Hapet ekspozita "Zona e demilitarizuar" e artistes Hayoun Kwan

Kultura

Hapet ekspozita "Zona e demilitarizuar" e artistes Hayoun Kwan

Më: 16 mars 2017 Në ora: 20:43
ilustrim

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, sonte u hap ekspozita e artistes Hayoun Kwan me Instalacionin dhe videon me realitet virtual "489 vite", ku u shfaq vepra "Zona e demilitarizuar" në mënyrë vizuele, e cila ka qenë zonë e minuar në Kore.

Kuratorja franceze, Odile Buleraux theksoi me këtë rast se Muzeu i Artit Modern të Parisit, prezanton një video me ftesë të Ambasadës së Francës në Prishtinë si dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ajo shpjegoi se vepra "Zona e demilitarizuar" prezantohet në kuadër të frankofonisë dhe ka të bëjë me digjitalizimin.

Buleraux: Vepra prezantohet në kuadër të frankofonisë

“Kjo vepër prezantohet në kuadër të frankofonisë dhe ka të bëjë me digjitalizimin. Meqenëse kjo vepër veç sa është blerë nga Muzeu, është vepër që paraqitet për herë të parë. Andaj, është një premierë e paraqitjes së kësaj vepre në Kosovë”, theksoi Buleraux.

Kuratotrja tjetër Jessica Castex ka folur për biografinë e artistes Hayoun Kwan, e cila se është artiste koreane, e lindur në Seul në vitin 1981, ka mbaruar studimet në Francë, në një shkollë me një reputacion dhe që i përkushtohet arteve.

Ajo theksoi se vepra e saj është prezantuar edhe në Muzeun e Arteve Modern në Nju Jork.

Castex: Është një artiste e re

“Është një artiste e re, por megjithatë vepra e saj kërkohet të prezantohet në shumë institucione me renome. Ka prezantuar veprën e saj në Muzeun Arteve Moderne në Nju Jork. Është një artiste, e cila vjen nga Koreja dhe përmes historisë së saj personale interesohet njëkohësisht për historinë e dy koreve”, theksoi Castex.

Sipas saj, autorja e veprës në fjalë ka realizuar një seri të filmave lidhur me "Zona e demilitarizuar", ky film do të shfaqet në realitet virtual.

Castex shtoi se siç edhe tregon titulli i veprës, kjo zonë kërkon “489 vjet” të demilitarizimit, meqenëse ajo ka qenë e stërmbushur nga minat e shumta përgjatë luftës së koreve. Sipas saj, kjo është shndërruar në një zonë totalisht të egër dhe është një vend që ka shumë kuriozitet dhe fantazma. Ajo tha se artistja është mbështetur në informacione të shumta.  

Në këtë ekspozitë është ekspozuar edhe ditari i ushtarëve në këtë zone të Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Kuratoret presin që kjo ekspozetë e pasuruar të vizitohet nga artistë kosovarë dhe të ketë jehonë. I pranishëm përveç artistëve kosovarë, ishte edhe ambasadori Francës në Prishtinë, Didier Chabert.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat