Metafora poetike, mbi flatrat ``Pegasiane`` - Bota Sot
Metafora poetike, mbi flatrat ``Pegasiane``

Kultura

E enjte, 14 dhjetor 2017

Metafora poetike, mbi flatrat ``Pegasiane``

Nga: Kujtim Stana Më: 30 nëntor 2017 Në ora: 10:54
Kopertina e librit

Shkrimtarin e talentuar Vladimir Muça, e kam njohur, fillimisht në takimet me klubin letrar të Durësit, ku shfaqej i qeshur, hokatar, aktiv e dashamirës, flokëpërthinjur e zëkumbues,  i shoqërueshëm dhe i freskët si dallgët e detit, që puthet e shtriqet prej mijëra vjetësh, me të dashurën tokë.

Më vonë ai u bë miku ynë i përbashkët me një grup shokësh krijues, në Tiranë, duke shkëmbyer mendime e realizuar promovime të shumta librash e aktivitete të tjera artistike.

Vladimiri ka botuar në gjini të ndryshme të letërsisë, duke koleksionuar, gjashtë vëllime me poezi, dy vëllime me novela e tregime, një roman, dy libra me studime kritike e ese, dhe një libër bibliografik. Vladimiri, vijon pa u lodhur të shkruaj libra të tjerë të bukur e të arrirë për lexuesit, si dhe ai në botim, me titull `` Unë mendoj….``, ku analizon krijimtarinë e shumë shkrimtarëve shqiptar për një shtrirje të gjatë kohore, duke ju dhuruar libërdashësve, impresione të veçanta gjatë leximit.

Në këtë shkrim, dëshiroj të ndalem posaçërisht, për vëllimin me poezi, me titull, `` Pegasiane ``të shkrimtarit Vladimir Muça, të cilin e konsideroj si një prurje të re, të bukur, me nivel në rritje të cilësive stilistike, në poezinë shqiptare.

Vëllimi `` Pegasiane ``, është kompozuar në katër cikle dhe një poemë. Pas leximit të njëpasnjëshëm të faqeve të këtij libri, nga poezia e parë e gjer tek e fundit, mu duk vetja se fluturoja vërtetë kaluar mbi flatrat e muzës poetike të Muçës, duke përligjur e dhënë kuptim dhe titullit të librit: `` Pegasiane ``.

Në ciklin `` Erërat e shpirtit `` tematika e  dyzet poezive të këtij cikli, është e gjërë dhe përfshin, emigracionin, familjen, vendlindjen, Durrësin, duke u thelluar në bukuritë e natyrës, florën, faunën, lëvizjet politike, çështjet sociale etj.

Tema e mërgimit, një plagë sociale e shqiptarëve pas hapjes ndaj botës, për një jetë më të mirë, e ka frymëzuar Vladimirin si shumë poetë të tjerë, por e veçanta e prurjeve të tij janë mjetet e bukura artistike të përdorura, me fuqi shprehëse e mesazhe të qartë shoqëror. Po ndalem të veçoj disa nga mjetet artistike më të realizuara në poezitë e këtij cikli:

Kështu te poezia `` Larg gruas në mërgim  , metaforat janë tepër impresionuese e domethënëse: “Malli këmbanë gjëmon në mua / në butin e verës mbledh durimin, Realiteti  shkoqet / si druri në zjarr / manastire dashurishë të pamesha.

Krihen vështrimet / në stalaknite ngricash /  rilevoj shpirtin, shpresat e reja / mbi gjurmët e ikjes / të vjetra, biblike.”

Dëshiroj të theksoj se metafora të tilla, nuk ka kumtuar, e as përdorur ndonjë poet tjetër, gjer më sot. Ato janë origjinale të Vladimir Muçës, duke mbushur me prurje të reja butin e poezisë shqiptare.

Të bukura e të gjetura, janë dhe metaforat e tjera si:

Te poezia `` Emigranti ``:“Rrudhet dita nën avuj asfalti / me shikim të trembur shkretëtire. Me kipsin tim tragjik zë të luaj / qarkuar me kurora bukovilesh jonike.”

Te `` E ngrohtë fjala jote ``, ( babait) :“Mes gjethesh ëmbëlsohet pirgu i mendimeve"

Te poezia `` Rodoni ``: “Ma ngopi shpirtin me krodhe ankthi”

Në `` poezinë Durrësi ``: “Si lot i qiellit në strehë të çatisë”

Te poezia`` Erërat e shpirtit ``: “Këpucët e erës / ma shqyen/ derën e shpirtit.”

Ndërsa tek cikli `` Gjergjefi i shpirtit `` titulli duket i ngjashëm me atë të ciklit të parë, por kjo ngjashmëri mbetet vetëm te shpirti, ndërsa erërat dhe gjergjefi janë krejtësisht të ndryshme si emra, por dhe për atë çka përfaqësojnë konkretisht apo në kontekstin poetik.

Poezitë e këtij cikli, në tituj e faqe, kanë një shtrirje tjetër vijnë me universalitetin e tyre ku i këndohet dashurisë, natyrës, miqësisë, njerëzve të dashur të familjes, qyteteve që ka për zemër etj. Në se gjergjefi është mjeti ku gratë e vajzat tona hedhin në qëndisma ëndrrat dhe dëshirat e tyre, poeti Muça, ka gjetur mjetin ku të qëndisë bukurinë e shpirtit.

Poezitë për ndjenjën e dashurisë e mirësisë, po i shoqëroj me vargjet më të spikatura ku tek poezia `` Dashuria nuk ka moshë``: “Pasionet e çastit i digjnim si rrufetë” apo tek poezia `` Tek vau i keckës ``: “Puthje trëndafili këtu derdhëm tok” sepse në poezinë `` Dikur – ende ``: “U ndeza zjarr natën vonë /

Djegur shpirti si menekshetë.” ku autori me këtë përkushtim tek poezia ` Dëshirë e dashurisë `` dëshiron: “Të isha një kokërr gruri / I strukur në lëmin e gjërë / E ti si një zog / Më gjen menjëherë.

Poezitë e natyrës dhe qyteteve, shpalosen ëmbëlsisht në vargun e Muçës duke i sjellë të gjallë në sytë e lexuesëve. Më tej veçojmë poezinë: ``Kur gjallohet fusha ``: “Kur gjallohet fusha / Mbillet këngë gardalinash”, apo me poezinë: `` Shohin e flasin pemët `` ku njeriu e biodiversiteti natyror bëhen një: “Tranden zogjtë me mua / E ulen degëve të syrit tim / Në mes të pyllit ku gjenden / Drurët më shohin në sy.” sepse në poezinë “Shijaku”: “Sytë e Erzenit shkëlqejnë vetëtimthi / Kur më kundrojnë në krahët e brishtë”.

Njerëzit më të dashur të familjes, si nëna, babai, mbesa, të cilës i kthehet për së dyti herë, etj, kanë qënë burim frymëzimi për poetin Muça. Kështu në libër ato ndërthuren aty këtu e çfaqen si poezi të bukura e të ndjera shpirtërisht. Të tilla janë poezitë:“Rrezja ime”: “Mbeskë moj, / Në qoftë se plumbosen retë / Thuaju të mos hedhin shi, / Se të mbarsura ato janë  / Me lotët e shpirtit, / e syve të mi.

Cikli ``Shpresë e thirrje ëndrrash`` është cikli më i shkurtër në libër, me 11 poezi, të cilat rrokin kryesisht tema sociale, situata dhimbjeje të skajshme që të rrënqethin etj. Të tilla janë poezitë e më poshtme që po i përcjellim me disa prej vargjeve përkatëse ku dramaciteti social dhe ai lirik vijnë si paradigm poetike si përbashkësi unikale në poezin “Spitali publik”: “Dyert u kthyen në bankomatë / Ku priten fatura shtrimi. / Fëmijët tanë / arnojnë plagët / Në një cep / Nën rrezet e diellit.”

apo si tek poezia  “Solidaritet” ku: “Me kokodashe do presim agimet / E xhepat e syve / Me shtretër merimangash.” 

Cikli “Dhe gurët qajnë për një fjalë” përmbyll librin, i pasuar  nga poema ``Dielli s`perëndoi në Rivierë``, për të cilën do flasim në veçanti. Siç do të shohim  më poshtë,  poeti ju rikthehet disa temave të mëparshme, si duke mos dashur të ndahet nga ato, jo vetëm se i ka për zemër, por sikur don të theksojë akoma më fort impresionet që i janë ngulitur në mendjem e shpirtin e tij.

Në po atë vazhdë të ndriçuar mjetesh shpehëse artistike, si në ciklet e më sipërme, ku metafora është mbretëresha e vargut, poeti Muça mbetet i freskët, përshkrues i bukurisë fizike e shpirtërore, i urtë e i mençur, protestues ndaj padrejtësive e dashurues i pangopur i mirësisë, filozofik e mesazhpërcjellës për çdo lexues.

Po japim një panoramë vargjesh të përzgjedhura të poezive të ciklit të katërt ``Dhe gurët qajnë për një fjalë ``, sipas tematikës, në tre grupime:

Poezi përkushtimore ku si etalione evidentoj: ``Si zgalem me këngë Armeni``:

“Mbushur me shtërngata ankthi / Rritur maleve tek nometë.”. Apo poezia “Plot dhimbje dhe ankth” për Mitrovicën loce ``Trishtimi i një qyteti`` ku: “Po mbetesh si dorashka ime / Zhveshur prej murlanit cingërimë / Eh ç`më mori malli për një trëndafile / Ta këpus te kroi i Vitakut / Te Rozafa mora gjirin e dhimbjes / Të gushova me krahët e mijë.” apo kur akoma vendlindja e babait qarkullon në deje bashë me gjakun si një gen i pashlyer sepse në poezinë ``Në vendlindjen e babait``: “Nga shtëpitë  / Kanë mbetur veç ca copa muresh / Që shpesh u themi muranë / Zemra ime e sfilitur / Mbushur me memorial.”

Temat sociale autori i trajton në një seri poezish ku spikatin poezit: ``Epitafi i kurnacit``:  “Një astar të ri xhybes / Në jetë s`i mori kurrë.”, ``Elegji për një fëmijë``: “Jeta 15 mijë një flakonar / Shtet i ``shërbesave`` / Me të pangopur shtetarë.”

Nostalgji të shkuara është një temë që vjen në përjetime të reja të një pjekurie të thellë ku dashuria shkrihet në një substancë të re kohore si poezinë :``Rikthimi në Libohovë`: “Më përshëndesin kuajt e gjetheve / Të rrapit shekullorë.”

Apo nostalgjia e viteve të rinisë ku spikatin impresionet e mbetura peng nga kjo e kaluar rinore:  ``Vallëzimi i maturës pas 40 vitesh``: “Nga pak sallën e mbulon verbimi / Mendimi e ndjenja shpirtin ndez.”

Meditime për jetën, një tjetër subjekt poetik ku trillet poetike në kompleksitetin e metaforave vijnë të jetësuara me amalgamat e saja jetësore ku në poezin: ``Porosi``: “Edhe në se puna / peshon si kokrra e grurit / fshehur nën një rrasë guri / themeli gjithënjë ai do jetë / në çdo pjesë të murit.” pasi siç definon në poezinë: ``Dikush nga ne të dy`: “Sa herë të shoh, një kardiogramë / Si dritë rrufeje bie mbi ty.”, kjo ndodh thotë poeti se kjo dashuri e ka hyjnitetin e saj atje ku është pavdekësia ndaj në poezinë: ``Monolog për vdekjen`` : “Do ikim kur yjet të ulin qepallat / E qyqja të këndojë në lisnajë.”, sepse siç thuhet dhe në poezinë:

``Sublimja``: “Në mijëra vite sublimja mbeti përrallë /  Me ngjyra ylberi mbështjellë.”.

Poema ``Dielli s`perëndoi në Rivierë``.

Kjo poemë me 313 vargje, e përbërë nga 6 pjesë, vendoset si gjerdan i florinjtë në kurmin e gjithë librit me poezi të Vladimir Muçës.

Poema nis të burojë e rrjedh pa rreshtur si një këngë e ëmbël melodioze që të depërton në shpirt. Është e bukur Riviera jonë, Lukova, Piqerais, Buneci, stolisur me kurora portokalli e limoni, bregdetgjirevirgjër, për Zota a Perëndi me bijtë e tyre, parajsë ku dielli aty lind e perëndon.

I.Nuk mund të braktiset ky vend ku njerëzit mëkohen me frymë sirenash, si mund të këmbehen me shpirtra të pështyrë në sheshin e Omonias?

Plaga e emigrimit godet ashpër e zëri i Muçës buçet gjer në dhimbje:

-Ku shkoni o bij, ku shkoni o Zot?-

 Atje në mërgim kujtimet e tokës amë, mbajnë gjallë shpresën e rikthimit dhe nga burimet e mallit, rigon besimi. Ky zë dëgjohet e poeti skalit vargje të fuqishme që të fërgëllojnë trupin. E gjithë poema është brilante me një gjuhë të freskët, të pastër  e të kulluar si ujrat joniane, sepse: “.-Rënkimi i nëntokës shpërthen nga varret. /

 Pemët shpëlajnë trishtimin / Nën shiun e lotëve të mi. / Mu dhimb një degë limoni / Mes shkurreve, pa gjethe e bjerrë. /

Por do të vij një ditë thirrmon poeti:“E vegimi për jetën bluhet në trokashkë /

Dritaret lëvizin qepallat e ndezura të kuqëlimit” se “Qyqja s`këndoi këtë pranverë / U mbyt Korfuzit thellë.” dhe “Çeli limoni lulen e pare, ulliri u mbars në sytë e mi. / Brinjazi më ndjekin gishtërinjtë e erës / Shikimi bregdetin si vala shpëlan. /

Në kthim valixhet ishin të lehta / m`u desh të leja gjithçka / në sy më lindi e nesërmja.”

E gjithë poema është e pasur me vargje e fjalë brilante, të shprehura në një gjuhë të freskët, të pastër  e të kulluar si ujrat joniane.

Ndërsa po shkojmë drejt fundit të këtij shkrimi modest, me sinqeritet e dashamirësi, po jap dhe ndonjë sugjerim që do ta sillte drejt një përsosjeje të mëtejshme  këtë vëllim me poezi e konkretisht:

Korrektimi më i  kujdesshëm i poezive,`` Gjithçka ka mallë ``, ``Pavdekësi e shënjtëruar``, ``Somnambul ``, ``veç syri s`plaket``, ``Prroskë e dashurisë së parë``. ``Interceptim dashuror``, do të eleminonte gabimet që ato kanë.

Gjithsesi, kjo nuk zbeh asgjë dhe vëllimi qëndron dinjitoz, mbi vlera të merituara e mjaft ciësore, në duart e çdo lexuesi shqiptar e më gjërë.

Udhëtuam pa u lodhur, por duke shijuar kënaqësi, mes metaforave të mrekullueshme poetike që kalëronin mbi flatra Pegasiane, në librin e  Vladimir Muçës. Ky vëllim poetik shënon, një sukses të padiskutueshëm të Shkrimtarit Vladimir Muça, i cili dëshmon se herë pas here,  vendos mozaikë të mermertë, të skalitur me penën e zemrës së tij, në kështjellën e madhe të letërsisë shqipe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test