Fjalët e urta shqipe përballë atyre romane

Kultura

Fjalët e urta shqipe përballë atyre romane

Nga: Enver Sulaj Më: 21 mars 2017 Në ora: 09:29
Enver Sulaj

Në heshtje, pa zhurmë e pa trumbetime neveritëse, pas një pune shmëvjeçare, Ramadan H. Ramadani ka krijuar veprën “Aspekte krahasimtare të proverbave shqipe me ato të gjuhëve romane”- si vlerë shkencore e kulturore, për t´i dhënë studiuesit e lexuesit nektarin shpresëdhënës kundër mediokritetit e injorancës, që në shumë aspekte po na zë frymën.

Paremiologjia dhe paremiografia, janë jo vetëm nocione shkencore me të cilat autori përpiqet ta njoftojë lexuesin që në hyrje të librit, por edhe praktikë shkencore që ai zbaton në çështje të studimit të fjalëve të urta shqiptare. Duke bërë analizën krahasimtare, këto proverba (fjalë të urta), shprehje frazeologjike, marrin peshën e vet në kuadër të korpusit të përbashkët të fjalëve të urta latine e në gjuhët romane, si frëngjisht, italisht, spanjollisht e rumanisht.

Ndonëse në folkloristikën shqiptare ka pasur përpjekje që të bëhet analizë krahasimtare e përqasime edhe me krijimet e popujve tjerë, sidmomos në fushën e epikologjisë, fjalët e urta më rrallë kanë qenë objekt studimi krahasimtar. Prandaj, në këtë aspekt libri i Ramadan H. Ramadanit gjithsesi është i një vlere të veçantë, jo vetëm për qarqet shkencore, por pse jo, edhe për lexuesin e pasionuar, i cili do të gjejë në një vend, qoftë fjalët e urta shqipe, bashkë me ato të gjuëve me të cilat krahasohen, por edhe shpjegimet e nevojshme e komentet për to, që do t´i ndihmojnë ata për të kuptuar më më mirë e më drejt porosinë që ato ngërthejnë në vete. E, në fund të fundit, ky është funksioni që i krijoi dhe i mbajti gjallë deri më sot. Autori insiston në analizën, studimin, ruajtjen e përdorimin e tyre, pra në rifunskionalizimin brenda kontekstit të ri socio-kulturor shqiptar.

Shtegtimi i motiveve është i njohur, ashtu siç është i përbashkët edhe motivi i njeriut në të gjitha kohërat e vendet për të ngadhënjyer mbi të keqen, për ta dashur atdheun e lirinë, për të demaskuar veset e hiperbolizuar virtytet, për t´u ruajtur nga ligësitë, e për t´u sakrifikuar për të drejtën e njeriut. Këtu është fuqia e fjalës së urtë- që është e artë për dimensionin moralizues, që u gdhend e u latua përgjatë shekujve. Kjo dëshmon se oraliteti gjalloi edhe në kohë kryqëzatash e marshimesh të falangave orientale, sidomos në këtë nënqiell, sepse kjo ishte jo vetëm çështje e kënaqësisë estetike- por edhe vetë mbijetesë.

Autori vë përballë njëra- tjetrës fjalët e urta shqipe dhe ato latine e neolatine, për të gjetur pikëtakimet e ngjashmëritë në mes tyre. Në këtë pikë, libri ofron një denduri shembujsh e komentesh me vlerë. Bien në sy fjalë të shumta të shqipes, të cilat të krahasuara me simotrat latine e neolatine, përveç kënaqësisë, dëshmojnë një vazhdimësi të paprerë krijimesh e thesaresh shpirtërore të popullit tonë, të të gjitha trevave etnike.

Me këtë libër autori ka vënë një gur të rëndësishëm në folkloristikën krahasimtare shqiptare, sidomos në fushë të paremiografisë, ku shkenca shqiptare çdo ditë e më tepër po shtrin fushën e interesimit dhe të hulumtimit.

Tani, kur zhanre të krijimtarisë gojore konsiderohen si të përmbyllura, është materiali i mbledhur e i botuar që pret studiuesit e fushave specifike për të bërë punën e tyre.

Mendimi i ngjeshur në formë elipse, ngarkesa emcionale, ndërtimi leksiko- semantik, figuracioni etj. janë elemente të rëndësishme që ia shtojnë vlerën këtij materiali të marrë në shqyrtim dhe analizë, i cili i vënë përballë krijimeve të popujve tjerë, sigurisht se bëhet edhe më interesant.

Ndonëse nuk përpiqet të hyjë në fushë të vjetërsisë së këtyre proverbave, duke i krahasuar me autorët latinë, dijetarët e shkrimtarët e mëvonshëm europianë, autori sikur sugjeron tërthorazi se në këtë kohë do të duhej të shtrihet edhe lashtësia e fjalëve të urta shqipe. Kur e themi këtë, sigurisht se faktet duhet të vërtetohen shkencërisht, pa përpjekje joshkencore për të krijuar mite të paqena, të cilat nuk sjellin asgjë të re në mendimin shekncor.

Libri „Aspekte krahasimtare të proverbave shqipe me ato të gjuhëve romane“ është minierë në të cilën, varësisht nga interesimet dhe parapëlqimet e tyre, studiuesit do të gjejnë lëndën e tyre të vlefshme.

Fjalët e urta shpesh përdoren për të thënë diçka me elokuencë, në disa raste për të peshuar mirë mendimin, e për të theksuar traditën e paraardhësve në fushën e krijimtarisë gojore. Fjalët e urta mund të përdoren, thjesht për ta bërë bisedën e ose dialogun më të gjallë. Në shumë pjesë të botës fjalët e urta vlerësohen si shenjë oratorie, por jo çdoherë fjala e urtë kishte status të tillë, ngase u keqpërdor, duke u vënë në funksion të propagandimit të ideve e të bindjeve të papranueshme.

Elementet figurative, si metafora, pyetja retorike, alegoria etj. dëshmojnë për vlerat artistike, që në periudha të caktuara historike ua mundësoi njerëzve të shprehin atë që quhet  „revoltë paremiologjike“, duke bërë përgjithësime për t`iu shmangur kritikave të hapura ndaj autoriteteve dikatatoriale që shtypin të drejtat dhe liritë qytetare.

Proverbat, gjithashtu janë trupëzuar edhe në strategjitë e punëtoërve social, mësuesve, predikuesve fetarë, madje edhe të politikanëve, duke u shfrytëzuar kështu si mjet propagande. Por studimi i proverbave është i rëndësishëm për studiuesit e letërsisë, por edhe të dijeve tjera, të cilët mund të gjejnë aty lëndë për studimet dhe punën e tyre.

Të gjitha këto venerime të lartpërmendura, autori i librit i ka përforcuar përmes shpjegimeve e komenteve të shumta që ka bërë për secilën fjalë të urtë.

Meqë fjalët e urta përçojnë mesazhe sublime e të fuqishme, si rrjedhojë e përvojës së gjatë jetësore, sfidat e vështirësitë me të cilat janë ndeshur njerëzit, kemi veçuar tri të tilla për të mbështetur idenë e paraqitur. „Atë që njeriu e mëson në djep, e braktis në varr“; „Luemnjtë më të thellë rrjedhin në gurgullimën më të vogël“; „Librat janë pavdekësia e së shkuarës dhe përjetësia e së ardhmes“. Këto tri fjalë të urta kalojnë nëpër tri kohë, që janë jo vetëm prezencë fizike në këtë botë, por edhe gjurmë shpirëtrore: Edukatë që zgjat përjetësisht, qëndresë e mbijetesë vlerash për vete e brezat që vijnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat