Baleti Kombëtar i Kosovës nesër me premierën e parë për këtë vit

Kultura

Baleti Kombëtar i Kosovës nesër me premierën e parë për këtë vit

Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 15:05
Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës

Një histori e cila bazohet në udhëpërshkrimin e jetës së disa njerëzve të ndryshëm duke shtegtuar nëpër kohë e duke vënë në pah marrëdhëniet e tyre të ndërlikuara, tradhtitë, traumat, frikën, dëshirat, momentet e fuqizimit dhe më në fund faljen. Kjo është tema që balerinët e Kosovës do të trajtojnë përmes lëvizjeve të shoqëruara me muzikë në interpretim të një prej gjinive më të bukura dhe të ndjeshme artistiket.

Është pikërisht trupa e Baletit Kombëtarë të Kosovës, të cilët përmes shfaqjes ‘’Drejtësi Tranzicionale’’frymëzuar nga njerëz dhe ngjarje të vërteta në komunitetet në mbarë botën, do të vijnë së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtarë në shfaqje premier, nën koreografinë e Christina Coleman.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, në një konferencë për media, shprehu sot mburrje për punën që u bë me premierën e parë të këtij viti nga trupa e baletit.  Brahimaj , për shfaqjen që do ta ketë premierën nesër, tha se është një balet modern dhe e ka një temë shumë të rëndë por të kuptueshme, temë e cila është përzgjedhur nga koreografja amerikane Christina Coleman.

Brahimaj: Jemi jashtëzakonisht të kënaqur

‘’Kjo është premiera e parë për këtë vit, jemi duke punuar diku që 40 ditë me koreografen nga Amerika e cila e ka bë një punë jashtëzakonisht të mirë. Besoj që shumica do ta përcjellin edhe nesër mbrëma edhe sonte në prova gjenerale. E gjithë trupa është e angazhuar, do të thotë është balet modern dhe ka një temë të rëndë që është e kuptueshme, flet për jetën e përditshme tek njerëzit...aty ndodh një histori e vërtet të cilën e ka dëgjuar me vesh dhe e ka pa koreografja në shumë qendra botërore që kanë qenë. Premiera e parë do të jetë me 23 shkurt dhe shpresoj dhe jam i bindur sipas provave që i kemi pa dhe punës që e kemi bë, se do të jetë një shfaqje e suksesshme’’, tha Brahimaj.

Ideatorja për krijimin e kësaj vepre, koreografja nga Amerika, Christina Coleman, tha se në këtë vepër kanë dashur të tregohen copëza jete nga realiteti tek shumë njerëz, duke i dhënë sharmë përmes artit dhe interpretimit të balerinëve. Coleman gjithashtu tha se valltarët e trupës së Baletit të Kosovës kanë shumë për të dhënë, për të ofruar dhe për të shprehur në shfaqjen e nesërme.

Coleman: Eksperiencë shumë e mirë

‘’Unë dua të flas për eksperiencën time këtu. Një nga gjërat që më ka pëlqyer më shumë është njoftimi me secilin valltarë të Baletit të Kosovës. Ata kanë shumë për të dhënë, për të ofruar dhe për të shprehur. Mendoj se kemi krijuar diçka shumë të bukur së bashku dhe jam shumë krenare për këtë vepër. Kam qenë shumë rehat këtu dhe gjithçka që duhet bërë do të bëhet në mënyrën e duhur. Dua të shtoj, se krijimi i kësaj vepre ka qenë shumë interesant dhe emocionues, i bazuar në ngjarje të vërteta që iu kanë ndodhur njerëzve. Dhe kjo e bënë edhe më interesant veprën për mua dhe për valltarët, sepse bazohet në atë çfarë është jeta në të vërtetë. Në këtë mënyrë, ne tregojmë për përvojat e njerëzve të ndryshëm përmes artit dhe jemi kënaqur shumë gjatë krijimit, gjë që na bënë të ndihemi mirë për atë që po bëjmë’’, tha Coleman

Premiera e parë e shfaqjes ‘’Drejtësi Tranzicionale’’ do të jepet nesër, me 23 shkurt 2017, në Teatrin Kombëtarë në Prishtinë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat