Zhvillohet në Shkodër edicioni i pestë i "Ahengut Shkodran"

Kultura

Zhvillohet në Shkodër edicioni i pestë i "Ahengut Shkodran"

Nga: Ramazan Çeka Më: 13 tetor 2017 Në ora: 23:41
Ahengu Shkodran

Për "Ahengun Shkodran" janë bërë me dhjetra e qindra studime shkencore dhe shkrime publicistike, sepse "Ahengu Shkodran" nuk është thjeshtë një krijimtari dhe manifestim artistik, por një pasuri e madhe që lidhet ngushtësisht me shpirtin shekullor të një populli, kështu që ai jeton i gjallë bashkë me vetë popullsinë që e ruan dhe trashëgon, duke krijuar kështu traditën.

   "Ahengu Shkodran" është tanimë një institucion kulturorë që na bën krenar.

   Në këtë shkrim nuk do të ndalemi tek vlerat dhe karakteristikat historike e bashkëkohore të "Ahengut Shkodran", sepse për këto vlera me 29 shtator, Ditën e Trashëgimisë Kulturore nga Bashkia Shkodër dhe Qendra Kulturore "Pjetër Gaci" në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike në mjediset karakteristike të Muzeut "Oso Kuka" në Shkodër mblodhi në odën e burrave të kësaj shtëpie të vjetër, specialistë të fushës së folklorit, të muzikologjisë dhe të historisë ku pati mjaft diskutime nga të pranishmit, që përmes fjalës së tyre evokuan vlerat e kësaj pasurie kombëtare, por vunë në dukje edhe problematikat që dalin për t'i ruajtur ato deri në ditët tona dhe për t'i transmetuar tek brezat e rinj.

Image

   U ulën në këtë tryezë tradicionale dhe shkencore profesorët e shquar Ferid Bala, Zef Çoba, Ridvan Karakaçi, pedagogu Arben Prendi, si dhe profesor Behar Arllati nga Gjakova, i cili merr pjesë për herë të dytë në këtë manifestim me shumë vlera, të përvitshëm që ruan identitetin e "Ahengut Shkodran" dhe të vetë Shkodrës si qytet me tradita mijëvjeçare, të cilët evokuan emrat e mëdhenj dhe të paharrueshëm të artistëve shkodranë që krijuan këtë vlerë kaq të madhe të pasurisë kombëtare të popullit tonë.

      Në këtë takim ra në sy mungesa e shkrimtarit dhe studiuesit të artit dhe kulturës z.Isa Alibali, i cili jo vetëm që ka dhënë një kontribut të shquar në këtë fushë si drejtues për shumë vite në Teatrin "Migjeni", ka krijuar Shoqaten "Dashamirët e Këngës Shkodrane", por në studimet e tij të pafundme do të mjaftonte vetëm Libri "Në Shkodër të gjithë këndojnë" që ai të meritonte respektin e profesorit.

   Por këtu unë nuk do të zgjatem, sepse kjo është një temë më vete, por do të merrem më shumë me vetë aktivitetin artistik që u zhvillua me këtë rast në Teatrin "Migjeni" ku gjithashtu organizatorët ishin institucionet që kam përmendur më sipër.

   "Çfarë është kjo magji, e filloi prezantimin e shfaqjes moderatorja simpatike Gentiana Dani, që mbart me vete kënga popullore shkodrane dhe këtë ju do ta shijoni dhe zbuloni gjatë kësaj mbrëmje".

Image

   Kështu iu drejtua ajo spektatorëve dhe kështu ndodhi. Tingujt e magjishëm të kësaj muzike të mrekullueshme, të këtyre këngëve të papërsëritshme, pushtuan sallën e këtij tempulli në një mënyrë krejt të re e befasuese, pasi këtë natë nuk këndonin korifejtë e "Ahengut Shkodran", por bijtë e bijat, nipërit dhe mbesat e tyre, ai brez i mrekullueshëm që me talentin e tij i bën këngët e "Ahengut Shodran" të pavdekshme, duke treguar se tradita e këngës popullore qytetare shkodrane jeton e gjallë.

   Një traditë vdes kur nuk ka kush e trashëgon atë, por është vitale dhe e përjetshme kur trashëgohet brez pas brezi.

   Kjo për mendimin tim, por edhe sipas ideve që u hodhën në takimin shkencor është suksesi, e aq më shumë, kur në skenë e sjellin zërat e rinj.

   Koncerti ishte i mrekullueshëm, publiku e priti jo vetëm si spektator, por në pjesën më të madhe edhe si një këngëtar i apasionuar, duke kënduar bashkë me solistët, e duke i shoqëruar ato si një kor i madh shkodran, duke i përjetuar këngët si qindra vjet më parë në dasma e gëzime familjare.

   A mund të mos ishin pjesëmarrës të këtij aktiviteti edhe këngëtarë të shquar të këngës popullore që nga brezat më të vjetër e deri në mosha më të reja se ata.

   A mund mos të këndonte në këtë festë virtuozi gjakovar, legjenda e gjallë e këngës shqipe Ismet Peja, këngëtari i shquar ulqinak Shaban Gjeka, e mrekullueshmja zonjë e Shkodrës, këngëtarja Mukades Çanga "Mjeshtre e Madhe", si dhe këngëtarë të tjerë të ftuar si Ismet Bogujevci, Riza Bytyçi, Kamuran Gorançi, gjë që tregon se këngët e ahengut shkodran janë kënduar jo vetëm në Shkodër, por edhe në treva të tjera jashtë saj, që nga Shqipëria e Mesme, e deri në Kosovë.

   Një vend të veçantë meriton në këtë shkrim, ashtu siç meritonte edhe në shfaqje, këngëtari popullor aq i njohur e aq i dashur për shkodranët Agim Molla, që po të shprehemi me një metaforë është biblioteka dhe fonoteka e repertorit të "Ahengut Shkodran".

   I saktë dhe i pagabueshëm, njohës autodidakt i këtij organizimi artistik që quhet "Ahengu Shkodran" me të gjitha rregullat dhe zbatues rigoroz që, me interpretimet e tij, të befason, jo vetëm në evente familjare e shoqërore, por edhe në një skenë madhështore siç është ajo e Teatrit "Migjeni".

   Katërmbëdhjetë këngëtarë të rinj interpretuan në këtë natë dhe e ndjej si detyrim dhe respekt ndaj tyre t'ua përmend emrat, jo thjesht si stimulim, por sepse e meritojnë një vëmendje të tillë.

   Anisa Smajlaj, një vajzë energjike me një zë potent që përshtatet me stile të ndryshme të këngës. Artemisa Mithi, ngjyra e zërit të saj bëri për vete anëtarët e jurisë "Gjeniu i vogël". Glerdit Turmetaj, me një zë të ëmbël, pjesëmarrës në Festivalin "Zambaku i Prizrenit" që u organizua pak ditë më parë. Klodiana Vata, vajzë kurajoze, e kemi ndjekur edhe në "Talent Show", guxon të këndojë edhe jare. Bruna Sata, talentin e ka në traditen e familjes. Klinsman Llazani, tipik ahengxhi ashik që edhe Shyqyri Alushi me Agim Mollen do t'ia kishin zili. Egzona Salaj, jeten e ndan mes Ulqinit dhe Shkodrës. Kemi fatin që ka studiuar në Shkodër dhe tani vazhdon studimet për kanto në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ilsi Ademi, sapo ka rrëmbyer një trofe në Festivalin "Zambaku i Prizrenit" si interpretuesi më i mirë. Riad Bashi, përveç talentit me vullnet ai kërkon të arrijë limitet e suksesit me vokalin dhe prezencën e tij. Niki Mjeda, e hijshme në skenë dhe e sukseshme në interpretim. Migena Buci, këndon aq bukur dhe me pasion. Ademir Fresku, ndonëse është një instrumentist pianist, këngën dhe veçanërisht atë popullore e ka pasion. Marjana Begu, jo më kot është fituese, ajo nuk i trembet sfidave dhe guxon të këndojë këngët më të vështira. Xhuljana Pjetraj, fioriturat e zërit të saj janë origjinale dhe këngët e preferuara të saj janë jaret.

   Të gjithë këta këngëtarë në interpretimin e tyre të shkëlqyer live, u shoqëruan nga formacioni orkestral, Anton Kaftalli, Namik Jahja, Indrit Kodraliu, Dritan Mlika, Myrto Dibra dhe Fatmir Mesi, nën drejtimin e maestro Ilir Zoga.

Image

   Një risi në këtë aktivitet të përvitshëm ishte nderimi që iu bë nga organizatorët figurave të shquara të "Ahengut Shkodran" ndër vite, duke iu akorduar "Mirënjohje" për kontributin e tyre të çmueshëm në krijimtarinë letrare, muzikore e të interpretimit si: Mark Kaftalli, violinist, kompozitor, 30 vjet drejtues i orkestrës Profesiniste në Teatrin "Migjeni". 

   Nazmi Lishi, mjeshtri i fizarmonikës dhe më gjërë, "dinasti" e familjes Lishi që gjeneratë pas gjenerate ka nxjerrë artistë. Hapat e para të karrierës i hodhi në ish Klubin e Rinisë "Heronjtë e Vigut", ndërkohë që kulmet e karrierës i arriti në skenën e Teatrit "Migjeni", ku drejtoi për shumë vite me radhë orkestrën e këtij teatri dhe ku u dallua në fushën e interpretimit dhe orkestrimit të këngës popullore.

   Luan Barova, virtuoz në instrumentin e fizarmonikës me të cilën shoqëroi sa e sa këngëtarë kur ishte drejtues në orkestrën e teatrit dhe të shtëpisë së kulturës. Regjistrimet e tija të këngës popullore janë akoma model për shumë muzikantë dhe një pasuri e vyer me vlera kombëtare.

   File Gjeloshi, këngëtare tipike popullore, ajo mbetet një pasuri e vyer në fonotekën e Radio Shkodrës, sidomos në origjinalitetin e valles së kënduar.

   Agim Molla, përfaqësues tipik i "Ahengut Shkodran", ashik i lindur, për rreth 40 vite vazhdon të jetë i pranishëm në festat dhe gëzimet familjare, duke kënduar vetëm këngë të "Ahengut Shkodran".

   Grupi "Karaifilat që ka Shkodra", një grup origjinal dhe unikal, i papërsëritshëm në llojin e vet që për më shumë se një dekadë punoi dhe ripunoi këngën popullore qytetare shkodrane, duke e pasuruar atë me elementë të tjera artistike.

   Ferid Bala, të cilin të gjithë e thërrasin profesor Feridi. Edhe në këtë moshë të thyer ai nuk ndalet së punuari dhe botuari libra dhe studime që janë me vlerë për këngëtarë, muzikantë dhe interpret. Nga puna e tij si pedagog i kantos kanë dalë me dhjetra këngëtarë. Në studimet e tij të shumta mund të veçojmë librin "Kënga dhe këngëtarët shkodranë" që ai të meritonte titullin e profesorit.

   Atë natë një ndër këngëtaret që ka nxjerrë prof.Bala ishte këngëtarja lirike Sabahet Vishnja me një karrierë të gjatë në Ansamblin e Shtetit, duke interpretuar me finesë dhe mjeshtri këngën popullore shkodrane dhe veçanërisht këngët jare.

   Si zakonisht për realizimin me sukses të gjithë këtij aktiviteti duhen falenderuar gjithë organizatorët që nga Ministria e Kulturës, Bashkia Shkodër me të pa lodhurën Bruna Keçi, Qëndra Kulturore "Pjetër Gaci" me udhëheqësin artistik Bardhyl Hysa dhe Qëndrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike.

   Në këtë koncert ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Kryetarja e Bashkisë znj. Voltana Ademi, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Xhemal Bushati, si dhe personalitete të tjera,

   Festa pas shfaqjes vazhdoi në ambintet e Bar Restorant Hotel "Tradita" që gjendet në një ndër shtëpitë tradicionale shkodrane, ku dhe u shtrua një darkë, vlerat e së cilës do t'ia shtonin edhe këngët nga repertori i këngës popullore qytetare shkodrane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat