Tregime që frymojnë guximshëm në kohë dhe hapësirë

Kultura

Tregime që frymojnë guximshëm në kohë dhe hapësirë

Nga: Xheladin Mjeku Më: 22 qershor 2017 Në ora: 22:50
Kopetina e librit

Natasha Xhelili (1975) për lexuesin është gjithnjë e më e pranuar, falë vlerave që sjell që me librin e parë poetik “Mali sheh ëndërr…”, ku shquhet për një gjuhë të çiltër dhe tejet komunikative, me figuracion të bollshëm, me metafora e mesazhe të qëlluara. Këtë vlerësim për krijimtaarinë e saj letraro-artistike e përforcon edhe më, me lërimin e prozës tregimtare, ku dëshmon bindshëm se vërtetë çasja e saj në botën letrare dhe botëkuptimet e personazheve të trajtuara aty janë analizuar me kujdes, qoftë si karaktere, qoftë si syzhe të shtjelluara me përkushtim dhe pse jo, edhe guximshëm, me plotkuptimin e fjalës.

Në gjithë opusin tregimtar që sjell në librin me tregime “Perdja e mbrëmjes”, prej rreth dyzetë tregimesh me tema e ngjarje të ndryshme, autorja gërsheton bukur situatat, ngjarjet dhe laryshinë tematike, që reflektojnë si një paraqitje episodike e pashkëputur gjatë gjithë rrugëtimit prozaik nëpër tregimet e kësaj përmbledhje. Titujt e tregimeve bashkëveprojnë në të shumtën, duke ndërlidhur tema e ngjarje pa shkëputje, sikur paraqesin një jetë të tërë me vlerat, shqetësimet, arritjet dhe preokupimet e autores.

Kjo përmbledhje tregimesh meriton trajtim të vëmendshëm nga kritika, nga fakti se konsiderohet ndër librat e veçuar tematiko-narrativ dhe mjaft mirë e realizuar.

Çasje e guximshme e shtjellimit narrativ

Pagëzimin e këtij nëntitulli “Çasje e guximshme e shtjellimit narrativ” e fiksova duke aluduar në vetë lëndën përmbajtësore që trajtohet me pedantëri dhe entuziasëm prej një krijueseje, që, si duket i ka dhënë vetes një detyrim të veçantë në rrugëtimin e saj në letrat shqipe. Ajo ka vënë në spikamë temën, si prioritet dhe latimin e karakterit të personazhit me mjeshtrinë e fjalës, pa i dhënë rëndësi anës sasiore, por gjithnjë cilësisë, që pranohet pashlyeshëm në kujtesën e lexuesit. 

Që në nismë të paraqitjes së tregimeve, Natasha Xhelili vëmendshëm shpërfaq situata jete me të gjitha vetitë, intrigat dhe rrugëtimet e ndryshme të personazheve që trajton. Në këtë përmbledhje tregimesh mjaft voluminoze, autorja nuk bën ndonjë sistemim të planifikuar, për të ndërlidhur ngjarjet, kohën apo situatat, por i sjell ashtu si një paraqitje spontane, që çdonjëri prej tyre ka botën e brendshme të komunikimit me personazhin dhe ndërtimin e ngjarjes, pavarësisht tjetrit rrëfim që do të pasoj, si ngjarje e shkëputur nga lidhja paraprake e tematikës, që trajtohet. Me këtë mënyrë të rrëfimit, autorja na shpie nëpër labirinthe të nduarnduarta ngjarjesh,  duke  plasuar shembuj të ndryshëm, varësisht se cilat prej tyre do t’i “kap” pena e saj në momentin e pikërishëm. Kjo, mbase është edhe mënyra e çasjes në temat që trajton, me pretendimin inkurajues që gjithnjë e më shumë të “zbërthej” enigma të reja tregimtare nga më të larmishmet, duke i identifikuar të veçantat e narracionit.

Kur e përmend guximin, kam parasysh disa fakor të rëndësishëm që takojmë nga njëri, në tregimin tjetër, ku hetohet zhdërvjelltësi e vazhdueshmee trajtimit tematik, sidomos prekja graduale e veseve të këqia që i imponohen shoqërisë gjithnjë e më shpesh.Natasha Xhelili me prozën e saj shquhet për përkushtimin në ndjekjen dhe luftimin e keqbërësve të profileve të ndryshme, me theks të veçantë, me përballjen me karaktere njerëzish që konsumojnë narkotikët, që për pasojë kanë shtrirjen e këtyre veprimeve në rrafsh të gjërë, duke infektuar breza të rinjësh, veçanërisht. Kështu, me frymën e saj prej pedagogeje me përvojë, autorja edhe përmes trajtimit të këtyre shkrimeve dëshmon për dhënien e shembujve të mirë të një pararoje të palodhshme, që gjithmonë di t’iu vendos diga të befasishme veçorive të tilla, që për fatin e keq e kanë katandisur në masë të konsiderueshme shoqërinë tonë.

Autorja nuk shtron tema sa për të përmbushur një zbraztësirë shkrimesh në kohë, por i qëndron besnike vigjilencës së saj, gjithnjë e më guximshëm në gjetjen paraprake të tematikës, që në momentin e futjes në “laboratorin” krijues, pastaj, ta shtrydh me tërë forcën imagjinative dhe përvojën krijuese, duke e gdhendur deri në imtësira  produktin final, me qëllimin që receptori i  saj t’i absorboj ato vlera, si krijime të bukura letrare, apo edhe si mbarështrime të qëndrueshme në rrafshin tematik dhe edukativo – stilistik.

Derisa konkludoj se gjithë krijimtaria prozaike e Natasha Xhelilit ka edhe karakteristikat e saj, që e bëjnë të dëshiruar gjithnjë e më shumë për lexuesin, mund të ilustrohen edhe me shembuj të shumtë, duke mos insistuar që të ndalojmë tek çdonjëri tregim, që do të ishte një punë shumë e gjërë për tu trajtuar, edhepse, thënë me kuptimin e mirë të fjalës, ia vlen që çdonjëri prej tregimeve të ketë një “shkoqitje” të vëmendshme, bazuar në shkrimet dhe trajtimin e ngjarjeve me një gjuhë dhe përkushtim të qëndrueshëm dhe shumë prezantues për opinionin lexues. Falë kësaj, besohet se edhe një ndalim i pjesshëm në tregimet që mund të veçohen, paraqet një pasqyrë shumë të mirë se cka në të vërtetë do të ketë në “agjenden” e tij të radhës, për të mos dyshuar në bjerrakohë, a befasi të pa këndshme. Gjithësesi ia vlen një ecje krah me ngjarjet e trajtura në tregimet e përmbledhura  në librin “Perdja e mbrëmjes”,, që të hapim atë perde, prapa së cilës fshihen ngjarje e mendime mbresëlënëse dhe plot mesazh.

Kështu, duke veçuar ndonjërin prej tregimeve ndër më mbresëlënësit, do të filloja me  tregimin “Njolla e murrme”. Këtu vërehet një trajtim i ngjarjes paksa ndryshe, ku tema sociale ndërlidhet ngushtë me familjen, edukatën dhe përkushtimin ndaj fëmijëve, sidomos në kohën kur atyre iu duhet argëtim sa më shumë dhe mund ta largojnë paksa vëmendjen rreth veprimeve të pakontrolluara. Si rrjedhojë e këtyre lëshimeve prindore gjatë kohës sa fëmijët zhvillojnë lojën, mund të sjell edhe zhdukjen eventuale, si në rastin e këtij tregimi, ku shpella është enigma dhe rikthimi i mëvonshëm, si pasojë e një harrese prindore. Pastaj ndodhin edhe fatkeqësi tjera të papritura nga pakujdesitë me pemët, që sado të këndshme dhe aromatike, mund të krijojnë edhe rreziqe. Këtu Dianën e takojmë në cilësinë e  shpëtimtares së vajzës, që në fakt ajo vjen në tërë narracionin e tregimit si fryma dhe mesazhi i të qenurit shpëtimtare, pavarësisht pafajsisë së virgjër të fëmijëve, që nganjëherë loja mund ta ketë koston e pariparueshme të jetës.

Për gjetjen tematike dhe frymën e mesazhit veçohet edhe tregimi “Lojë perëndish”, që vjen si një skenar i shtruar mirë në trajtimin domethënës të ndërgjegjësimit njerëzor, të një pendimi për humbjen e një dashurie, që më vonë do të lënte trashëgimtar të devotshëm. Ky veprim mbase mund të përcillet gjatë në mendjen dhe ëndrrat e penduesit, por në asnjë çast nuk e rikthen kohën e ikur, edhepse me plot qenjen e tij “Ai po vetëdorëzonte fronin për hir të një dashurie që e kishte humbur në vargonjtë e saj të ëmbël që ia lartonte figurën dhe plotësonte shpirtin e tij në të gjitha hollësitë. Ishte e pashmangshme: Ai po vendoste aq shpejt, fundin e tij madhështor.  Po linte gjithçka për flokët e saj të zinj, për ata sy të ulur që flirtonin mendjen e tij prej vigani”.Qëndrimi dinjitoz i femrës, pavarësisht se po përjetonte çaste të pariparueshme nga keqtrajtimet dhe vuajtet e njëpasnjëshe, bënte të pamundurën që: “Në sytë e të tjerëve ajo ishte perfekte, e zgjuar, e devotshme, e paprekshme. Askush nuk mund të fliste keq për të, ajo nuk do t`ia lejonte vetes të përgojohej, ishte e pakapshme”.Mbi bazamentin e këtij ndërtimi narrativ, autorja synon të portretizoj fuqishëm personalitetin e gruas, me të gjitha tiparet e saj, me sakrificën, qëndresën dhe besimin në jetë dhe ardhmëri, pavarësisht situatave që përjeton dhe mbijeton ajo. Autorja flet me gjuhën e personazhit, duke përmbyllur mendimin e saj, si një definicion ku e përshkruan karakterin e gruas me tiparet e përgjithësuara, qëndrimin dhe zotësinë e saj për tu mbrojtur nga e keqja në situata të ndryshme; i krijon asaj një vetëbesim të pamposhtur, duke e bindur se: “Gruaja nuk duhej të ishte një pasqyrë,  po një ditë e kyçur në ditar, jo e hapur për të tjerët. Ajo duhet të gëzonte shijen e fshehtësisë dhe të zbulimit të herëpashershëm, të kishte gjithnjë një armë të panjohur e të fortë në duart e saj”. Autorja nuk mund të anashkaloj edhe trajtimin e ngjarjeve, që përkojnë edhe me legjendat, si në rastin konkret tek tregimi “Përroi i nuses”. Ky tregim vjen i ritreguar dhe me ngyrime nga realitetet e kohës, duke zbërthyer enigmat e ndryshme rreth figurës së gruas, që smirëzinjtë nuk ngurrojnë ta shfrytëzojnë përt’i arritur synimet e tyre, qofshin ato  përfituese, apo edhe hakmarrëse, nga pamundësia e realizimit të qëllimeve të tyre, gjithnjë në dëm të palës tjetër, krejtësisht të pafajshme.

Të shumta janë tregimet, si: “Shkrepsja”,“Ndryshimi”, “Ajo”, etj. që zbërthejnë në vazhdimësi enigmën jetësore plot sakrifica dhe përpjekje të paimagjinuara, që nganjëherë kalojnë edhe mbinjerëzoren. Këto ngjarje në mënyrë mjeshtrore trajtohen nga tregimi në tjetrin, falë përkushtimit të parreshtur të Natashës, e cila, si gjithnjë në jetën e saj, mëton të sjell frymën edukative dhe të zgjasë dorën e mirësisë në tejkalimin e situatave, pavarësisht.

Preferenca e leximit nuk ndalon këtu, meqë ka edhe shumë tregime të tjera që shquhen për ndërtimin narrativ, çiltërsinë tematike dhe rrjedhshmërinë komunikative e gjuhësore, që meritojnë të shijohen si realizime të bukura artistiko-letrare. Përplot ndiesi mbresëlënëse që zgjojnë kërshërinë e lexuesit janë edhe tregimet: “Broshurat e vdekjes”, “Dashuria”, “Nusja”, Klouni”, “Gjysmat”, “Rituali”, “Shtëpia në qiell”,  “Mbi urë”, “E vdekura”, “Zgjimi i statujës”, “Midis dy burrash”, etj.

Në të gjitha tregimet që shpalosëm më lartë dhe, poaq edhe në tregimet tjera që nuk i fiksuam në këtë vështrim të shkurtër, konsideroj se autorja nuk ka anashkaluar qenësoren e temave të shtjelluara me mjaft përkushtim, që tashmë janë të njohura edhe për lexuesin, duke i luftuar me ngulm veset e shoqërisë sonë, që kohëve të fundit kanë marrë përmasa gjithnjë e më të gjëra dhe më të shpeshta, si; prostitucioni, fajdexhinjtë, grabitësit e ndryshëm, mashtruesit e paskrupullt, puthadorët, intrigantët, etj.

Komunikimi tekstual dhe atraktiviteti tematik

Krijimtaria letrare e Natasha Xhelilit, e sidomos kjo në prozë shquhet për gjuhën e pastër, për komunikimin tekstual me lexuesin dhe për fondin e madh të toponimeve, qofshin ato nga vendet reale, apo të sajuara, por që e bëjnë shumë atraktive ngjarjen, duke e përshkuar  me ngjyrime letrare dhe peisazh ambiental, që në leximin spontan konsistojnë në pamje filmike plot jetë e bukuri ambienti prej nga buron tematika, duke shpërfaqur jetën me fiksion real apo imagjinativ, në frymën e ngjarjeve që shtrohen si objektiv i kjartësuar kujdesshëm dhe me invencion.

Në relacionet e këtij ndërtimi narrativ dhe mjaft mjeshtror Natasha Xhelili sikur dëshmon se ka arritur ta perfeksionoj dukshëm stilin e saj prej prozatoreje, falë përvojës së saj prej pedagogeje, që prej vitesh ka në programin e saj shpjegimin e vlerave letrare dhe mesazhin që del nga krijimtaria e autorëve të ndryshëm. Kultivimi i kësaj përvoje tashmë të njohur, gjithësesi sjell edhe frutat e veta, që për asnjë çast nuk mund të vihen në dyshim. Komunikimi me lexuesin në mënyrën më të kapshme, modestia e të rrëfyerit dhe transparenca tematike ia mundësojnë atij kapjen e tematikës dhe zbërthimin e mesazhit në plotni. Kjo, mbase edhe është qëllimi i këtyre tregimeve, që farfurojnë tematikisht dhe artistikisht në gjithë lëndën rrëfimore të prezantuar këtu, si tërësi e një libri të realizuar me përkushtim dhe pedantëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat