Uthulla syve

Kultura

Uthulla syve

Më: 17 shkurt 2017 Në ora: 19:45
Reis Mirdita

Zikana kishte filluar të mahniste që nga femëria e hershme në fshatin e lindjes. Mahnitje për të bëma që nuk mund të haseshin përditë. Egërsitë e saja ndaj të tjerëve dhe shtazëve ishin vepra mizore. Në një rast që ajo vet (sipas një shoqeje të saj të fëmijërisë me emrin Naile) iu ka treguar shoqeve, i ka hedhur maje uthulle babait të saj për ta verbuar ngase gjatë ditës ai e kishte dënuar me dy shuplaka. Askush aso kohe nuk dinte kush e verboi këtë të varfër të pafajshëm. Vetëm pas vdekjes së tij Zikana u pat folur shoqeve dhe fjala morri dhenë por kush i besonte se?! Bota nuk mund të kishte as idenë më të vogël se diçka e tillë ishte e mundshme; sidomos kur vajza në atë kohë i kishte vetëm gjashtë vjet.

Krejt kjo ishte një e vërtetë por ecuria e ngjarjes nuk ishte edhe për t’i besuar plotësisht. Unë mësova variantin e saktë nga Zikana në moshën kur ajo i afrohej të dyzetave. Në shpjegimin e saj përmendi një person tjetër që e kam cituar në fillim të veprës dhe për të cilin, përveç këtij rasti, do të bëhet fjalë gjerësisht në gjysmën e dytë të librit. Bëhet fjalë për Enver Indinë – Indianin.

Ditën e njëjtë që e dëgjova versionin e Zikanës, shkova drejt në shtëpinë gjysmë të rrënuar të Indianit. Dukej sikur më priste. Vetëm sa lëvizi pak nga posteqia e bërë zhul, ashtu sa për të treguar respekt dhe pasi më njihte mirë (isha i vetmi që nuk tallesha me të dhe historitë e tij), më dha shenjë të ulem pranë dhe ia nisi tregimit të tij mbi uthullën dhe verbërimin...:

-Ajo sot nuk ka rrejtur. Varianti i saj i sotshëm është i saktë pa asnjë lakim. Unë kam qenë hedhësi i uthullës. Eprorët e mi kanë mundur ta dënojnë në mijëra mënyra të tjera por kjo ishte e vetmja formë e shkaktimit të dhimbjes dhe tmerrit në fshatin e Zikanës dhe nisma e torturës për çdo kënd që mund t’i kundërvihej. Natën paraprake të ngjarjes, kam qenë i rrahur nën Urën e Madhe të Gurit gjer në alivanosje. Gjithmonë ndodh kështu për shkak se unë shpesh nuk mund të përmbahem dhe tregoj. Tash të tregova ty, si edhe të tjera herë por për këtë nuk më rrahin. Kanë frikë ose kanë ndonjë respekt të veçantë nga ti, nuk di! Të them edhe një: Unë jam më i rrahuri nga të gjithë njerëzit – xhinde në botë. Por unë do të vazhdoj të flas se jam i sigurt që nuk do të më marrin jetën edhe për disa vjet. Unë jam i vetmi që i di të gjitha rrugët e botës nën ujë dhe nën tokë. Pa mos gjetur zëvendësim, eprorët e mi nuk do të më ekzekutojnë e gjer atëherë shoh e bëj! Sa për Zikanën, të paralajmëroj: Ke kujdes! Është më gjakpirësja ndër krejt njerëzit- xhinde e përpos kësaj, sihiri është arma e saj e jashtëzakonshme. Je i ri, kujdes për jetën tënde!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat