Zhgënjime të hershme…

Kultura

Zhgënjime të hershme…

Nga: Skifter Këlliçi Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 17:55
Reshat Këlliçi me shokë

Kur atë mbrëmje fund nëntori të vitit 1966 hyra në dhomën ku lëngonte për vdekje xhaxhai im, Reshat Këlliçi, u befasova teksa pranë shtratit të tij pashë Sejfullash Malëshovën, pikërisht atë intelektual dhe politikan të njohur, i cili qysh në ditët e para të vendosjes së pushtetit komunist, duke qenë anëtar I Byrosë Politike të Partisë Komuniste Shqiptare, ishte shprehur me këmbëngulje se vendi ynë duhej të mbante marrëdhënie të mira edhe me vende perendimore, kryesisht me Amerikën dhe Britaninë e Madhe, se në fushën ekonomike nuk duhej të cënohej prona private, si dhe pikëpamje të tjera të quajtura “liberale” nga Enver Hoxha.

Si pasojë, diktatori ynë stalinist e kishte përjashtuar nga Polit-Byroja, e kishte cilësuar armik dhe pas disa vitesh qëndrimi në Tiranë, më 1956 e kishte degdisur magazinier në Ballsh. Mirëpo, duke qenë me Reshatin shok që në vitet e studimeve në gjimnazin italo-arbëresh të Shën Mitër Koronës në Kalabri, ku dikur kishte dhënë mësim edhe De Rada, pas studimeve kishin ardhur në Shqipëri, ishin lidhur me shoqërisë atdhetare “Bashkimi”, të krijuar nga Avni Rustemi në fillim të viteve 20-të të shekullit të kaluar, kishin krijuar me shokë të tjerë dhe gazetën me të njejtin emer, dhe pas kthimit të Ahmet Zogut në pushtet, më 1924, si shumë intelektualë, me porosi të Fan Nolit, edhe ata të dy kishin përfunduar në Bashkimin Sovjetik të Stalinit.

Ja përse   Sejfulla Malëshova, ndonëse i internuar kishte mundur të merrte leje dhe kishte ardhur në Tiranë të shihte shokun e vjetër të rinisë, që po hiqte shpirt. Dhe të gjykosh se, ndërsa ata sillnin ndërmend të përmalluar vitet e shkuara, të mbushura me ëndra për një Shqipëri të pavarur dhe demoktratike , poshtë pallatit ku jetonte xhaxhai im, ruanin hafijet e Sigurimit të Shtetit.

Shumë nga ato që Reshati bisedoi atë mbrëmje me Sejfulla Malëshovën, i kisha dëgjuar dhe unë më parë prej tij, kur me jepte për të lexuar pjeë nga libri i tij “Me djemtë e “Bashkimit” që u botuan më 1963 në faqet e revistës “Nëntori” dhe një vit më pas, të ripunuara dhe plotësuara, edhe si libër nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.
Atëherë kisha disa vjet që punoja gazetar në Radio Tirana dhe më kujtohet se m’u ankua shumë që njeri nga recenzentët, me të cilin kishte qenë bashkëveprimtar në Shoqërinë “Bashkimi” dhe më pas student në Moskë, kishte sugjeruar që të hiqeshin shumë fragmente interesante nga ky libër, që, megjithatë, që ato vite dhe ma pas, sipas disa botuesve, ishte cilësuar si një ndër librat më të mirë me kujtime të cilat ishin botuar deri atëherë.

Image
Reshat Këlliçi

 

Arsyeja ishte se ky recensent, i mbetur besnik fanatik i parimeve të komunizmt stalinisto-enverist, nuk mund të pajtohej me të vërtetat e shprehura nga Reshati, të cilat sipas tij kishin interpretime të gabuara… ideologjike. Jo vetëm kaq, por i kishte sugjeruar që në libër ai të shtonte përshpypje “ të pashlyera” të cilat studentët shqiptarë që mësonin në Institutin Ushtarako-Politik të Moskës kishin pasur veçanërisht gjatë parakalimeve në raste festash para tribunës së ngritur në Sheshin e Kuq në Moskë, nga ku i përshëndeste “me aq dashuri” Stalini, babai i proletariatit botëror, si dhe kujtime të tjera nga jeta “e lumtur” e popujve sovjetikë po ndërtonin socializmin. Kurse në biseda intime Reshati , më tregonte mua për tmerret që kishte përjetuar gjatë 9 viteve që kishte kaluar në Bashkimin Sovjetik, për terrorin e ushtruar nga vetë Stalini, që kishte eleminuar disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Trockin, Buharinin, Kamenivin, Zinovievim e sa e sa drejtues të tjerë të shtetit sovjetik, për të arritur deri te qytetarët e thjeshtë dhe të varfëruar deri në skamje, që në mbrëmje ndaheshin nga të afërmit dhe të nesrëmen apartamentet ku banonin me familien, gjendeshin të boshatusura prej tyre, me siguri të internuar…

Pikërisht, më thoshte xhaxhai , kështu   nisi të vepronte edhe Enver Hoxha qe, me të ardhur në pushtet, pas Sejfulla Malëshovës mënjanoi, madje përgjysmoi dhe zhduku shumë udhëheqës komuniste shqiptare, terrorizoi dhe shtypi me gjak deri sa vdiq shqiptarët, pa treguar as një shenjë më të vogël pendimi.

I zhgënjyer nga këto tmerre që përjetoi nga viti 1925 deri më 1934 në Rusi , Reshat Këlliçi, përfitoi nga një amnisti për kundërshtarët politikë, dhënë nga mbreti Zog, dhe   u kthye në vendlindje. Por nuk hoqi dorë nga dëshira që në Shqipëri të ndërtohej një shoqëri demokratike perendimore. Ndaj së bashku me publicistin e ri Petro Marko dhe të tjerë nisi të botonte revistën “ABC”, që pati jehonë të jashtëzakonshme në popull. Por pas botimit të tre numrave të parë, me urdhër të Ministrisë së Brendshme revista u mbyll, sepse kritikonte ashpër regjimin...Por mbreti Zog as burgosi, as internoi ndonjë nga themeluesit e gazetës, duke përfshirë edhe Reshatin, gjë që nuk do t’ia lejonte kurrë vetës diktatori Enver Hoxha, për të përmendur me këtë rast vetëm kasaphanën që bëri pas Plenumit të 4-t famëkeq më 1974.

Reshat Këlliçi e mbështeti luftën çlirimtare të popullit tonë kundër pushtuesve nazifashstë, u bë edhe kryetar i këshillit antifashist të lagjes ku banonte dhe vuri në rrezik veten dhe familjen, i bindur se me çlirimin e Shqipërisë do të realizohej ëndrra e tij dhe e Sejfulla Malëshovës dhe e të tërë atdhetarëve shqiptarë. Ishte kjo arsyeja që ai bashkëpunoi me gazetën komuniste “ Bashkimi”. Por kur pa që në Shqipëri po vendosej një regjim totalitar si në Bashimin Sovjetik të Stalinit, që e kishte parë me sytë e tij, me gjithë grishjet e Sejfulla Malëshovës, asokohe ministër i Arsimit, që duke pasur kulturë të gjerë të drejtonte ndonjë dikaster qendror, ose të punonte në shtyp, hoqi dorë , punoi mësues i gjuhës ruse, pastaj në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, derisa tërhoq në pension. U mjaftua vetëm me botimin e librit me kujtime që përmenda më sipër, ku do të kishte dashur të përfshinte edhe ngjarje nga jeta dhe veprimtaria me Sejfulla Malëshovën në Kalabri, midis arbëreshëve, në Moskë, midis shumë shqiptarëve të zhgënjyer nga komunzmi stalinist…por nuk mundi, sepse shoku i tij i ngushtë tashmë ishte dënuar për ato bindje , të cilat nisën të sendërtoheshin në Shqipëri vetëm pas rrëzimit të regjimit despotik të Enver Hoxhës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat