“Autobiografia” në pikturën e Xhevdet Xhafës

Kultura

“Autobiografia” në pikturën e Xhevdet Xhafës

Nga: Bislim Aliu Më: 23 korrik 2017 Në ora: 13:36
Bislim Aliu

Kreativiteti  i çdo krijuesi matet me shpërfaqjen e lartë  të ndiesimit  në kreativitetin e tij  ideor dhe të formësimit kreativ, sensitive dhe përmbajtësor. Ndaj, në këtë idejshmëri të  lartë të kreativitetit rrezativ ideor e shpirtëror bënë pjesë piktura e Xhevdet Xhafës.

Xhevdet Xhafa i takon brezit të vjetër dhe të artë, të piktorëve kosovarë që, pa dyshim, luajtën rol parësor në zhvillimin e artit pamor në Kosovë, por edhe më gjerë. Ky doajen i pikturës kosovare, arriti shkallën e lartë të kreativitetit dhe të rrëfimit përmbajtësor. Kjo madhështi e tij, e rrëfimit ideor e sensitive, e renditën në mesin e piktorëve më të dalluar kombëtar, dhe, besa, edhe në atë ndërkombëtar. Xhafa i takon brezit të parë të piktorëve modern në Kosovë.

Me këtë modernitet të lartë kreativ, ai krijon, harmoni të jashtëzakonshme të formës, të ngjyrave dhe të simboleve, duke ndërtuar një botë autentike me të cilën secili mund ta gjejë të kaluarën, por edhe ta njohë të tashmën. Zatën, me këtë modernitet të skajshëm, ai  vendosmërisht, hyrë me vetëdije të plotë në fushën e abstraksionit asociativ. Këto tablo abstrakto-lirike, të komponuara me ngjyrë të zezë, në sfond të bardhë, na orojnë asociacione të larta ekspresioniste. Ky ekspresivitet i ravijëzuar, ka një shkallë shumë të lartë të rrëfimit përmbajtësor.

Pikturat e tij, nuk kanë emra të veçantë por të gjitha veprat e tij, e krijojnë Autobiografinë e tij shpirtërore. Dhe, me këtë kreativitet të lartë shpirtëror, ai ekspozoi jo vetëm në vend por edhe jashta vendit, si në Tiranë, Lubjanë, Beograd, Paris, Romë, Vjenë, Sidnei… ku mori shumë shpërblime e mirënjohje, të cilat tregojnë dendur origjinalitetin dhe kreativitetin ndiesor në pikturë.

Individualiteti  i veçantë i rrëfimit në Autobiografi

“Ngjyrat leckat të gjitha i dua, Me këto mjete i shpreh ndjenjat, shqetësimet, të lidhura këto me zemrën, kokën, kohën. Inspirim, imagjinatë, guxim, ngarkesa psikike, tronditëse, jam unë në këto piktura”, thotë piktori Xhafa. Ai ka një opus të gjerë veprash dhe është i njohur për nga pikturat abstrakte, me elemente të kolazhit të materializuara me veshje dhe stoli nga arti popullor autokton. Ky art i tij është mjeshtërisht i realizuar bukur, meqë në  të ngërthehet një autoktonizëm i mirëfilltë. Kjo brengë e tij është fare vetjake. Në pikturën e tij tejet origjinale, piktori me vetëdije e bën një sinkronizim ndërmjet mjeteve shprehëse dhe përfyryrimit artistik. Dhe, nga këto mjete shprehëse, nga ngjyra e zezë deri te leckat, paraqesin simbolikën dramatike, e në anën tjetër, paraqesin një lidhmëri të lartë  artistike. Me këte arti i  tij, pa mëdyshje, e sfidon mendjen në procese rrëfimi. Ndaj, e gjithë kjo e shprehur bukur, në të vetmin cikël; “AUTOBIOGRAFIA”.

Në këtë Autobiografi, është shprehur Autobiografia shpirtërore e tij, e unit dhe e intimitetit të tij. Në këtë intimitet, është shprehur edhe kolektiviteti (mjedisi) i vendit të tij. Andaj, cikli “Autobiografia” radhitet në mesin e cikleve më antologjik, jo vetëm në pikturën kosovare, por edhe në pikturën gjithëkombëtare. Në pikturën e xhafës përdoren ngjyrat; e zeza dhe e bardha, leckat dhe simbolet tjera që krijojnë harmoni të jashtëzakonshme të formave dhe ngjyrave, të cilat bashkohen në një tërësi fare përmbajtësore. Ky piktor, në shpirtëroren e vet, ka aq shumë dashuri për artin tonë popullor, sa s’ka asnjë piktor  tjetër i yni. Dhe, mu për këtë veti autoktone, ai i mbeti me devotshmëri këtij arti burimor.

Rrobat e njeriut, leckat dhe gjësendet e tjera, janë paraqitur me plotësi të lartë, ndaj të gjitha këto së bashku, tregojnë veçantinë e artit burimor autokton. Pa dyshim, piktura e tij, është një dëshmi e vërtetë nga realiteti jetësor, në kontekstin gjeografik, social dhe etnik. Në këto vepra, përherë vërehet një rrëfim vetjak ekspresiv dhe një përsosmëri e lartë e rrëfimit përmbajtësor.

Autobiografia, rrëfimi sensitive i unit dhe i ambientit të tij

Kjo intimë e lartë e tij dhe ky rrëfim fare sensitin e ndiesor, është pikturuar me një invencion shumë të lartë. Zatën, ky rrëfim përkushtues dhe i shprehur me plotëni në këtë Autobiografi, pa mëdyshje, është një reminishencë e gjallë, me plot vuajtje, varfëri e katrahura të larta shpirtërore.

S’do mend se Autobiografia e tij, është e brumosur me rrëmetin e kohës. E, ky rrëmet, vazhdimisht shpërfaqet, si një dialog i përhershëm i fuzionimit, të formave në kompozicion të lartë, gjë që dëshmon, për një shkallë të lartë të një krijimi imagjinativ.Edhe pse sot kemi shumë izma të shprehjes në art, Xhevdet Xhafa, këtyre izmave, iu përgjigj me një rezervë të theksuar.  Me këtë shprehje fare vetjake, ai nuk e kapërceu vetvetën. Ai mbeti  aty ku ishte.  Mbeti  shpirtërorja e tij, sensi dhe idealizmi i tij dhe, mbeti ndiesimi i lartë e përmbajtësor i tij.

Në shpirtin e tij mbeti uni  i magjepsur dhe fshehtësia e ruajtjes së artit autokton.  Dhe, në këtë udhë, të rrëfimit të tij fare sensitive dhe të trasuar për mrekulli, mbeti përherë uni rrëfimtar i tij. Zatën, kjo udhë është identiteti i tij dhe shpirtërorja e rezonuar e tij.

Autobiografia e tij,është biografia jona në përgjithësi.  Andaj, Autobiografia e tij, është e veçanta e tij. Uni, delli dhe shpirtërorja e tij. Në këtë intimë rrëfyese dhe fare ndiesore të tij, është shprehur me plotëni edhe kolektiviteti i vendit ku lindi, u zhvillua dhe u formua piktori. Pra, Autobiografia e Xhevdet Xhafës, është e jona, e këtij trolli, e këtij dheu, e këtij ambient dhe, mbi të gjitha, është autobiografia e të gjithë neve në përgjithësi.

Piktura e tij, fare individuale, do të mbetet përherë në memorjen e artdashësve, si një intimë e lartë autoktone. Ky idealizëm i lartë dhe ky idil i tij fare përmbajtësor, do të mbetet gjithmonë idili ynë në përgjithësi me rrëfimin e tij në veçanti… 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat