjetorin e këtij tempulli të dijes, të kulturës, të shkencës në vendit tonë, i cili ka rrënjë në mes jush. Ndryshe nga historitë e shumë bibliotekave të tjera, historia e Bibliotekës Kombëtare  në Prishtinë, filloi  veprimtarin  e saj të punës në muajin nëntor të vitit 1944, në Prizren, ku në këto momente të vështira nuk e ka pasur rrjedhje të qetë dhe të pa shkëputur të zhvillimit  normal që u duhet institucioneve të kësaj natyre dhe të këtij karakteri. Në shtator të vitit 1981 kjo Bibliotekë e njohur në atë kohë si Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës, e filloi  veprimtarinë e vet në objektin, ku ndodhemi sot, i cili, në aspektin arkitektonik, ka konstrukt dhe një stil të veçantë, ku spikasin elementi i gurit dhe i drurit, mbi to kupolat që, si ditën, ashtu edhe natën, i japin asaj pamje sa madhështore, aq edhe mbresëlënëse për vizitorët dhe kalimtaret e rastit.                         

Për shkak të rrethanave historike dhe politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova edhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës funksionin e saj e ka kryer nën trysninë e shtrëngatave  ideologjike dhe peshës së rëndë të shtypjes kombëtare, por me sukses si e tillë gjatë kësaj periudhe ka grumbullua, përpunua dhe ruajt  materialet bibliotekare me vlerë dokumentare për kulturën, artin dhe shkencën shqiptare.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është në mesin e bibliotekave më të mëdha në rajon dhe më gjerë

Kjo Bibliotekë tha Gajraku  me një fond prej rreth dy milionë njësish bibliotekare në mjediset që frekuentohet llogaritet një numër më shumë se njëqind mijë lexuesish të moshave dhe kategorive të ndryshme brenda një viti. Biblioteka Kombëtare e Kosovës sot është në mesin e bibliotekave më të mëdha dhe nga më seriozet në rajon dhe më gjerë. Për këto të arritura, është edhe ndihma e vazhdueshme e institucioneve të shteteve motra, individëve dhe të tjerëve. Shtetet mike nëpërmjet trupave të tyre diplomatike të akredituara në Kosovë kanë sjellë nga shtetet e tyre staf profesional për trajnimin e punonjësve tanë dhe shtimin e fondit të librave dhe të teknologjisë bashkëkohore për punë. Me këtë rast, për përkrahje të jashtëzakonshme, falënderohen Ambasadat e huaj në Kosovë. Andaj në kuadër të kremtimit të 72-vjetorit, shkon një falënderim i posaçëm për të gjitha këto shtete dhe vendeve të  tyre. Falënderim dhe mirënjohje të veçantë  u dërguan në adresë të Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, e cila, pas përfundimit të luftës në Kosovë, ishte dhe  mbetet si dora më e lirë dhe shtyse dhe e fuqishme për zhvillimin dhe afirmimin e këtij institucioni kulturo dhe kombëtar e cila tani është bërë një bazë e fortë e zhvillimit dhe afirmimit të arsimit, të shkencës dhe të kulturës shqiptare në Kosovë dhe regjion.

Në hollin e Bibliotekës u hape “Ekspozita e koleksioneve të  kulturës shqiptare Esat Mekulit                      

Biblioteka Kombëtare e Kosovës  sot  e mban barrën e grumbullimit e të ruajtjes së kulturës historike e reale të Kosovës, dhe të leximit të saj, si në pasqyrë e cila i ka krye dhe i kryen edhe tani veprimtarinë e vet sipas legjislacioni shtetëror të shtetit të Kosovës, për të grumbulluar dhe ruajtur trashëgiminë kulturore të saj, pasurinë shkrimore si një dëshmi e realitetit të Kosovës.                                                                                            

Çfarë i duhet Bibliotekës Kombëtare sot?  Një vëmendje më e madhe e të gjitha institucioneve shkencore e  arsimore të Kosovës dhe e institucioneve nën menaxhimin e të cilave financohet. Bibliotekës i duhen rritur kapacitetet e punonjësve ekspertë të kësaj lëmi, të arsimuar në këtë fushë, të zot për të përfituar nga dijet bibliotekare e nga ndërkëmbimi  që vijnë si përvojë nga bibliotekat. Pra, arsimimi universitar i bibliotekarit, do ta nxirrte një sojli që ka zgjuarsinë bibliotekare dhe që endet e rrëmon dhembshëm, në kujtesën reale e historike të botuar e të shtypur, që do ta grumbullonte, përpunonte dhe ruante atë në forma  të ndryshme e të përdorshme për publikun; të nxirrte një sojli bibliotekar, që vuan rrezikun e humbjes e të mos pasurit në zotërim të materialit të shkruar e të shtypur. Po ashtu, është reduktuar numri i punëtorëve, ndërsa që mbingarkesa e koleksioneve dhe informacioneve në një bibliotekë kombëtare, siç është kjo e cila gjë e shton nevojën për rritjen e numrit të punonjësve. Për vitin që po e lëmë pas, përveç një sërë bashkëpunimesh në mes bibliotekave, aktivitetesh, promovimesh,  ekspozitash të rëndësishme, janë të vërtetuara rezultate në fushën e zhvillimit dhe të menaxhimit të koleksioneve, të cilat po i japim si në vijim: Në fondin e Bibliotekës Kombëtare– nga ekzemplari i detyrueshëm janë hyrë në bibliotekë  gjashtëqind tituj, apo tremijë e pesëqind ekzemplarë, nga dhurata - mbi njëmijë tituj; janë dy biblioteka vetjake që i janë dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. 

Vetëm nga revizioni i kopjes arkivore dhe rishikimi i fondit tepricë që është duke u kryer gjatë këtij viti, i titujve shqip të botuar gjatë viteve 1944 – 1999, janë identifikuar njëmijë  gjashtëqind e nëntëmbëdhjetë tituj që i kanë munguar fondit arkivor dhe që tashmë i përkasin atij, duke u plotësuar nëpërmjet tërheqjes nga fondit i përgjithshëm. Biblioteka Kombëtare e Kosovës gjatë këtij viti ka dhuruar mbi njëmijë tituj apo njëmijë e shtatëqind  ekzemplarë.                                

Në fund të këtij kremtimi u dërguan falënderime të shumta në adresë  stafin e bibliotekës kombëtare për punën që ka bërë gjatë këtij viti dhe në të kaluarën, për përkujdesjen  gjithnjë e më të madhe për  rritjen e cilësisë së shërbimeve të bibliotekës. Duhet përmendur  se Ministria e Kulturës gjatë këtij viti ka përkrahur financiarisht të gjitha aktivitet që biblioteka ka organizuar, ndërsa  për vitin 2017, kjo ministri ka rritur buxhetin edhe për  dyqind mijë euro. Andaj, strukturat udhëheqëse të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë i lusim botuesit e Kosovës, shtëpitë botues e autorët  që të jenë të rregullt në dorëzimin e ekzemplarit të detyrueshëm, sepse kjo është ajo që e shpëton këtë institucion. Në fund të këtij kremtimi në kuadër të kremtimit të 100- vjetorit të lindjes të shkrimtari Esat Mekulit folën Agim Vinca dhe e bija e tij Drita para të pranishmeve lidhur me hapjen e ekspozitës e cila u ha në hollin bibliotekës, ku u ekspozuan eksponentë të punës dhe jetës të Mekulit... 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat