Poezia e Hasan Selimit, një poezi moderne me ind epik

Kultura

Poezia e Hasan Selimit, një poezi moderne me ind epik

Nga: Agim Bajrami, Poet nga Çamëria Më: 12 janar 2017 Në ora: 21:26
ilustrim

S’ka më bukur kur në një ditë fund dhjetori dikush të nisë një pako me libra si peshqesh, ashtu si babagjyshi i Vitit të Ri, dhe kur dërguesi i asaj pakoje është një i panjohur si Hasan Selimi. Fillimisht nuk më sillte asgjë në mendje ky emër, por më pas duke shfletuar dalëngadalë veprën e tij të plotë në disa zhanre (jo vetëm të letërsisë artistike) profili i këtij krijuesi filloi të më vinte duke u plotësuar: poet, publicist, jurist, teolog, studjues, etj. Librat e tij “Antologji e ëndrrës” – essé e përsiatje filozofike (2013), “E Drejta Ndërkombëtare Publike dhe e Ardhmja Botërore” – monografi për diplomacinë (2014), “Hije Dheu” – poezi (2015), “Kërkoj pjesën e shpirtit tim”, vëllimi i parë – analiza dhe portrete (2016) dhe “Shpirtit i betohem” – poezi (2016) të befasojnë me energjinë, tematikat dhe frymën e tyre të theksuar aktuale.

Pa dashur të merrem me kontributet e tij në publicistikë dhe të drejtën ndërkombëtare mua më ngelën në mendje poezitë e tij të përmbledhura në dy libra poetik. Janë poezi të shkruara në momente të vecanta ndjesore, ku krahas shpërfaqjes së realiteteve aktuale dhe historike, primare mbetet shpërfaqja e unit.

 Të dala nga një arkitekturë malesh dhe heronjsh lokalë dhe kombëtarë vargjet e tij krahas epicitetit emëtojnë në vazhdimësi edhe një lloj krenarie dhe peisazhi shpirtërorë të malësorëve të trevës së Tropojës, Dardanisë epike e moderne.

 Autori dhe vargu i tij është përherë në kërkim të zërave të brendshëm të njerëzve dhe fenomeneve të kohës së tij i prirur përherë kah kthjelltësia ai nuk denjon të blej shikime, përkundrazi tenton t’i dhurojë ato, nuk e pëlqen fjalën e murme, por dritën që merr syri i dashurisë.

Duke monologuar mbi varrin e babait shohim të pikturuar më së miri anatominë e heshtjes dhe gjuhës së saj të pa fjalë, ndeshim dëshmi dhe gurë qëndrese, që jua kalojnë edhe monumenteve më të mëdha historike. Të konceptuara bukur poetikisht këto objekte marrin vetiu funksionet e dëshiruara për autorin duke arritur të përcjellin poetikisht mesazhet e qëndresës dhe vetmohimit. Është për t’u shënuar marrëdhënia e vazhdueshme e autorit me ta, të cilat më pas shkojnë deri në njësim. Kështu, në një nga poezitë e librit “Hije Dheu” ndeshim të vendosur pranë e pranë lisin e bjeshkës, varri i gjyshit, plepin në maje të kodrës dhe vetë autorin. Vështrimet e imta që bën autori mbi ta nuk janë thjesht rastësore, por të qëllimshme, funksionale. Po kështu, në poezinë “Gjarpri dhe zogu” autori rreket të pasqyrojë poetikisht ekuilibrat e brishtë mes së mirës dhe së keqes, mes jetës dhe vdekjes.

Gjatë shfletimit të vetëdijes poetike së autorit here-herë vemë re gjurmë të Eposit të Veriut, baladat, këngët dhe rapsoditë e lashta. Është e qartë se trungu jetësor i tij nuk mund të bënte dhe të bëjë pa ta. Në një farë mase ai është ngjizur dhe formuar me to. Ja se si reflektojnë ato në një nga poezitë më të bukura të këtij vëllimi: Vargje të gjatë të shkurtër/Lumenj këngësh dhe përrallash/Histori fjalësh e gërhamash tragjike/Me lumturinë e së ardhmes në sy e buzë cike/kënga ogurzezë me atë të gëzimit bashkëudhëtar/Grumbull bjeshkësh pa udhë kalimi/Rrënjë pishe ahu,rrënjë vidhi…/. Gjatë gjithë këtij enumeracioni ngjitës frymëmarrja e autorit e ndryshon herë pas here ritmin e saj, në unison të përhershëm me tingujt e vargut.

 Në poezinë “Rrotull” me vargje të shkurtër, por të figurshëm, vëmë re gdhendjen hap mbas hapi të Kodit të Nderit, këtij burimi krenarie dhe jete për të dhe fisin e tij të maleve. Dhe, për ta gdhendur këtë Kod, fisit të tij dhe gjithë kombit shqiptar në tërësi, i është dashur luftë dhe përpjekje titanike. “Fjalën nuk ta shes/Nderin nuk ta fali…/- i drejtohet ai denjësisht mikut të tij në një moment.

 Po kështu në poezinë tjetër të tij: “Shkrimtar që i trembet gjarprit” autori e përforcon edhe më shumë këtë ide, duke i përshkruar me tone të gjalla qëndrimin dhe figurën ogurzezë të gjarprit: “E unë për të ardhur tek shtëpia ime/Më duhet një shkop i gjatë, sa hija ime e plot rrema/ Ky gjarpër tërë lara lara/ Gjithnjë me një këmishë/…

Me kënaqësi vemë re se autori është një erudit i formuar në shumë fusha të jetës, dhe këtë erudicion ai tenton ta verë në funksion të ideve dhe kumteve që dëshiron të emëtojë. Ndaj nuk është e rastësishme aspak galeria e pafundme e sentencave filozofike dhe personazheve legjendare që kanë vepruar në kohëra dhe periudha të ndryshme në kujtesën e kombit dhe botës së qytetëruar. Prirja analitike në shumicën e poezive të tij është një tregues i saktë i asaj që thamë pak më lart.

Në librin e tij të dytë “Shpirtit i betohem” zëri poetik është forcuar akoma më shumë. Këtu më shumë rëndësi kemi mendimin se i jepet individit të lidhur ngushtësisht me natyrën ku vepron e jeton. Peisazhet e bukur alpine që popullohen vazhdimisht nga egzistenca dhe malli i poetit e bëjnë atë më transparente dhe interesante. Në vargjet e tij poeti e quan veten me fat që jeton dhe vepron në një peisazh të tillë dhe nuk e fsheh krenarinë për këtë fakt.

Ashtu si në librin e parë “Hije Dheu” edhe në të dytin “Shpirtit i Betohem”, autori nuk e fsheh një frymë mistike rreth fatit të njeriut dhe fenomeneve që e shoqërojnë atë në procesin e gjërë të jetës. Ai ka pikëpamjet dhe bindjet e tij dhe këto i manifeston me sa të mundet në një pjesë të këtyre poezive. Ky është një dimension tjetër i lirisë së poetit dhe i idealeve të tij jetësore. Lidhja e shpirtit me trupin dhe rrënjët e fisit nuk e kënaq asnjëherë estetiken e tij të gjykimit. Ai di të shohë shumë më lart se kaq, ligjërimi i tij i kapërcen të gjitha trevat e vështrimit. Ai i flet vetë Zotit poetikisht. Me një metaforë krejt të vecantë dhe specifike, duke zhvlerësuar cdo formë dhe mos formë. E folura e tij i ngjan bisedës së Kryqit me Zotin, ose akustikës që një ortek le në ajër mbas një rrokullisjeje.

 Në poezinë “Shpirtit i betohem”, gjeste dhe zëra të tillë janë mjaft të pranishëm: “Shpirt të bëj bé në Zotin tone/Mos u prek në dukjen time/Rri aty në mosformën tënde/…Ashtu, sic e pohon edhe vetë autori, ku është shpirti i Zotit është edhe liria, shumica e këtyre poezive janë gjithnjë në kërkim të lirisë dhe kohërave të ndritshme: “Në thesin e biruem kërkoj pa pushim/Thermoja të mbetura nga përzierja/…Në funksion të kësaj ideje autori i jep më tepër teh dhe intonacion zërit të tij akuzës kundër të pamoralshmëve dhe hipokritëve, të pamoralëve dhe të pangopurve: “Ju jeni ata që kërkoni ngjyra natën/Lules së bardhë doni ti thoni e zezë/Kërkoni që dashuria të mos shihet/Puthja të mbesë e vërbër pa adresë/.

Në poezinë e ndjerë “Era e tokës” poeti e shndërron veten në një penel portretizues. Vetëm në katër vargje ai arrin të sintetizojë një sagë të tërë brezash brumosur me histori epike dhe Vajet e Ajkunës: Ti je jehona e pickimit të heshtun/Shndrit si flaka në majë të malit/Që oshtinë e djeg si vorri orës çume/ Me vajin e Ajkunës dhe vorrin e Homerit/.

Poezia e Hasan Muzli Selimit buron nga plasat e shkëmbinjve të alpeve të Tropojës, por edhe nga fryma e erës së Bjeshkëve të Namuna, nga krenaria fisnike e malësorit, por më shumë nga fisnikëria e tij. Ajo është e formuar sa nga elementët e folklorit alpin të maleve aq dhe nga kumbimet e këngëve maje krahi apo shpërbërja e ajrit prej vajeve të Ajkunës. Pa deklarata dhe përbetime false, ajo sikur të ngjit në gjoks dhe kujtesë duke të bërë edhe ty pjesë organike të saj. Poezia e tij është një poezi moderne, me ind epik.

Shumica e këtyre poezive priren nga simbolika interesante, që lidhen sa më terrenin ku jeton ai, aq dhe me synimet artistike. Prania e tyre e shumëfishtë sikur ja rrit forcën fjalës dhe mesazhit. Vargu i lirë dhe konçiz e identifikon më së mirë aftësitë e tij ligjëruese.

Vëllimet poetike “Hije Dheu” dhe “Shpirtit i Betohem” i japin të drejtë redaktorit dhe studiuesit të njohur Dëfrim Cani të thotë se në poezitë e Hasan Muzli Selimit mund të prekësh “një gjendje emocionale të pazakontë, pasi ka një vizatim të qartë kohe dhe mjedisi dhe një qendërsi mes metaforës vargnore”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat