Plakëzat

Kultura

Plakëzat

Nga: Hajdar Mallaku Më: 22 prill 2017 Në ora: 22:05
Hajdar Mallaku

Ftohja e kohës që ndodhi kohët e fundit, pas shirave dhe reshjeve të borës, na ktheu ta kujtojmë një mit të vjetër që ka zënë fill që nga koha paganizmit dhe është ruajtur deri në ditët e sotit me emra të ndryshëm si ”Miti i Plakave, Plakat e Prillit, Plakëzat” e ndonjë emër tjetër. Dallon sipas viseve ku është krijuar. Në trojet shqiptare ka variante të ndryshme, madje është e përhapur edhe te popujt tjerë të Ballkanit. Dallohen për nga koha kur kanë ndodhur (në cilin muaj): në shkurt, në mars a në prill, dallohen edhe për kah numri i plakave(një, tri, shtatë, madje dhe në vend të tyre përmendet edhe zogëla mullizeza).

Dallohen edhe arësyet pse këto plaka dalin në mal apo në një lëndinë(për të mbledhuër shkarpa, për të tjerrë bashka leshi me furkë dhe bosht dhe për të bërë muhabet, del një plakë vetëm apo me familje, plaka ose plakat dalin për t’i ruajtur bagëtnë, mullizeza(zogëla që këndon bukur dhe i çel zogjtë e saj herët, që në fund të marsit dhe Plakëzat e ngrinë). Të gjitha kanë veshje të zezë, madje edhe vetë mullizeza ka  pupla të zeza. Dallohen edhe në fjalor mitet e krijuara të kohës pagane  prej atyre që janë modifikuar me elemente të krishtera dhe emërtime turke në kohët më të vona. Te të gjitha variantet koha e zgjatjes së tyre është tri ditë. Kush kujt i merr hua tri ditë ? Dikund shkurti ia kërkon tri ditë janarit dhe ia kthen, dikund marsi shkurtit dhe e lë me  njëzet e tetë ditë e dikund prilli shkurtit.

Ky i fundit nuk ta mbush mendjen sepse prilli s’mund ta anashkalojë marsin dhe t’i kërkojë hua shkurtit kur huaja lypet te fqinji i parw. Koha prishet dhe bie borë edhe në maj, por nuk është për shkak të Plakave.  Të gjitha mallkimet që i  bëjnë plakat  “Vafsh në djall, o dimër; ma marsh të keqen, ta dhje.s.a dimrin!” nuk përkojnë me besimin në fuqitë mbinatyrore dhe në Zot, prandaj dhe mallkimi ka mallkimin, nama ka namën, fyerja ka fyerjen. Populli shqiptar në traditën e tij ka bërë urime për dimrin dhe motin e lig, ka përdorur rite, yshtje, lutje e therje bagëtish, shpezësh për ta ëmbëlsuar ashpërsinë e motit të lig dhe për ta përkëdhelur atë.

Në urimet shqiptare thuhet “Dimër i butë e ujku larg !”, “Shi e borë raftë e moti i lig mos u bëftë!”, “Bjer borë e mos pusho\ deri në gu të minit mos e qo!” Në Has, më afër në fshatin Shëngjergj, edhe vetë emri Plakëzat ngërthen në vete  dy gjëra. Prapashtesa –ëz tregon fizikun e vogël të plakave, tulatjen, përkuljen, zevzekllëkun e tyre ( të vogla por me sherr të madh), si te fjala fletëz, dhe si prapashtesë përkëdheljeje si te fjala çupëz - e ëmbël, e dashur, e përkëdhelur, por e vogël.

Koha kur janë Plakëzat shprehet me thëniet: “Plakëzat janë as në shtatë ,as në tetë ( as në shtatë, as në tetë javë para Shën Gjergjit) Kjo thënie le të kuptohet se ato janë enigmatike, nuk dihet se kur vijnë, por koha përcaktohet brënda dy javësh. Vijnë befasisht dhe me ashpërsi. Shkunden Plakat ! E shkundin mllefin. Dhe shkundja  është dridhje e njeriut, kur i vijnë mornica, krahnezë.

Krejt kuptimi i tyre është një metaforë e kufirit në mes dimrit dhe pranverës dhe i mundësive atmosferike të tyre.

Para çdo monologu të plakave përdoren fjalëzat onomatopeike “kërr-k !”- s’ta kam frikën, si kur e rrahim shuplakën e dorës së djathtë mbi grushtin e dorës së majtë dhe përdoret si sfidë, si përdhunë, si përçmim. Ose dhe ajo “tërr-t!”- si fyerje. Ja varianti i përdorur në Shëngjergj.

Në fund të muajit shkurt doli mot i mirë. Plaka i mori delet, qentë, trasten me bukë, bashkat me lesh, me furkë, shtizë dhe bosht dhe doli në mal. E ngazëllyer nga moti i mirë, si mendjelehtë që qe tha:

Kërrk kallnuer se dola në fruer!

Dhentë i kam, qentë i kam

Ty s’ta kam… (S’ta kam frikën tha mburracakja zevzeke).

Në raste tjera që i takojnë kohës më të vonë ky mit është modifikuar me fjalor dhe llogaritje turke dhe thuhet:

Tërrt arbain se dola në hamsin,

Dhentë i kam, qentë i kam

Ty s’ta kam (s’ta kam frikën).

Erbain don të thotë dyzet ditësh, periudhë që fillon nga 22 dhjetori dhe mbaron më më 31 janar dhe është periudha me mundësinë më të madhe të acarit, ashtu si ndodhi këtë vit kur temperaturat zbritën në minus 25 shkallë Celsius.

Ndërsa Hamsin don të thotë 50 ditësh. Periudhë që fillon më 1 shkurt dhe përfundon më 21 mars dhe nuk e ka kohën,  fuqinë  e Arbainit si atëherë kur gjysma e vekshit vlonte e gjysma tjetër ngrinte akull.

Dimri u iritua nga ky provokim, nga kjo fyerje dhe nënçmim dhe  veproi. Ishte brënda kuadrit të vet. Dhe Hamsini i kërkoi ndihmë vëllait të tij Arbainit( më tepër i besojmë se ishte marsi se sa prilli, kështu thotë edhe Kadare në një roman, e më pak besojmë se ishte shkurti që ia kërkoi tri ditë hua janarit dhe i bëri 31 ditë, për t’ia kthyer huanë më vonë janarit.

 Arbain , o vëlla,         ose                            Kallnuer, o vëlla,

 M’i jep tri ditë hua                                     M’i jep tri ditë hua

 Ta mbys plakën me shka ka.                     Ta mbys plakën me shka ka.                                       

Moti u keqësua sa i  çel e mbyll sytë dhe nuk i dha afat plakës për t’u kthyer në shtëpi. U ngri vetë,  me dele, me qenë dhe sot në malin e Tomorit, të Sokolicës afër Mitrovicës dhe në Pashtrik e dikund tjetër ndodhet një gur në formë plake me furkë në dorë dhe rreth saj delet dhe qentë të metamorfizuar në gurë. I pafuqishmi nuk mundi t’i kundërvihet të fuqishmit në zenitin e fuqisë së tij. Dhe sot në kohën kur mendohet se janë Plakëzat rejat e tyre u gatuajnë vjehrrave ëmbëlsira ose ushqime të mira, u flasin ëmbël, u vijnë për qejfi se ato hidhërohen dhe e prishin motin. Dhe nëse ndonjëra mahitet me vjehrrën në rast se është moti i lig duke i thënë:”Moj vjehërr, po shkunden plakat..” përgjigjja e saj vjen:” Plakat e këqia i ka mbyt dimni atëherë. Po shkundëni ju të rejat që po shkoni hava, se po të shkundem unë, më bijnë eshtnat përtoke”.

Për njeriun bashkëkohor këto duken përralla të kaluara dhe as që do të mbetemi  shumë në to, por ishin këto një begati e trashëgimisë sonë kulturore gojore për një periudhë kohore kur njeriu ishte i varur plotësisht nga natyra. Ishte atëherë në mënyren e vet si dhe sot qenie e brishtë, që e frikëson vdekja, që bartë gjatë jetës plot strese, me lakmi të pambuluara me arësye etj.

Më vjen mirë që gazeta “ Bota sot” boton herëpashere në faqet e saj të kulturës shkrime për doke, zakone, legjenda, mite, shkrime për objekte dhe personalitete  kulti  etj. Nuk pëlqehen rastet kur autorët zgjedhin informatorë të rinj, jo nga ai vend, të shkolluar por që fare nuk i dinë gjërat si duhet. Këshillohet të jenë të vjetër dhe mundësisht të pashkollë.  Të parët i karikojnë gjërat, u shtojnë gjëra nga vetja dhe ato pa vlerë, i hyjnë një vae që s’mund t’i dalin mbanë dhe mbyten në të, i ritushojnë të dhënat dhe lexuesi s’mund t’u besojë shkrimeve naïve dhe injoruese. Le ta përmendi shkrimin e gazetarit lakragji kur shkruan se “Këta ose ata i besojnë lopës. Ngriten në këmbë kur hyn lopa”. Dhe ai vetë është përtac sa edhe po t’ia hajë lopa lakrat, se ato në kokë ia ka hangër, nuk ngritet për ta trembur, as për ta lidhur. Dhe ky kalemxhi ka dhe shokë të tjerë, aso shokë që thonë “Këta ose ata besojnë në gurë”. Thuase kemi pak gurë dhe u besohet të gjithëve.

 Poashtu pëlqehet që një plakë apo plakat në foto të mos jenë

me duar të kryquara, të ulura si qyqe dhe duke bërë seri, por aktive dhe me furkë në dorë, duke tjerrë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat