GKK shpall konkurs për Ekspozitën Ndërkombëtare të Fotografisë ‘Gjon Mili 2017’

Kultura

GKK shpall konkurs për Ekspozitën Ndërkombëtare të Fotografisë ‘Gjon Mili 2017’

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 13:29
Gjon Mili 2017

Duke shkuar përtej një ekspozite klasike të fotografisë, “Gjon Mili 2017” do të ekspozojë një narrativ të zgjeruar të fotografisë përmes objekteve fotografike, instalacioneve, projeksioneve, informatave të “gjalla” vizuale, dhe “letër-mureve të lëvizshme”, përcjellë KultPlus.

Galeria Kombëtare e Kosovës ka hapur konkurs për pjesëmarrje në edicionin e 15-të të ekspozitës dhe Çmimit Ndërkombëtar të Fotografisë "Gjon Mili” 2017. Ko ekspozitë vjen e kuruar nga Alfredo Cramerotti, ndërsa asistent kuratori është Atdhe Mulla.
Koncepti kuratorial këtë vit është: Hiperimazhi! Imazhet brenda dhe jashtë ekraneve tona

“Ne u referohemi imazheve, ose aktit të krijimit të tyre, duke vepruar në aspektin social, politik dhe madje privat. Si pasojë e erës digjitale të fotografisë, mënyra se si jemi të involvuar në krijimin e imazheve është e vazhdueshme: ne mund ti qasemi si funksion specifik profesional ose artistik, ose ta bëjmë atë pjesë të mënyrës së formimit të ekzistencës sonë. Kur imazhet digjitale imponohen si përkthime vizuale të vetes, kuptimi i fotografisë tenton të largohet nga praktikat standarde të përfaqësimit. Imazhet komponojnë një rrjedhë kohore vizuale, të krahasueshme me një narracion linear tekstual, ku gramatika përbëhet nga listat e shopingut, bisedat, komentet e mediave sociale ose e-mailave të punës”, thuhet në njoftim.

Duke treguar tutje se edhe pse këto imazhe nuk janë koherente kur vëzhgohen bashkërisht dhe janë të prodhuara për arsye të ndryshme, ato bëhen “pjesëza” informatash që vizualisht përkthejnë kontekstet e ndryshme në atë që ne dëshirojmë të tjerët të mendojmë për ne. Atëherë ato mund të kuptohen si alfabet piktorial ku mundësitë e komunikimit janë të pafundme dhe universale, të liruara nga kufizimet e ndërlidhura me përkthimin tekstual. Rezultati është rrjedhë e formave vizuale dhe domethënieve që mund të shkëmbehen, pavarësisht prej situatave në të cilat janë krijuar ose konsumuar ato.

Gjon Mili 2017 tenton të vejë në pyetje këtë hipotezë, duke u fokusuar në krijimin e imazhit në erën digjitale, ai tenton të testojë se “autorësia vizuale” sot, a asocohet ende me mbajtjen e një pozite specifike përmes idesë së përfaqësimit, apo ka të bëjë më shumë me zhytjen në një proces vazhdimisht të ndryshueshëm i cili kurrë nuk e prodhon një vepër të “përfunduar” për ekspozim.

Duke shkuar përtej një ekspozite klasike të fotografisë, Gjon Mili 2017 do të ekspozojë një narrativ të zgjeruar të fotografisë përmes objekteve fotografike, instalacioneve, projeksioneve, informatave të “gjalla” vizuale, dhe “letër-mureve të lëvizshme”që do të testojnë racionalen kuratoriale, dhe do të angazhojnë vizitorët në një shteg të zbulimit, vetë-reflektimit dhe hulumtimit të hapur për statusin e kulturës vizuale të fillim- shekullit 21.

Dokumentet e kërkuara: Fotografi ose / dhe koncept që reflektojnë konceptin kuratorial, formulari për aplikim (mund të merret në Galerinë Kombëtare të Kosovës), portfolio dhe biografia, punimi më i suksesshëm do të shpërblehet me Çmimin “Gjon Mili” në vlerë prej 1.000 euro.

Aplikimet në zarf dërgohen në adresën: “Galeria Kombëtare e Kosovës, Rr. Agim Ramadani 360, 10000, Prishtinë”, çdo ditë pune nga ora 08:00-16.00 deri më datë 15 korrik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat