Kuvendi i ShKA Agimit zgjedh Kryesinë e re

Kultura

Kuvendi i ShKA Agimit zgjedh Kryesinë e re

Më: 20 maj 2017 Në ora: 14:14
Pamje nga mbledhja e Kryesisë së ShKA Agimit

Sot në Prizren u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Shoqërisë Kulturore Artistike AGIMI, ku morën pjesë një numër i konsidrueshëm anëtarësh. Në këtë Kuvend u miratua Statuti i ri i organizatës dhe dokumenti strategjik për vitet 2017-2020. Gjithashtu, anëtarët votuan edhe përbërjen e re të Kryesisë së Agimit. Sipas statutit të ri, anëtarësia zgjedh pesë nga shtatë anëtarë sa ka gjithsej Kryesia, ndërsa dy vendet tjera do të plotësohen nga seksionet artistike me propozimin e Drejtorit Artistik. Nga dhjetë të nominuar për anëtarë të Kryesisë, pesë me më së shumti vota ishin: Besim Berisha, Agnesa Çipa Laçi, Arben Mashkulli, Flaka Xërxa dhe Arbëresha Berisha.

Sipas dokumentit strategjik të miratuar sot në Kuvend, ShKA Agimi do t’i ketë dy programe: Prodhimtarinë artistike (seksionet) dhe Kujtesën kolektive. Ky dokument përcakton që angazhim primar i ShKA Agimit në këtë periudhë do të jetë riaktivizimi i seksioneve artistike dhe rritje e vëllimit të aktivitetit dhe prodhimit artistik të seksioneve, pasi që viteve të fundit, për shkak të rrethanave, vetëm një numër i vogël seksionesh ka qenë aktive. Në kuadër të programit të Kujtesës Kolektive, dokumenti strategjik parasheh sistemimin e materialit arkivor të organizatës, studime mbi kujtesën kolektive dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë shpirtërore.

Anëtarët votuan edhe për Kryesuesin e ri të Kuvendit të Anëtarëve dhe Përfaqësuesin e Autorizuar të organizatës. Në mënyrë unanime, Kryesues i Kuvendit të Anëtarëve u zgjodh Hajrulla Çeku, ndërsa Përfaqësues i Autorizuar Arben Mashkulli.

Ditëve në vijim, Kryesia e re e ShKA Agimit do të mbajë takimin inaugurues ku do të zgjedhen Kryetari i Kryesisë dhe Drejtori Artistik, si dhe do të propozohen emrat për udhëheqësit e seksioneve artistike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat