Rrëfimi i aktores Adelina Muça për rolet në skenë dhe në jetë

Kultura

Rrëfimi i aktores Adelina Muça për rolet në skenë dhe në jetë

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 15:11
Adelina Muça

Ka qenë dikur midis të tjerave një shtëpi plot karafila tek “Pazari i ri” që, teksa i kaloje pranë të mbyste aroma e freskët e luleve. Aty rritej një vajzë plot ëndrra dhe me një dashuri të pamasë për artin e veçanërisht teatrin . Edhe pse kanë kaluar shumë vite e të shumta janë gjërat që kanë ndryshuar, në po të njëjtat rrugica Adelina Muça ka zgjedhur të rrisë edhe vajzën e saj, Nohan. Aktorja rrëfen për revistën “EJANI” pse dashurinë për filmin dhe teatrin e ka trashëguar nga e ëma. “Ime më nuk linte film pa parë. Madje tregon se më ka çuar në kinema qëkur isha ende me pelena”.

Ajo kujton se pasi darkonin, të dyja nënë e bijë shkonin tek “17 Nëntori” ose te “Partizani”. Në kujtesën e Adelinës janë skalitur filmat e vjetër me aktore, si Sofia Loren etj. “Madje edhe jeta ime me time më ka qenë si nëpër filma”, pohon ajo. Ishte pikërisht mënyra se si silleshim e deri edhe tek veshja ajo çka i evidentonte nga njerëzit që i rrethonin sipas aktores. Prej edukatës dhe vlerave me të cilat është ushqyer që në fëmijëri tek Adelina është vështirë të mos pikasësh ngjyrat e ngrohta të komunikimit, sjelljes së mirë e natyrën miqësore e entuziazmit për t’u përfshirë në punë me mish dhe shpirt.

“Ime më nuk dëshironte të ushtronte presion tek unë për të kryer detyrat e mia, pasi kërkonte që të bëhesha vetë e ndërgjegjshme. Një gjë e tillë më nxiti që të filloja të punoja në moshë fare të re”. Puna e parë me pagesë e Adelinës do të ishte në RTSH, në emisionet e fëmijëve me zotin Shkëlzen Zalli e shumë gazetarësh të tjerë. Do të ishte pikërisht duke u angazhuar me këto programacione për fëmijë që aktorja do të nisë ta ndiej veten produktive. Aty ajo do të nis të punojë (me honorarë) edhe në emisionet për të rritur. Edhe pse puna ishte e lodhshme, dëshira për të kontiubuar në ekonominë e shtëpisë, për të qenë e pavarur dhe e përgjegjshme, por edhe për t’i çuar detyrat gjer në fund  bënin që Adelina të çohej në orën 5 të mëngjesit dhe të bënte çdo ditë në këmbë rrugën për te radioja. “Njëherë jam ngritur në errësirë, kam shkuar në radio dhe prisja gazetat që të vinin. Roja më pyeti se përse kisha shkuar aq herët, ndërsa zonjat që rrinin atje bashkuan karriget dhe bën që unë të flija deri në mëngjes”, rrëfen Muçaj.

Ajo shprehet se për të RTSH ka qenë një shkollë më vete prej së cilës ka mësuar shumë për gazetarinë, por mbi të gjitha se si të sillej në jetë me njerëzit. Adelina kujton se kur erdhi koha për të vendosur për drejtimin profesional, e ëma mori një sërë masash që ta përgatiste për të konkurruar për mjekësi ose farmaci, pasi pavarësisht dashurisë që kishte e bija për artin, nuk të ofronte shumë mundësi ekonomike. Ajo konkurroi dhe fitoi, mirëpo edhe pse e vogël kuptoi se nuk ishte kjo ajo çka dëshironte, dhe vendosi ta linte. “Pavarësisht  investimit në kohë edhe kurse, kuptova se nuk doja të punoja si farmaciste duke ndenjur në një dyqan mes katër muresh për 8 orë me radhë, pasi unë jam natyrë që jam mësuar të lëviz dhe të jap”.

Si përfundim e ëma do të mërzitej dhe do ta linte një vit pa shkollë, deri sa vitin e ardhshëm nëpërmjet ndihmës së njerëzve që njihte në Radio Tirana do të studionte platformat e duhura regjisoriale dhe do të konkurronte për regji. Vitin e parë akademik ajo do të njihej me teatrin. “Aty u dashurova me teatrin edhe lashë çdo gjë që kishte lidhje me radion dhe televizionin. Kuptova se ishte pikërisht kjo që doja, pasi teatri më mbushte shpirtërisht”. Rolin e parë në teatër Adelina do ta luante në Itali, në vitin 2007. Regjisori Fabio Telede, ish- nxënës i Grotoëskit do ta përzgjidhte atë nëpërmjet një audicioni, si “Penelope-n” e shfaqjes së tij teatrale.

Pas kësaj eksperience në shtetin fqinjë Adelina do të vishte petkat e “malësores” në shfaqjen e Enton Kacas, një rol jo nga teatri klasik, që do t’i linte aktores një shije shumë të mirë. Rikthimi i mëvonshëm në Itali për dy periudha të ndryshme do ta njihte me disiplinën e punës. Ajo do të ishte pjesë e një grupi prej 18 vetësh, të cilët ushtroheshin vazhdimisht qoftë fizikisht ashtu dhe me zërin, madje edhe duke pastruar vendin e punës. “Mënyra sesi punohej atje më ka dhënë diçka plus, që ndoshta këtu nuk do të kisha arritur ta perceptoja”, thotë Adelina ndërsa tregon për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të aktorëve në shtetin fqinjë.

“Kur hyje në kenë e shihje partnerin në sy edhe mezi prisje të bënte më të mirën e mundshme, një dashuri dhe respekt reciprok për punën e njëri-tjetrit”. Gjatë kësaj eksperience Adelina do të mësonte shumë edhe nga ana regjisoriale si dhe në aspektin e menaxhimit, njohuri të cilat do të mundohej t’i investonte në Tiranë gjatë eksperiencës së saj si drejtoreshë artistike në Teatrin e Metropolit. “Mësova që ky është një profesion për njerëz që duan të japin dhe të dhurojnë, jo për njerëz që duan që të marrin nëpërmjet artit. Unë jam natyrë që jam mësuar që të jap në të gjithë jetën time ndaj gjeta veten në këtë lloj mënyre të të punuarit”, shprehet aktorja.

Njohja me Hervin Çulin

Me Hervinin është njohur në Teatrin e Metropolit, në një periudhë jo fort të mirë për regjisorin pasi ishte i papunë. “Erdhi për të bërë një shfaqje dhe më ofroi një rol. I thashë se nuk duhet ta bënte diçka të tillë pasi nuk më kishte parë ndonjëherë në skenë”. E ndërsa përgjigjja e aktores i rrëmbeu një buzëqeshje Çulit, ajo i dorëzoi një cv të roleve që kishte bërë. Regjisori vuri re se Adelina kishte qenë e angazhuar gjatë gjithë kohës dhe e shikon, duke i thënë :“Ma mbushe mendjen!”.  Kështu Adelina përpos rolit rrëfen se nisi të angazhohej edhe me pjesën organizative të shfaqjes, me kostumet, skenën si dhe reklamimin në rrjetet sociale. Lindi kështu shoqëria mes të dyve. “Dilnim pinim ndonjë kafe, edhe pse ai dilte rrallë, nuk ishte një periudhë shumë e mirë për të. Vinte punonte, por nuk kishte dëshirën e mirë për të qenë prezent në shoqëri”.

Ndërkohë që njohjen e tyre e ka mbështetur fort aktori i ndjerë, Fatos Sela. Aktorja rrëfen se ai organizonte dreka pune, ose përpiqej t’u krijonte një mundësi që të kalonin kohë bashkë. Më vonë Adelina do të mësonte se Sela i pati thënë Çulit : “Mos e lërë të të ikë, se kjo është një xhevahir i vogël”. “Në një farë mënyre ai ka qenë shkesi ynë”, tregon Adelina me përzemërsi. Dhe kështu një ditë të bukur Hervini do t’i propozojë, në një mënyrë të padëgjuar më parë, sa të çuditshme aq edhe romantike e të sinqertë: “Dua një fëmijë me ty, me fytyrën tënde edhe e dua vajzë”. Edhe kështu ndodhi. Ata u bekuan, me një vajzë të bukur e të talentuar, Nohan e vogël. Noha ka mbërritur në këtë jetë si një mrekulli, ashtu si barka e shpëtimit me të njëjtin emër pasi prindërit gjendeshin në një moment të vështirë, të dy padrejtësisht të papunësuar. Hervini në atë periudhë nuk ishe as drejtor e as regjisor për më tepër nuk kishte miq, pasi miqtë nuk kishin interesa të ishin pranë tij, rrëfen Adelina.

“Për ne Noha ishte tamam varka e shpëtimit. Ardhja e saj ka qenë bekim për të dy!”. Në momentin që do kryenin celebrimet Adelina na rrëfen se u pushua në mënyrë të padrejtë e jo ligjore nga puna, edhe pse ajo kishte katër vjet me radhë që i ishte dedikuar atij teatri me mish e me shpirt. “Kisha investuar katër vite pa fund, nuk kisha jetë veç atij teatri, deri te shtrimi i pllakave kam ndërhyrë dhe muret kam lyer atje”. Çifti i ri asokohe, të sapobërë prindër nuk kishin as mundësitë ekonomike e as kushtet për të rendur pas gjyqeve. Por aman, e gjitha kjo që ndodhi bëri që të ndiqnin njësitë e brendshme edhe të mos i kryenin celebrimet, me kryetarin e bashkisë së Tiranës, asokohe që është edhe kryeministri i Shqipërisë sot. “Celebrimi bëhet në bashki edhe thoja: Kush do të vendos për dashurinë time, ai që vendosi për bukën time të gojës? Kjo është një nga gjërat që tregon sesa njerëz normal dhe shpirtëror jemi ne të dy”, rrëfen Adelina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat