Ilirjan Himaj, fituesi i “9/11”

Kultura

Ilirjan Himaj, fituesi i “9/11”

Nga: B. Dodaj Më: 13 shtator 2010 Në ora: 09:13

Edicioni i shtatë i festivalit të filmit të shkurtër, “Nine Eleven”, i cili çdo vit solidarizohet me popullin amerikan, duke përkujtuar kështu ngjarjen e 11 shtatorit, ka përfunduar rrugëtimin e tij katër-ditorë në Prishtinë. Ilirjan Himaj, me filmin, “In memoriam” është krijuesi i cili ka rrëmbyer më së shumti çmime në këtë edicion, përfshirë këtu çmimin për filmin më të mirë, për skenarin më të mirë dhe regjinë më të mirë duke vijuar me çmimin për muzikën më të mirë që i ka takuar Trimor Dhomit dhe atë për fotografinë më të mirë, Latif Hasollit. Ndërsa Bislim Muçaj ka rrëmbyer çmimin për aktorin më të mirë për rolin e tij në filmin “Kohë, kohë pas kohe” me skenar dhe regji të Birol Urcan, ndërsa Aurita Agushi është shpërblyer me çmimin aktorja më e mirë për rolin e saj në filmin e Gazmend Nelës “Muri”. Çmimi për montazhin më të mirë i ka takuar Arianit Gjonbalaj për filmin “Për ters at’ çast” të regjisorit dhe skenaristit Gentian Koçi.

Ndryshe, “In memoraim” ka për personazh një djalë të cilin trauma nga e kaluara dhe mungesa e familjes e drejton në aktivitete të çuditshme posaçërisht në kureshtjen e tij ndaj zjarrit. Ndërkohë që më pas ai njihet me një vajzë së cilës “djali i çuditshëm”, i bën përshtypje, mirëpo në fund ajo pëson duke u bërë viktimë e tij.

Ky edicion i festivalit, “Nine Eleven”, ka shfaqur gjithsej 17 filma shqiptarë dhe një nga të veçantat që ka sjellë këtë vit ishte se ky edicion i është kushtuar aktorit të ndjerë Bekim Fehmiut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat