Forma, vija, ngjyra etnopsikologjia ne pikturat e Agron Mulliqit

Kultura

Forma, vija, ngjyra etnopsikologjia ne pikturat e Agron Mulliqit

Nga: Ilir Muharremi Më: 28 maj 2017 Në ora: 14:07
Ilir Muharremi

Agron Mulliqi është piktor, piktor i ngjyrës, vijës, kompozicionit, simetrisë por edhe poetikës. Ka pasur fatin të dalë nga duart e artistit të shquar Muslim Mulliqi, nga ato antinomitë tonale, herë edhe ngjyrore që krijojnë konflikt sa tragjik, herë edhe dramatik me përplasje ndërmjet realitetit ëndërror, por shumë delikat, dhe gjithnjë të përthyer mbi metaforat që janë të rrokshme. Mulliqi prezantohet në Muzeun e Kosovës me piktura që përmbajnë figura sikur ato ikonat bizantine që janë të përveçuara aq edhe të integruara me idenë gjithëpërfshirëse. Unë kam pasur rastin të shohë shumë nga pikturat e Agronit dhe të gjitha janë tip vallëzimi, simfoni formash, vallëzim ngjyrash, vetëdije dhe pavetëdije. Ai sikur vizaton shpirtin dhe zgjeron spektrin e ngjyrave, kjo është ajo e para që ta rrëmben syrin. Pastaj, forma, është shumë e ngjeshur, veçanërisht tek portretit, ku kemi portret brenda portretit. Portretet qëndrojnë në pozitë amfaz , kanë ngjyrë, ndjesi, ajër, emocion, shumë fjalë, sikur dëshirojnë të dalin nga kompozicionet, të tregojnë brutalitet, ftohtësi, afsh dëshirash, shterpësi njerëzore në zemër, e tëra kjo artistit i lind nga shoqëria e sotme. Ai me këto portrete ndez zjarrin e zemrës, ulërin dhe ndjehet si ujk i palëkundur.

Portretet janë realitete ëndërrore, tej konkretes, aspak të rëndomta, gjithnjë e më shumë poetike, kanë përmasa mistike, ja p.sh motivi është surreal, kurse realizimi me vija moderne gjeometrike, dhe e tëra nuk ka epilog, të çon drejtë të përtejmes. Portretet zhurmojnë, janë në tension, kacafyten, shkrihen në membrana me hapësira humane ekzistencialiste, përthyeje shpirtërore. Ja një punim me pamje poetike, ku ngjyra jo vetëm që shihet, por edhe nuhatet, ku artisti krijon nga pjesa e majtë shtrin horizontalisht portretet në pozita të ndryshme, herë shikohen, e herë mbajnë përqendrimin kah publiku, e herë kanë turp, mbajnë shikimin poshtë, disa sytë i kanë të mbyllur, disa vuajnë sikur tek veprat Van Gogh-ut, disa janë tejet të lumtur. Në krejt këtë rrëmujë në pjesën e sipërme, mbi kokat e tyre qëndron një mollë, pastaj mollën e gjejmë edhe brenda, dhe kjo simbolizon jetën e shëndetshme të pasur. Kjo vepër sjellë shqisën estetike dhe vizitori krijojnë ndjesinë e magjikes.

Nuk lodhem së sodituri edhe kompozicionet të ngjashme me kolazhet, apo teatër brenda teatrit, akt dhe skenë të pavarur njëra me tjetrën, ku linjat dhe format bëhen mbreti i lojës së imazhit, një imazh shumë sugjestiv, fantazmagorik, dramatik, dikund edhe tragjik, vetëm Mulliqi mund të krijoj këso realitete. Kem një kaos ngjarjesh, udhëkryq pa semafor, brishtësi, zjarre, gjemba, korba, karrige, njerëz pa identitet, pa fytyrë në lëvizje, një aranzhim i qarkuar nga zjarri dhe energjia, të zhytur krejt në një lumnajë e denduri të forta të vijave të ngopura. Në këtë kaos mirë ndjehet qëndrueshmëria shpirtërore e artistit, është një betejë e vërtetë, e afërt si situatë.

Disa kompozicione na kthejnë tek fillesat, etnoja, ajo të cilën e kultivon Mulliqi. Aty ku kanë nisur të parët: rrënjët etnike, oxhaku, miti, shqiponja. Ai migron në hapësira të moçme, ku ftillëzoheshin legjendat e etnosit dhe mbinte fara e kombit. Nuk kemi ilir dhe parailir, kemi simbole: diellin, gjarprin. Arti i tij është arkeologji. Gjarpri, sipas mitit Iliri, djali i Kadmit, prej edhe nga e kanë prejardhjen ilirët, ishte gjarpër. Kjo është metaforë, parabolë që mbronte familjen dhe vatrën. Përveç kësaj, figurat objektivizohen si relikte a paradigma etnopsikologjike: zogjtë, shqiponjat, kokat e shqiponjave ai  i çiftëzon me të zezën, por edhe me blunë, të kuqen, të verdhën e ndezur (ngjyrë e guximshme, sepse duhet të kihet kujdes kur vendoset). Artisti zgjerohet në atë se shqiponjat nuk janë vetëm simbol i joni, por i Ballkanit, Evropës, një shpend grabitqar, ky grabitqar ka pushtet njeriu.

Para së gjithash, arti i ij zbukuron jetën dhe në vete ngërthen forma në raport me jetën sociale, i lidh të pa edukuarit me ligje të mirësjelljes, pastërtisë, njerëzillëkut, të heshturin e bënë të zhurmshëm, thyen heshtjen mu në kohën që duhet. Arti i tij ruan edhe dhembjet, përjashton tmerret, neveritë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, shpërthen përsëri, në përputhje me origjinën shpirtërore, nxjerrë në pah anën domethënëse. Kam përshtypjen se Mulliqi në vetë ndjenë tepri forcash të cilat janë zbukuruese dhe si përfundim ai kërkon të çlirohet nga kjo tepricë duke krijuar vepra arti të nisura nga rrethanat së pari shpirtërore, shoqërore, psikologjike, imagjinatave dhe të gjitha peshojnë në një barometër plot imazhe domethënëse.

Begatshmëria përmbajtjesore, çiltëria kompozicionale, pastërtia, sinsibiliteti i linjës, duke u përkrahur nga ngjyrat, e bëjnë konstituivin e formës, figurave-kompozcionale, dhe janë tipare të Mulliqit. Format thyen, ndeshën njëra me tjetrën, ose ndërhyjnë mu në mes të figurave, dhe krijojnë gjeometrinë veçanërisht në kompozicionet horizontale ku vërejmë fytyra dhe jo vetëm si aksentim kompozicional, por duke u bërë pjesë përbërëse e strukturës koloristike kompozcionale. Përmes linjës ritmike, simetrisë, asimetrisë, mbarështohen nga fryma poetike e lëvizjeve shqetësuese, portreteve, autoportreteve të vetë artistit. Trikotomia e tij: ngjyrë-formë-linjë harmonizon gjuhën unikale shprehëse e cila rrugëton drejt dekadave të ardhshme.

Jeton dhe vepron si artist i lirë në Prishtinë. Në vitin 2013 prezantoi në Galerinë Kombëtare të Kosovës ekspozitën e titulluar “Simfonia e Formave”. Kjo ekspozitë ishte e ndarë në dy cikle, të titulluara “Etno” dhe “Akcente nga jeta”, të cilat trajtonin tematika të ndryshme. Në kuadër të ciklit “Etno” u ekspozuan 432 copëza të vogla të pikturuara në materialin lesonit, të cilat kanë për temë etnosin, kurse në pjesën “Akcente nga jeta” autori prezantoi 15 piktura të punuara në pëlhurë që pasqyrojnë mitet, shenjat e ilirëve, folklorin dhe vlerat tradicionale shqiptare. Ekspozita pra përbëhej nga tri mediume: qeramikë, pikturë dhe vizatim. Mulliqi u prezantua gjithashtu edhe në ekspozitën kolektive të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,  në vitin 2014, ekspozitën e tri gjeneratave. Artin e tyre në këtë ekspozitë aso kohe e prezantuan Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri, Nysret Salihamixhiqi, Hajrush Fazliu, Zake Prelvukaj, Faik Krasniqi, Agim Salihu, Majlinda Kelmendi, Xhevdet Pantina, Agron Mulliqi, Skender Boshtrakaj, Refki Gallopeni, Natali Nikolovska dhe Reshat Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat