Ende gabime të rënda gjuhësore në mediat dhe shtëpitë botuese

Kultura

Ende gabime të rënda gjuhësore në mediat dhe shtëpitë botuese

Nga: Skifter Këlliçi Më: 22 prill 2017 Në ora: 14:43
Skifter Këlliçi

Prej vitesh, si kolegë të tjerë që merren me gjuhësi,  në artikuj të ndryshëm kam trajtuar disa nga problemet e mësipërme, që lidhen me domosdoshmërinë që ta shkruajmë sa më mirë dhe sa më saktë gjuhën tonë amëtare. Po përpiqem përsëri që në këtë punim t’i ngrej  përsëri, duke shtuar dhe të dhëna të tjera që, mjerisht, dëshmojnë  se gabimet gjuhësore po shtohen në shqipen e shkruar  dhe radio-televizive.

Vendosja pluralizmit demokratik në Shqipëri pas gati 50 vjetëve të diktatures komuniste, nuk do të thotë që edhe në gjuhën  shqipe të vendoset një “pluralizëm demokratik” ashtu si, për fat të keq, e përceptojnë shumë nga mediat e  të gjitha ngjyrave, TV-të, si edhe nga shtëpitë botuese në Shqipëri.
Ky biçim “pluralizmi…gjuhësor”, i cili ka nisur pas vitit 1991, ka sjellë si pasojë që gjuha shqipe, e shkruar dhe e folur në këto institucione, të ketë gabime, të cilat  mund të viheshin re gjatë periudhës  ‘20-‘40-të, të shekullit të kaluar, kur në Shqipëri ende nuk ishin vendosur normat e drejtshkrimit.

Në këtë shkrim do të ndalem në gabimet më tipike që vihen re në të shtypin shqiptar :

-Mënjanimi thuajse i plotë i kohës së  kryer e thjeshtë të mënyrës dëftore të foljes:

”Dje presidenti Nishani   ka deklaruar… “, kur duhet shkruar dhe lexuar edhe në mikrofon, ose kamera: ”Dje presidenti Nishani deklaroi…”.

Dhe kjo, sepse e kryera e thjeshtë tregon një  veprim të përfunduar plotësisht para castit të ligjërimit, ose  një gjendje, a veprim të kaluar. 

Kurse e kryera tregon një veprim, a gjendje të kaluar, në mënyre të tillë që rezultatet janë të pranishme edhe në castet e ligjërimit.(“Fjalor i gjuhës shqipe”, faqe 897,1981).

Mendoni për një çast sikur ky shtrembërim të bëhej normë në veprat letrare!..

Po shkëpus një dialog të shkurtër nga vepra “Përballë pasqyrës së  një gruaje” të Kadaresë, (faqe 148).

-Eshtë krej ashtu ,-i  thashë…

-Bëjnë sikur na kanë harruar,po mendjen e kanë te ne,-_përsëriti ai ngadalë… .

Shkrimtari ynë i madh, si cdo shkrimtar tjetër shqiptar, ka përdorur foljet them dhe përsëris në kohën e kryer e thjeshtë,pra ai shkruan: thashë  dhe përëriti.

Mendoni sa sa do të qeshnim, sikur Kadareja të shkruante:

-Eshtë krejt ashtu,-i kam thënë.

-Bëjnë sikur na kanë harruar,por mendjen e kanë te ne,-ka përsëritur ai.

Jam i sigurt se ndonjë nga gazetarët a publicistët që shkruajmë në gazeta,në ndonjë krjim letrar të tyre do t’i përdornin foljet ashtu si në shembullin e mësipërm,pra në kohën e kryer e thjeshtë.

Atëherë, përse në shkrimet e tyre nëpër gazeta a biseda televizive përdorin folje në kohën e kryer?

-Zhdukja e pjesëzes “të” në kohën e ardhme e tashme të mënyrës dëftore të foljes:

“Do shkojmë…” dhe jo:”Do të shkojmë..,.ose: ”Do e bëjmë…” dhe jo:”Do ta bëjmë..”

Madje edhe në tituj artikujsh!..

-Mënjanimi i trajtës së shquar të emrit ,madje edhe gjatë lakimit:

”Bush bisedoi me Putin.”,kur duhet shkruar :”Bushi bisedoi me Putinin.”(Pas parafjalës “me” duhet të përdoret rasa kallzore).

-Përdorimi  ndajfoljes “pavarësisht” si parafjalë në rasën rjedhore:

Pavarësisht rezultateve të arritura…”, kur duhet shkruar:”Pavarësisht nga rezultatet e arritura…”.

Ose shkruhet:

“Pavarësisht mungesës sate”, kur duhet shkruar: ”Pavarësisht se ti mungove”. 

Ky gabim vjen kryesisht ngaqë  përkthyesit   prej anglishtes në shqip, ose ata   që njohin anglishten, gabojnë në përkthimin e fjalës   “despite”, që në anglishte është parafjalë e cila  përdoret me  gerundin e foljes që  ka mbaresën  -ing.   Por në gjuhën  tonë ajo duhet të  të përkthet  me ndajfoljen “pavarësisht”+ lidhësen ftilluese “se”.

Lë të marrim fjalinë në anglisht: “ 

“They arrived late despite leaving in plenty time” . Parafjala “despite” në këtë rast  duhet të përkthehet në shqipe pak a shumë në këtë mënyrë:

“Ata arritën vonë, pavarësisht se kishin kohë”. Kurse përdoruesit e  mësipërm mekanikisht përkthejnë parafjalën “despite” vetëm me ndajdajfoljen “pavarësisht”, duke përjashtuar lidhësen “se”.

Pra :

“Ata arritën vonë, pavarësisht kohës që kishin”. Në këtë shembull   ndajfolja “pavarësisht” kthehet në parafjalë në rasën rjedhore. Por kjo në gjuhën shqipe ndodh vetëm me ndjafoljet e vendit. Për shëmbull:”Ai ishte larg”, ku “larg” është  ndajfolje vendi. Por ne themi edhe:”Ai ishte larg rrugës”, ku ndajfolja “larg” kthehet tani në parafjalë  që përdoret me rasën rjedhore të emrit ndjekës. 

Çuditërisht kjo dukuri  po bëhet vitet e fundit normë në mediat tona dhe përbën një gabim të pajustifikueshëm.

- Përdorimi i gabuar foljes “join” në anglisht gjatë përkthimit të saj në fjali në gjuhën shqipe: 

Jo rallë në shtypin e shkruar  shohim të shkruhet: “X politikan iu bashkua opinioneve te shprehura nga Y koleg i tij”.

Edhe në kët rast kemi përkthimin mekanik të foljes “join” që do të thotë në shqipe bashkoj,  lidh. Ja një shembull i marrë nga “Fjalori anglisht-shqip”, (1999):” To join the navy”-“ Hyj në flotën ushtarake”. Kurse  një përkthimin mekanik i kësaj fjalie, (siç ndodh sot rëndom  në shtypin tonë), do të ishte: ”T’i bashkohesh   flotës ushtarake”.

Ndonëse nga ana morfologjike  në këtë rast nuk kemi gabim gjuhësor, duhetv të nënvizojmë se një ndërtim i tillë, me përdorimin e rasës dhanore të trajtës së shkurtër të përemrit “(t)’iu” dhe të emrit, po në këtë rasë, “flotës ushtarake”, nuk është në natyrën e gjuhës sonë. 

Duke u kthyer te shembulli i parë i mësipërm, nënvizoj se nuk duhet të shkruhet    “X politikan  iu bashkua opinioneve të shprehura nga Y koleg i tij”, por: ”X politikan u bashkua, (ose ra dakord, ishte i njëmendjeje ), me opinionet e shprehura nga Y koleg I ij.

- Ne veprat e veta jetëshkrimore Enver Hoxha jo rallë ka shkruar: “Bëj kujdes” në vend që të shkruante :” Kam kujdes”. Dhe kjo, sepse ai është ndikuar nga shprehja në frengjishte  “faire attention”.

Me ta përdorur  diktatori, një pjesë e madhe e atyre që botonin  aso kohe materiale në shtypin e përditshëm, gazetarë a shkrimtarë zunë ta përdornin   shprehjen “bëj kujdes”  dhe jo “kam kujdes” e cila vazhdon të përdoret edhe sot, madje edhe në gjuhën e përditshme. Po të pranonim këtë shprehje, atëherë në vend të shprehjes ”Ki mendjen”, duhej të shkruanim: ” Bëj mendjen”, e cila  në asnjë mënyrë nuk mund të përdoret në shqipe. 

- Në gjuhën juridike tashmë ka nisur të përdoret rëndom  emri “ankimim”. Eshtë absurditet qesharak, sepse në gjuhën shqipe kurrsesi nuk mund të përdoren dy prapashtesa të njejta. Pra, nga folja”ankoj”, ( më dendur dhe më saktë përdoret në trajtëv vetvetore- ankohem), me prapashtesën -im  krijohet emri foljor “ankim”. Por specialistët tanë të nderuar në fushën juridike, i ngjisin emrit “ankim” të njejtën prapashtesë, me sa duket për të përforcuar edhe më shumë “forcën”  e…“ ankimit”(1?). Pra, përdorin termin e ri “ankimim”. Atëherë u dashka të themi dhe shkruajmë “punimim”,  “lehtësimim”, “zemërimim”… 

- Krijimi i emrit “aktrim”,  jashtë regullave të gjuhës shqipe, kur duhet të ishte krijuar fjala “aktorim”. Përëri nga ndikimi i anglishtes, ku ka emra që krijohen me mbaresën –ing. Pra nga folja “act” që ka edhe  kuptimin”bëj, veproj”, krijohet emri acting, i cili sipas regullave të gjuhës shqipe duhej të ishte “aktoroj”. Pra,  nga emri “aktor”, me ndihmën e prapashtesës “o” dhe mbaresës “j” të vetës së   parë të foljes së mësipërme  krijohet folja  aktor+ oj= aktoroj. Siç ndodh me amra foljotëtëkësaj kategorie; për shembull: punë – punoj, punim.. .

- Shkrimi i fjalëve, termave, titujve, emrave të personaliteve të huaja etj., sipas drejtshkrimit të këtyre gjuhëve:
”The Neë York Times”, George Bush, Ollbright…, kur sipas rregullave të drejtshkrimit  emrat, titujt  dhe emërtimet në gjuhë të huaja duhen shkruar sipas parimit fonetik të gjuhes shqipe,pra, ashtu sic shqiptohen:”Dhe Nju Jork Tajms” , Xhorxh Bush, Ollbrajt…

-  Vërshimi  pa asnjë arsye të fjalëve të  huaja ne media, për të cilat është shkruar vazhdimish, shumica e të cilave zëvendësohen fare mirë me fjalë të gjuhës shqipe, si dhe mosrespektimin e shenjave të pikësimit. Po përmend vetëm një xhevahir të tillë:  Fjala “ surprizë” të paktën prej 30 vjetësh është zëvendësuar me fjalën “befasi”, ose “ e papritur”. Sot atë nuk e gjen vetëm të ringjallur në shtypin e përditshëm,  por, për më tepër,  gjen edhe foljen… “suprizoj”, që rjedh prej saj, e cila nuk ka qenë pëdorur...  

-Gabime të rënda në titujt e organeve të shtypit ose të  TV-ve:

Dy revista javore kanë titujt: “Klan” dhe “Spektër”, disa gazeta,”Metropol”, ”Standart”,”Start”,tituj, pra,në trajtën e pashquar të emrit, të cilat  duhet të shkruhen në trajtën e shquar: ”Klani”,”Spektri””Metropoli”…,ashtu sic shkruhen, për shembull, titujt e dy gazetave të tjera: “Panorama “dhe “Tema”…Pra, jo;”Panoramë”.”Temë”….
Mendoni sa  për të qeshur do të ishte sikur dy nga revistat më popullore para vitit 1992,”Hosteni” dhe “Nëntori”, të titulloheshin “Hosten” dhe “Nëntor”. 
Do të ishte gjithashtu absurde,  sikur gazeta italuane “La Repubblica” të shkruhej “Repubblica”,gazeta franceze “Le Monde” të shkruhej: “Monde”, gazeta amerikane “The Boston Globe”-“Boston Globe”, pra, pa nyjet e përparme përkatëse  “La”, ”Le” dhe “The”, përkatësisht në italishte,frengjishte dhe anglishte.
Në shqip këta tituj do të duhej të përktheheshin:”Korrier i Mbrëmjes”,”Botë” dhe “Glob i Bostonit” dhe kështu  do të tingëllonin në mënyrë krejt të panatyrshme.

 - Duke imituar  në  mënyrë dogmatike  titujt e marrë nga gjuhë të huaja, sidomos nga anglishtja, janë krijuar emërtime që nuk i përshtaten natyrës së gjuhës shqipe.Kështu kemi emërtime të tilla “Tirana Bank”,kur ky institucion duhet titulluar “Banka Tirana”,aq më tepër që funksionon në Shqipëri dhe jo në ndonjë vend të huaj.
 Një qendër televizive zgjedh titullin “Shijak Televizion” dhe jo “Televizioni Shijak”. Si sëmundje ngjitëse ka, ose ka pasur emërtime të tjera  absurde:”Rozafa TV,”Skampa TV”, “Apollonia TV”…..Për  pasojë, mos ndoshta ndonjë ditë u dashka thënë Tirana Radio, Shqiptar Televizion…(!?).
Mania për të vënë emërtime me terma nga gjuhë të huaja është bërë “rregull” nga pronarë kompanish, hotelesh, restorantesh, dyqanesh…, sa që pandeh se nuk ndodhesh në Shqipëri, por në një  vend të huaj.

Dhe të mendosh se në vende të tilla, me vendime qeverie ndalohet rreptësisht përdoromi i emërtimeve të huazuara nga gjuhë të huaja.

Gabime të rënda gjuhësore në vepra të shtëpive botuese

Por e keqja më e madhe vërehet në botimin  e librave, ku me përjashtime të rralla, mungon emri i  redaktorit dhe korrektorit letrar. Si rrjedhim, librat botohen me gabime  gjuhësore.

Pronarët  e shumë shtëpive botuese, pa përjashtuar, natyrisht as ata të gazetave, siç duket, duan të kursejnë në kurriz të gjuhës dhe kështu parapëlqejnë që librat e të gjitha llojeve t’i botojnë, pa ua nënshtruar redaktimit dhe  korrekturës letrare dhe gjuhësore. Madje rastis që në një vepër letrare mund të gjesh vetëm  emrin e…recensuesit(!?). Për redaktor a korrektor letrar, as që bëhet fjalë.

Gabime gjuhësore vërehen sidomos në veprat e përkthyera dhe botuara nga disa shtëpi botuese. Ka përkthyes që njohin mirë gjuhët nga të cilat i përkthejnë ato, por nuk njohin mirë gjuhën shqipe. Si pasojë, gjuha e këtyre veprave paraqet dobësi të theksuara.

Me këtë rast do të përmend  vetëm një rast: Romani “Kodi i Da Vincit” , i shkrimtarit të njohur amerikan Dan  Broun, me sa di është botuar  nga dy shtëpi botuese. Në njerën, përkthyer nga një krijues  i talentuar, fatkeqësisht ka gabime të mëdha gjuhësiore dhe logjike. Duket se libri nuk ka kaluar fare në procesin e redaktimit gjuhësor dhe korrekturës letrare. Eshtë e çuditshme si e ka lejuar një dukuri të tillë botuesi që ka studiuar për gjuhë-letërsi shqipe.

Ndodh, gjithashtu, edhe një dukuri tjetër: ribotohen vepra të përkthyera, që janë   botuar dekada me parë, sidomos  para se të vendoseshin përfundimisht regullat e drejtshkrimit, (shtator 1972), por pa kurrëfare redaktimi, a korrektimi. Si pasojë, vende-vende, ndonëse këto vepra, të përkthyera nga shqipërues të njohur dhe me pervojë,  kanë nivel të lartë artistik dhe gjuhësor, çalojnë nga ana drejtshkrimore.  

Nga këta pak shembuj del në pah një dukuri shumë shqetësuese: gjuha e shkruar,ose e folur edhe në mediat eletronike, si dhe gjuha e librave, jo vetëm nuk është përmirësuar, por, për, mjerisht,  po shfaq të meta  që kurrë nuk janë vërejtur në botimet e të gjitha llojeve gjatë periudhës komuniste.

Na vjen ose nuk na vjen mirë, por duhet të pranojmë se në atë periudhe, edhe në gjuhë  kishte “diktaturë”, por në kuptimin e mirë të fjalës. Por kjo “diktaturë” ishte e domosdoshme. Nga të gjitha  shtëpitë botuese, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Shtëpia Botuese “8 Nentori’, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Shtëpia Botuese e Librit Universitar…Mjekësor, Bujqësor,Ushtarak, si dhe se  fundi,Shtëpia  Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, asnjë vepër  nuk mund të botohej  pa iu nënshtruar rreptësisht redaktimit  dhe korrektimit letrar dhe gjuhësor. Madje, edhe korrektimit teknik në shtypshkronjë. Dhe, në qoftë se pas këtyre procesve ndonjë libër do të kishte gabime, cilado shtëpi botuese, në bashkëpunim me shtypshkronjat,  ishte e detyruar të shtonte në fund të tij një flete-korigjimi. Dhe kjo, për të respektuar lexuesin dhe gjuhën shqipe.

Gjithashtu, çdo gazetë ishte e detyruar të kishte në organikën e vet  redaktorin, ose korrektorin letrar. Madje me përvojë. 

Po kështu dhe në RTVSH kishte nje redaktor qe kontrollonte titrat dhe dialogët,  të përkthyer nga filma te huaj.

Edhe Këshilli i Ministrave kishte  gjithashtu një  redaktor që merrej me redaktimin gjuhësor të “Gazetës Zyrtare” dhe të urdhëresave më të rëndësishme të dala nga prej tij, në mënyrë që të mënjanoheshin gabimet e mundshme gjuhësore. (Do të ishte çudi që të mos ishte edhe sot një redaktor  i tillë).

Veç ketyre, herë pas here në shtyp botoheshin rubrika  për pastërtinë  e gjuhës dhe për probleme te tjera, të cilat ritrajtoheshin më thellë në revistën “Gjuha Jonë”.

Mendoj se që gjuha shqipe të shkruhet sa më pastër dhe pa gabime,duhen marrë këto masa”:

Cdo organ shtypi ose shtëpi botuese të ketë detyrimisht  në organikën e vet redaktorin letrar a gjuhësor, emri i të cilit të publikohet në cdo botim. 

Për mënjanimin e tyre, të organizohen  herë pas here kurse me gazetarë, gjatë të cilave të trajtohen rregullat e drejtshkrimit dhe probleme të tjera gjuhësore, ashtu siç qe organizuar më 1981 nga Instituti i Gjuhësisë  një kurs i tillë,i cili qe mbyllur  edhe me  një provim, nga ku gazetarët dhe redaktorët e shtëpive botuese morën edhe  dëshmi. (Për fat të keq, këto lloj seminaresh  nuk u zhvilluan më).

-Në fakultetin e gazetarisë te UT-së, në qoftë se nuk janë pëfshirë deri tani, të përfshihen  programe të gjuhes shqipe, sidomos një program i detajuar i rregullave të drejshkrimit.

Besoj se kështu në  një të ardhme të shpejtë në shtypin tonë të shkruar dhe të folur, si dhe   në botimet e librave do të kemi   përmirësim të dukshëm të nivelit  gjuhësor.

Ta shkruajmë gjuhën amëtare sa më mirë, kjo është detyrë atdhetare  e cilitdo shqiptari. Mbi të gjitha, e gazetarëve, publicistëve, shkrimtarëve, nga krijmtaria  e të cilëve mëson secili nga ne, mëson qytetari shqiptar kudo që ndodhet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat