Bienalja e Mesdheut, një bashkësi të rinjsh kundër antagonizmave në rajon

Kultura

Bienalja e Mesdheut, një bashkësi të rinjsh kundër antagonizmave në rajon

Më: 28 maj 2017 Në ora: 05:46
Bienalja

Maja ?iri?: Jemi në ish-Amabasadën Jugosllave që sigurisht është një simbol i veçantë. Unë jam këtu për të përfaqësuar si kuratore e arteve vizuale 80 artistë të Bienales së Mesdheut dhe Evropës për të rinjtë. Ish-Ambasadën Jugosllave unë do ta quaja një simbol, një metaforë për të gjithë utopitë e humbura. Ish-Jugosllavia është tani një vend transnacional  edhe këtu në sajë të artistëve nga vende të ndryshme kemi përdorur artin për të krijuar hapësirën e një menataliteti të ri, një hapësire të re politike, pra një hapësirë e re transnacionale.”

Gazetarja: Tema e kësaj bienaleje është shtëpia. Çfarë lidhjesh ka ky koncept që unë e kam parë të interpretuar në dhjetra variacione nga artistë pjesëmarrës, pikërisht me utopitë e humbur që përmende pak më parë?!

Maja ?iri?: Teorikisht utopia është diçka e paarritshme, mund të shkojmë drejt saj pa e prekur dot kurrë atë pikën e mbërritjes. Gjithsesi utopia ka të mirën që na vë në lëvizje. Unë shoh se artistët e këtij brezi janë shumë të ndjeshëm ndaj temës së shtëpisë. Ndjeshmëri që duket tek vëmendja, dhe vetëdija që shprehin për traditat, vendet dhe origjinat nga vijnë. Madje do të thosha se janë shumë më të ndjeshëm se brezat paraardhës.

Gazetarja: Sa të influencuar mund të jenë këta artistë nga fenomeni i emigracionit, sepse jemi sërish në kërkim të një shtëpie të këtyre miliona njerëzve?

Maja ?iri?: Konkretisht grupi Faxen, një grup artistësh austriak ka realizuar një radio e cila është në gjendje të kapë të gjitha frekuencat e programeve radiofonike të shqiptarëve që jetojnë në diasporë. Kjo radio vërtitet në mesin e këtyre frekuencave të humbura. Në fakt nuk janë shumë punët që merren me emigracionin, me krizën e emigrantëve në rajonin e Mesdheut, nuk e shoh si gjë të keqe. Si kuratore e nisur edhe nga një pozicion politik mendoj se gjendja e emigrantëve sot nuk duhet përdoret si një mënyrë artistike sepse është një problem shumë delikat për Mesdheun. Do t’iu përmendja një video të Daniele Costas në Muzeun Historik Kombëtar që flet për një djalosh emigrant që jeton aktualisht në Venecia dhe është më së shumti një punë poetike. Është e lehtë të rendësh pas krizave të emigracionit në Mesdhe dhe të krijosh art me to. Mjaft artistë me gjithë moshën e re janë treguar të matur për të mos krijuar qasje abuzive me këto probleme serioze.  Për mua si kuratore arti nuk duhet paqyruar por duhet të ndërhyjë, të ndërveprojë. Ish-Ambasada Jugosllave ka qenë e mbyllur, ne bëmë një ndërhyrje, hapëm një derë të mbyllur. Në këtë kuptim arti nuk duhet të përdorë atë që ekziston tashmë por të krijojë mundësi të reja.

Gazetarja: Maja e ke mbajtur parasysh që punët që do të ekspozoheshin këtu duhet ti përshateshin nga ana formale një mënyre të veçantë, duke pasur parasysh rëndësinë që ky objekt mund të ketë për historinë midis dy vendeve tona?

Maja ?iri?:  Në këtë ndërtesë ndodhet ekspozita kryesore e Bienales dhe dy projekte bashkëpunuese. Njëri prej tyre ndodhet pikërisht në këtë kat me titull ‘Një pesazh krijon një hapësirë mendore”. Pastaj është projekti që lidhet drejpërdrejtë me ish-Jugosllavinë, quhet ‘Motel Trogier’ i krijuar me pjesëmarrjen e shumë artistë të frymëzuar nga ‘Motel Trogier’ një lloj arkitekture moderniste në Kroaci. Dhe këtu dalin shumë marrëdhënie të paparashikuara, diçka që arti bashkëkohor duhet ta krijojë. Unë besoj se me këtë ekspozitë ia kemi dalë që nga këndvështrime të ndryshme të krijojmë marrëdhënie të paparashikuara, qoftë për të nxitur qytetarët e Tiranës për të hyrë në këtë ndërtesë dhe të shohin të reflektuar temën e Mesdheut. Nuk është fjala për Mesdheun si rajon por për të gjithë antagonizmat që ekzistojnë në Mesdhe dhe bëhen antagonizma globale. Ne kërkojmë atë që nga një këndvështrim psikoanalitik është Mesdheu mes nesh, brenda nesh. Edhe atëherë kur ky det nuk na lag armiqësitë mes veriut dhe jugut të Mesdheut vazhdojnë të kenë fuqi brenda nesh.

Gazetarja: Është brezi i lindur pas rënies së murit të Berlinit, është brezi që është lindur pas rënies së komunizmit në të gjithë Evropën e Lindjes. Si reflektohen shenja të kësaj epoke në veprat e tyre, nëse reflektohen? P.sh, kam parë punë të artistëve shqiptarë si Iva Lulashi, Jonida Laçi dy vajza të cilat e reflektojnë komunzimin në një mënyrë a në një tjetër.

Maja ?iri?: Iva Lulashi flet me serinë e pikturave në vaj erotiko-komunizmi që ndodhen në Galerinë Kombëtare  të Arteve. Nga ana tjetër Jonida Laçi flet me videon për hotel Vollgën në Durrës. Të dyja këta artiste bëjnë një zbërthim të narrativave historike. Ato krijojnë një zonë të dukshme që për mua si kuratore ka vlerën e artit. Arti duhet të krijojë zonat e reja të dukshme. Iva Lulashi ekspozon në Galerinë Kombëtare ku ndodhen të gjitha tablot e bukura të realizmit socialit të cilat e mungon ai këndvështrimi i censuruar, ai aspekti i penguar i erotikës në komunizëm. Iva e demostron me pikturat e saj të vogla nga filmat e kohës së socializmit dhe i zbërthen historitë me mjaft ndjeshmëri. Një artist tjetër shqiptar që ekspozon për herë të parë punët e tij në Shqipëri është Vangjush Vëllahu i cili përdor sërish metodën e dekonstruksionit. Ai udhëton në Azinë Qendrore në Kaukaz dhe bën një kërkim të mrekullueshëm mbi arkitekturën socialiste të braktisur. Ky shqiptar që jeton në Berlin është një zbulim për bienalen tonë. Videot e tij janë ekspozuar në Muzeun Kombëtar.

Gazetare: Maja ti shpreh besimin tënd që ky brez artistësh por edhe një brez qytetarësh që mendon për një të ardhme më të mirë dhe mund ta bëjë realitet këtë gjë. Cilat janë paragjykimet që ekzistojnë mbi artistët bashkëkohorë sot.

Maja ?iri?: Për mua është hera e parë që shoh dukshëm artistë kaq të vëmendshëm ndaj historisë, jo për të marrë forcë nga historia dhe nga narrativat e saj të konsoliduara tashmë. Ata nuk merren me stereotipet. Kjo më pëlqen sepse tregon se aktorët e rinj janë të vetëdijshëm për nevojën e të qenit fleksibël në një botë pa ekuilibër.

Dhe në këtë kuptim, ajo që më pëlqen në Shqipëri është prania e vlerave tradicionale. Në këtë bienale shihet një përzierje e bukur mes tradites dhe bashkëkohores. Ballkani ka qenë gjithnjë i rrezikuar nga ekzotizmi. Shpresoj që me prezantimin e artistëve në bienalen e mesdheut të mos kemi lejuar këtë mënyrë të pari nga një pjesë e botës. Madje them se ne kemi luajtur me këtë ide. Unë kam kuruar dy herë pavijonin e Serbisë në bienalen e Venecias në 2007 dhe 2013.

Në vitin 2013, titulli ishte “Nuk ka asgjë mes nesh” si një shaka. Përpiqem të kuptoj pozitën e atyre vendeve që perëndimi i sheh si ekzotike. Mendoj se në këtë bienale kemi krijuar një bashkësi të re, cka duhet të jetë edhe roli i një bienaleje si kjo për të integruar artistë me këndvështrime të ndryshme si ata që vijnë nga: Austria, Maroku për tu takuar në një kontekst të ngashëm, jo të ndryshëm.

U duhet kushtuar vëmendje këtyre artistëve sepse së paku 15 prej tyre do të jenë në skenën botërore të artit bashkëkohor në të ardhmen. Te kjo sallë ka 2-3 vepra që e konceptojnë zërin si një hapësirë mendore. Them se kjo bienale ka sjellë një ndryshim në të menduarit e veprës së artit, por pa e braktisur traditën, kjo ka rëndësi. Prandaj për artistët dhe kuratorët është një histori e bukur kjo që Tirana e krijoi në sajë të bienales dhe drejtorit të saj artistik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat