Ta njohim poetin, Dan Kosumi

Kultura

Ta njohim poetin, Dan Kosumi

Nga: Zymer Mehani Më: 22 prill 2017 Në ora: 09:57
Dan Kosumi

U lind më 1966, në fshatin Tugjec, komuna e Dardanës. Mësimet e para dhe të mesme i kreu në Dardanë. Rrjedh nga një familje atdhetare. Kosumi u rrit dhe edukua sipas traditës së Malësisë së Gollakut me dashurinë për atdheun, lënë amanet nga të parët e tij. Gjatë kohës sa ishte nxënës në gjimnazin "9 Maji", sot “Ismail Qemali” në Dardanë, Kosumi bie në sy të pushtuesve serbë për aktivitetin i tij në lëvizjen patriotike, disa herë është thirrur në Sekretariatin e Punëve të Brendshme. Aty, kohë pas kohe, është mbajtur i mbyllur me ditë të tëra, duke përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike. Disa herë u largua dhe u pranua sërish në shkollë, nën argumentin se Kosumi organizonte lëvizje zgjimi për popullin e vet në Kosovë, derisa në vitin e fundit u përjashtua nga shkolla pa të drejtë kthimi: "Veprimtari armiqësore, si nacionalist e irredentist", ky ishte motivi i largimit.

Pasi mbaroi vitin e fundit në Prishtinë, regjistrohet në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, drejtimi Letërsi dhe gjuhë. Edhe në këtë kohë, lëvizja e tij bie në sy të sigurimit shtetëror jugosllav dhe për këtë arrestohet dhe burgoset disa herë, ku vuan dënimet prej disa muajve si në Gjilan, Prishtinë dhe Gurrakoc, ku keqtrajtohet rënd.
Duke parë gjendjen e rëndë ekonomike familjare dhe pamundësinë për të vijuar studimet, Kosumi mërgon në Zvicër për tre vjet dhe më pas në Austri, ku jeton dhe punon edhe sot. Gjatë kohës së luftës në Kosovë, Kosumi si anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, me shumë shokë nga të gjitha trevat shqiptare vihet në shërbim të luftës, duke mos kursyer as djersën, as paranë, si bashkorganizator i demonstratave në Vjenë e Linz, ishte zëri i fondit të UÇK-së, "Vendlindja thërret", ku deri në fund i shërbeu dhe kontribuoi me nder.

Letërsia ka qenë pjesë e pandarë e Kosumit, qysh në bankat e shkollës, ku prioritet merrte krijimtaria letrare, megjithëse asnjëherë nuk iu botuan në fletushkën e shkollës, sepse censurohej nga organet e sigurimit të kohës. Gjatë arrestimeve dhe bastisjeve që i janë bërë shtëpisë së tij, disa herë me radhë i janë marrë shumë materiale e dorëshkrime, si: poezi e prozë, të cilat nuk i janë kthyer kurrë pas.

Është anëtar i kryesisë së Shoqatës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, në Vjenë.

Gjatë gjithë kohës ka qenë dhe është aktiv në promovimin e kulturës, vlerave dhe traditës shqiptare në Austri, përmes shoqatave, klubeve dhe bashkësive shqiptare, ku me sukses është paraqitur me punimet tij para publikut tonë dhe atij austriak, me këngë dhe recital.

Krijimtarinë e tij letrare Kosumi e ka publikuar në rrjetet e ndryshme përmes internetit dhe mediave të tjera elektronike. Është përfaqësuar në Revisten letrare kulturore "PELEGRIN" qe botohet nga Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë ne botë, me seli ne Athinë të Greqisë, në botimin "ILLYRICUM" vëllim i Shoqatës Kulturore "Aleksandër Moisiu", Vjenë.

Libri poetik “…dhe vjen një ditë…” është libri i tij i parë, pastaj "Malli i dashurisë" - Poezi. 

Është përfaqësuar edhe në Antologjinë e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani që bëhet për nder të 5- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ka në proces edhe punime tjera, si; Poezi, Prozë dhe një Roman. 
Ka në proces librin publicistik "Revolucioni i 1981, qëndrimi i klasës politike dhe Intelektuale"!

Dan Kosumi është Kryetar i SHKSHZ - Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër, ku jeton dhe vepron!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat