Nuk të dua sa jetën

Kultura

Nuk të dua sa jetën

Nga: Jan Kosova Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 10:15
Ilustrim

Nuk të dua sa jetën

Dhe sa herë e kam dëgjuar "të dua sa jetën"
Asnjëherë plotësisht unë nuk e kam kuptuar
Dhe sa herë e kam dëgjuar "të dua sa vetën"
Për një moment jam ndalur, e kam menduar.

E unë as nuk e them kurrë se të dua sa jetën
Dhe as nuk më pëlqen të ma thuash Ti mua
Nuk të dua sa jetën, e as nuk të dua sa veten
Jeta diku mbaron, e unë pafundësisht të dua.

Bota ime

Jo, Ti nuk je bota e këtij shpirtit tim të plagosur
Se edhe para teje botën e ka pasur ky shpirti im
Solle në jetën time lumturinë që nuk ka të sosur
E botën e shpirtit tim e ke mbushur me kuptim.

Jo, Ti nuk je jeta e zemrës sime të dashuruar
Edhe para teje kam pasur unë të njëjten jetë
Dashurinë e zemrës sime Ty ta kam dhuruar
E Ti i dhurove jetës sime kuptimin e vërtetë.

Kur dashuria fiton

Rruga e jetës edhe mua pak më ka ndryshuar
Por rrugën e jetës unë asnjëherë nuk ndryshoj
Edhe nëse ndonjëherë falje nuk të kam kërkuar
E çdokush gabon, edhe unë nganjëherë gaboj.

Por kur shikoj rrugën nëpër të cilën kam kaluar
Mendoj me vete nëse i kam në rregull këta Sy
Unë i vetëm nuk e di ku do të kisha përfunduar
Prandaj unë sonte nga zemra të falënderoj Ty.

Rruga e jetës edhe mua pak më ka ndryshuar
Dhe nuk u rrëzova edhe kur shpirtin ma lëndoi
Të të them të dua shpesh ndoshta kam harruar
Por dashuria ime për Ty asnjëherë nuk pushoi.

Rrugën e jetës e patëm me pengesa të shtruar
Pengesat e kësaj rruge së bashku i kemi flakur
Vetëm atëhere mund të themi se ne kemi fituar
Kur dashurisë i këndojmë edhe kur jemi plakur.

Fjalën e fundit

Mos e fol fjalën e fundit, edhe nëse ke të drejtë
Nuk i dihet jetës kurrë, ndoshta prap pendohesh
Edhe nëse vuan shpirti, edhe zemra pëlcet krejt
Para se ta thuash më mirë gjatë të mendohesh.

Mua më ka ndodhur, fjalën e fundit e kam thënë
Fjalën prap e kam tërhequr për hir të dashurisë
E pastaj e kisha vështirë vetes besë për t'i zënë
Fjalën e fundit e kam lënë për fund të pleqërisë

Edhe kur të vjen koha atë fjalë unë për ta thënë
Nëse truri më nuk punon e nëse zëri u shterrua
Dëgjoje zemrën time dhuratë që ta kam dhënë
Edhe me rrahjen e fundit do pëshpërit, Të dua.

Një fjalë e zemrës

E kam shkruar një këngë për vuajtjen e rininë
Dhe gati çdo vuajtje e kuptoj unë në këtë jetë
Pastaj është e lehtë për ta kuptuar dashurinë
Se krejt pa vuajtje nuk ka dashuri të vërtetë.

Dhe një këngë të dhimbjes unë e kam shkruar
Kam futur në të mallin, krenarinë dhe brengën
Një fjalë të dashurisë në fund unë kam shtuar
Fjalë e zemrës sime, që e ngushëllon këngën.

Kam shkruar një këngë për do bjeshkë të arta
Sa herë për Malësinë, mua malli më ka marrë
Dhe kam shëtitur botën, bjeshkëve më të larta
Asnjë bjeshkë e botës në Ty nuk më ka ngjarë.

Vargje pa dashuri

Sikur një romani të bukur i mungon një kapitull
E lexon shumë herë por nuk e kupton tërësinë
Sikur edhe muzikës klasike i mungon një titull
Ashtu do dukeshin vargjet e mia pa dashurinë.

Sikur pozisë strofa më e bukur e saj i mungon
E reciton me ëndje por nuk e kupton thellësinë
Sikur një fragment të vogël nga ditari e lexon
Ashtu diçka do të ishte jeta ime pa dashurinë.

Edhe kur deri në palcë, kam qenë i dëshpëruar
E kur vargjet e mia dolën nga shpirti i plagosur
Edhe kur i mllefosur poezinë time kam shkruar
Prap secilën poezi me dashuri e kam ngjyrosur.

Pse Ty të dua

Sa herë ke dëshiruar të dëgjosh një gjë nga unë
Të rrëfehem unë njëherë të tregoj pse Ty të dua
Edhe ndoshta arsye kam më të vertetë shumë
Por ka një arsye të vetme që më frymëzon mua.

Sa herë ke dëshiruar të dëgjosh një gjë nga unë
Ku e gjëj frymëzimin unë për krejt poezitë e mia
Ndoshta poezi për Ty edhe kam shkruar shumë
Frymëzimi im i vetëm ishte dhe mbeti dashuria

Dhe mund të ketë një mijë arsye për dashurine
Kurse asnjë arsye e vetme nuk më duhet mua
Dashuria pa kushte e pa arsye, sjellë lumturinë
Ti më je arsyeja e vetme, shkaku pse Ty të dua.

Jeta, koha dhe dashuria

Sa herë e dëgjoj se jeta është koha e kaluar
Unë mendoj se jeta nga koha shumë dallon
?do gjë përfundon, ashtu sikurse ka filluar
Por jetën e ka jetuar vetëm ai që dashuron.

Sa herë e dëgjoj se koha ngadalë po kalon
Thua se për të jetuar ne, na denoi përendia
Koha as nuk ngutet kurrë por as nuk ndalon
E dy gjëra nuk përsriten, jeta dhe dashuria

Sa herë dëgjoj unë, se koha po kalon shpejtë
Thua se jeta e koha janë duke na mashtruar
E për një gjë e kam prap mendimin e njejtë
Kush në zemër ka dashuri, ai edhe ka jetuar.

Petale e lules së Shqipërisë

Pak para fundit të dekadës së kaluar
Në shkurtin më të bukur të historisë
Në mesin e dimrit tonë më të bekuar
Lindi një lule në zemër të Dardanisë

Urime pa fund për ditën e madhe
Zoti e bekoftë tokën e Dardanisë
Më e bukura mes luleve në valle
Edhe e pa ujitur i bën ballë stuhisë.

E për çdo kë që Ty ndryshe të ëndërroi
Një urim të veçantë, një lutje perëndisë
Në një petale të bukur të të shndërroi
Petale e lules së madhe të Shqipërisë

Trekëndëshi i dashurive të mia

Dikush jeton në një figurë gjeometrike të imagjinuar
Dikush ndjehet më pak i lumtur e tjetri më shumë
Unë jetoj në trekëndëshin e zemrës sime të dashuruar
Ku dashuria kënga dhe poezia rrjedhin si një lumë.

Ëndrrat e natës për bjeshkët e mia të mallit e krenarisë
Ditët më të bukura me lulet që i ka zili edhe saksia
Mbrëmjet e poezive pa fund për bukuroshen e Dardanisë
E bëjnë trekëndëshin magjik të tri dashurive të mia.

Edhe lotin e fundit

Lot më nuk kam, veç lotin e fundit unë e ruaj
Nëse edhe një shekull, botës jam duke bredhur
Jo veç ëndrrat ja fali bjeshkës për të cilën vuaj
Edhe lotin tim të fundit atje kam për ta derdhur.

Frymën time të fundit atje e kisha dëshiruar
Atje larg diku në mes të Mirditës e Dardanisë
Edhe poezinë e fundit atje kam për ta shkruar
Një poezi të fundit për Ty, poezi të dashurisë.

Edhe nesër të dua njësoj

Dita e dashurisë gati kaloi
E dashuria nuk u shterua
Edhe nesër të dua njësoj
E edhe pasnesër Ty të dua.

Dita e dashurisë gati kaloi
Si çdo ditë tjetër për mua
Edhe nesër të dua njësoj
Përgjithmonë unë Ty të dua.

Strehë e dashurisë

Në prag të një dite të re të shënuar të kalendarit
Dy rreshta deri tani të pa shkruar i kam kërkuar
Sa më mungon mua sot një shkop i magjistarit
Vargjet më të bukura ditarit tim ja kisha shtuar.

Për Ty, unë, ende nuk e kam menduar dhuratën
Edhe diçka tjetër le të jetë pos luleve e poezisë
Mirëpo desha me këto vargje ta dërgoj uratën
Bekuar qoftë dashuria jonë, i lutëm perëndisë.

Kurse unë nga Ti nuk dua këtë herë dhuratën
Të falënderoj për çdo ditë të bukur, sinqerisht
Por zemrës që ta kam falur dërgoja Ti uratën
Strehë e dashurisë së saj, të jesh përjetësisht.

Sikur koha të kthehej prapa

Më pyete prapë se athua çfarë do të bëja unë
Sikur kohën time ta ktheja prapa përnjëmend
Athua a do të takoheshim prapë një të shtunë
E a do të takoheshim prapë në të njëjtin vend.

Gati tri dekada të kaluara me Ty kur i mendoj
Ndoshta më aty ne të dy nuk do ishim takuar
Se a do të ishte në të njëjtën ditë nuk e besoj
Unë Ty shumë më herët do të kisha kërkuar.

Qiell i dashurisë

Sikur dita e bekuar e mërzitur pa dritën e diellit
Qiell i vranët rrezet ndal, ja merr ditës bukurinë
E si zogu në kafaz që ëndërron lartësinë e qiellit
Ashtu do ishte jeta ime, shpirti im pa poezinë.

Si dita e bekuar, që shkëlqen nga rrezet e diellit
Qielli i kaltërt, mrekulli, ja shton ditës bukurinë
Sikur zogu i llastuar pa pushim fluturon qiellit
Fluturon zemra ime, me poezinë e dashurinë.

Duet i dashurisë

Fillo dhe numëroji të mirat e të këqijat në jetë
Nëse ke, ti, kohë për të humbur nga jeta jote
Vendosi ato në peshoren e shpirtit të shkretë
Por prapë nuk bëhesh shpëtimtar i kësaj bote.

Mëngjese e mbrëmje unë kurrë nuk mallkoj
Ka mbrëmje në jetë, në shpirt rënd peshojnë
Peshoren e shpirtit e kam flakur, dua të jetoj
Ndoshta lutjet e mia botën pak e ndihmojnë.

As mbrëmjet e bukura më nuk i kam numëruar
Mbrëmjet që ndaj me Ty, ja kam falur poezisë
Sikur ta kisha edhe një jetë tjetër për të jetuar
Unë dhe Ti përgjithmonë, një duet i dashurisë.

Një himn tjetër për dashurinë

Një çerek shekulli është bërë që kur jemi takuar
Ngadalë, ngadalë do të plakemi edhe ne të dy
E bota rreth nesh shpejtë është duke ndryshuar
Prandaj e kam unë sot një lutje të vogël për Ty.

Një çerek shekulli është bërë që kur jemi takuar
Ndoshta duhet diçka në dashuri të ndryshojmë
Edhe Himni jonë i dashurisë pak është vjetruar
E kam menduar edhe himnin ta modernizojmë.

Kompozitorin do ta lusja për një melodi tjetër
Ta marrim këtë herë Lahutën? e Ti çfarë thua
Teksti i himnit tonë mbetet po ai teksti i vjetër
Ka qenë dhe ka mbetur, shumë unë Ty të dua.

Ditari i jetës sime
 Sonte mundohem një poezi të bukur ta shkruaj
Shfletoj ditarin e jetës thellë në shpirt groposur
Për pak faqe të atij ditari, edhe sonte unë vuaj
Por të gjitha faqet me dashuri i kam ngjyrosur.

Sonte mundohem një poezi të bukur ta shkruaj
E nga çdo faqe të ditarit e nxora nga një kujtim
Se poezia do të jetë e bukur unë më nuk druaj
Kur Ti vetë je poezia ime, Ti vetë je ditari im.

Mbrëmja e poezisë sonë
 Sa me dëshirë do të shkruaja këtë mbrëmje vetëm për ne të dy
Për dëshirat që ëndrra mbesin dhe dëshirat që në jetë plotësohen
Ta shkruaj një këngë vetëm për mua dhe një tjetër vetëm për Ty
Këngë që më edhe nuk kanë kuptim kur bashkë ato nuk këndohen.

Sa me dëshirë do të shkruaja këtë mbrëmje vetëm për ne të dy
Një këngë për poezinë time, për bjeshkët e mia dhe për tri lulet
Një këngë tjetër për bukurinë, këngë e bukur shkruar veç për Ty
Para bukurisë tënde , poezia ime më e bukur edhe sot përulet.

Sa me dëshirë do të shkruaja këtë mbrëmje vetëm për ne të dy
Ti hidhja si gurë përpjetë, vargjet e mia sa më lart le të fluturojnë
Le të bashkohen përgjithmonë kënga ime me atë këngën për Ty
Vargjet e mia engjëj le të bëhen, dashurinë tonë
le ta mbrojnë.

Në Mirditë te kroi i bardhe

Sa do të dëshiroja anës së Fanit të shëtisja
Në ujin e ftohtë të lumit do t’i fusja këmbët
Të dua, me zë të lartë njëherë do të bërtisja
Edhe zogu i largët në Munellë le të trembet.

Ndalem pak për një gotë uji te kroi i bardhë
Mrekullia e Mirditës atje poshtë në përrua
Nën hije të pemës le të jetë mollë a dardhë
 E Shkruaj një poezi, e prap të them të dua.

Në ritmin e këngës sime

Edhe në ditët e lumtura shpirti nuk është i qetë
Qetësia të më kthehet sa do të kisha dëshiruar
Gjysmën ma vodhën, e gjysmën e humba vet
Rrugës së jetës sime me gurë vuajtje, shtruar.

Edhe unë nga dëshpërimi sa vrerin kam vjellë
Jo sa është dashur për të gjitha ato padrejtësi
Sot në mes urrejtjes pak dashuri kisha mbjellë
Disi edhe vrerin do ta kisha kthyer në dashuri.

Edhe oksigjenin e ajrit që e thithë me mushkëri
Në dioksid të karbonit nuk do ta kisha kthyer
Dhe me çdo frymënxjerrje do të nxirrja dashuri
E nuk do i urreja as gjërat që dikur i kam urryer.

Sikur të ishte e mundur të bëja ndonjë mrekulli
Këngën më të bukur të jetës do e kisha shkruar
Një këngë të zemrës sime të mbushur dashuri
Në ritmin e asaj kënge deri në fund kisha jetuar.

Nëse më nuk shkruaj

Gjumit edhe pa ëndrra do t"i thoshin gjumë
E unë ëndrrave të mia fluturoj tash një jetë
Pa bjeshkët e mia zemra do vuante shumë
Si do quhej pa poezinë shpirti im i shkretë.

Edhe pranvera pa lulet do të quhej pranverë
Por vera me lule më shumë më pëlqen mua
E nuk ka rëndësi stina, është dimër apo verë
Bukuroshja e Dardanisë, në çdo stinë të dua.

Qiellit edhe pa yje ndoshta do ti thoshin qiell
Por qielli me yje më pëlqen mua më shumë
Edhe dielli është një yll, mirëpo e quajnë diell
E atje lart afër diellit një yll e kam edhe unë.

Poezia mundet pa mua, por jo unë pa poezinë
Lumin edhe kur shteron prapë unë lum e quaj
Nga zemra burojnë vargjet e mia për dashurinë
Zemra do të këndoj edhe nëse më nuk shkruaj.

Në detin e poezisë

Sa lehtë është të thuhet se vetëm përpara duhet shikuar
E nga mallëngjimi mua në mes të dimrit më trondit vapa
Shumë lehtë është të thuhet se të gjitha unë i kam harruar
E unë jam nga ata që shumë shpesh kthejnë kokën prapa.

Jo pse duke shikuar prapa shpirti im diku
gjen shpëtimin
Shpirti im i bardhë gjurmët e të kaluarës kurrë nuk i vajton
Por duke shikuar nganjëherë prapa zemra ime merr drejtimin
Në detin e poezisë drejt brigjeve të lumturisë ajo noton.

I kërkoj falje letërsisë
 Sa jam lutur sonte të më fal mua edhe poezia
Rregullat e saj jo gjithmonë i kam respektuar
Dhe ndoshta nuk e ka të lehtë me vargjet e mia
Shpresoj se ka mëshirë për zemrën e dashuruar.

Sa jam lutur sonte të më fal mua edhe letërsia
Në fushën e saj jam futur pa trokitur e i paftuar
Ndoshta ka pakëz mëshirë për ndjenjat e mia
Të largohem nga fusha më nuk e kam provuar.

Zemra peng i dashurisë

Dikush fatin e vet në tymin e duhanit e kërkon
Dhe dikush rrugën e jetës, ja beson edhe rakisë
Kurse zemra ime e dehur nga dashuria jeton
Rruga e jetës sime ka mbetur peng i dashurisë.

Dikush fatin e vet në tymin e duhanit e kërkon
Dhe unë mbrëmjet e mia ja kam falur poezisë
Shpirti im i bardhë i dehur nga dashuria jeton
Kurse zemra peng te bukuroshja e Dardanisë.

Mbrëmjen e kthej në këngë

Kam vendosur ta injoroj sonte krejt zhgënjimin
Shpirtit tim të vuajtur i duhet nganjëherë qetësi
Me pjesën tjetër të natës dua ta ndajë gëzimin
Mbrëmjen time të bukur do ta kthejë në poezi.

Kam vendosur ta injoroj sonte krejt zhgënjimin
E vargjeve të mia do të tretëm deri natën vonë
Me shkronjat e vargjeve dua ta ndajë gëzimin
Mbrëmjen do ta bëj këngë për dashurinë tonë.

Shiu i dashurisë sonë

Që të bie shi i vërtetë qiellit lart i duhen retë
Por edhe qielli i kthjellët nganjëherë sjellë shi
Sa shumë herë e kam thënë se nuk jam poet
E prapë pa pushuar vazhdoj të shkruaj poezi.

E një rrebesh shiu e kam dëshiruar gjithmonë
Pikat e shiut të rinisë sa shumë i kam pëlqyer
Dhe në kujtim të kohës kur nisi dashuria jonë
Edhe pikat e shiut në poezi do t’i kisha kthyer.

Shpirtin tim

Unë edhe shumë rrallë në jetën time betohem
Më e vlefshme më duket e vërteta se një betim
Unë edhe shumë rrallë në jetën time krenohem
Por kam vend edhe për krenari në shpirtin tim.

Dhe nga unë mos e kërko Ti të lutëm një betim
Se shumë të dua nuk ka nevojë unë të betohem
Nëse don e hapi shpirtin tim unë për një shikim
E sheh me sy se me dashurinë tonë krenohem.

Zemrën në dorë të sigurt

Ah sa brenga e halle të sjellë kjo jetë e bekuar
Gjakun e zemrës e kthejnë në gjendje të ngurtë
Por gjithmonë kishte diçka që më ka ndihmuar
Zemrën unë e kam pasur në një dorë të sigurt.

Ah sa gëzime dhe lumturi të sjellë jeta e bekuar
Gati sa nuk kam harruar se duhet të jem i urtë
Të qëndroj "në tokë" prapë diçka më ka ndihmuar
Zemrën unë e kam pasur në një dorë të sigurt.

Eja në poezinë time

Nëse rrugët e jetës shpirtin ta kanë katandisur
Urrejtjen e shfrenuar të kohës më nuk e kupton
Dhe ndoshta nuk e ndihmon shpirtin e molisur
Eja miku im në poezinë time, shpirti im të fton.

Nëse rrugët e kurbetit shpirtin ta kanë trazuar
E mbi bjeshkët e Shqipërisë çdo natë fluturon
Ndoshta shpirtin tënd nuk ka për ta ndihmuar
Eja miku im në poezinë time, shpirti im të fton.

Nëse edhe zemra jote, lulëzon nga dashuria
E mbi mëkate e përbuzje, mirësia mbizotëron
Eja t'i bashkojmë lutjet tuaja , me lutjet e mia
Eja mike Ti në poezinë time, shpirti im të fton.

Çati e zemrës

Edhe shtëpia më e bukur nuk shkon pa çatinë
Formën e shtëpisë e ka por nuk është shtëpi
As zemra e një njeriu nuk shkon pa dashurinë
E zemra më e fortë, është e dobët pa dashuri.

Nga shiu e nga stuhia muret ngadalë prishen
As shtëpia më e fortë pa çatinë nuk mbrohet
E kur muret e zemrës plot me vuajtje vishen
Edhe zemra më e fortë pëlcet e shkatërrohet.

Edhe zemra ime është më e fortë me një çati
Duke thurur vargje dashurie netëve deri vonë
Muret ja kam veshur plot me këngë e poezi
E çatia e zemrës përjetësisht dashuria jonë.

Të dua

Shumë kam dëshirë kohën një moment ta ndal
E data të mos jetë nesër por as të mos jetë sot
Për dashurinë time t'i shkruaja vetëm dy fjalë
E pa datë të mbetet poezia ime për jetë e mot.

Nëse nuk të mjaftojnë Ty fjalët që kam shkruar
Dhe datën e atyre fjalëve e kërkon vazhdimisht
Nuk i kujtohet më koha një zemre të dashuruar
Në vend të një dite, e kam shkruar përjetësisht.

Një fjalë kam kërkuar
 E kam kërkuar një fjalë të madhe për një poezi
Fjalë që as romancieri ende nuk e ka shkruar
Sa romane kam lexuar, numrin as vet nuk e di
Por ende nuk e lexova fjalën që kam kërkuar.

E kam kërkuar një fjalë të bukur për një poezi
Një fjalë që as poetet ende nuk e kanë shkruar
Sa poezinë e kam lexuar, as numrin nuk e di
E fjalën që e kërkova ende nuk e kam zbuluar.

E kam kërkuar një fjalë në këngë për një poezi
Një fjalë që as këngëtaret nuk e kanë kënduar
Sa këngën e kam dëgjuar, as numrin nuk e di
E fjalën që e kërkova ende nuk e kam dëgjuar.

Kam kërkuar një fjalë të madhe të dashurisë
Fjalë që e pa thënë, më së shumti ka kuptim
Atë fjalë te Ti e gjeta bukuroshja e Dardanisë
Dashuria ime, fjala më e bukur e shpirtit tim.

I jam lutur zemrës

Unë desha njëherë ta mbyll për sonte poezinë
Por një detaj i vogël nga dita mua mu kujtua
Gjithë ato vargje kam shkruar për dashurinë
Dhe vetëm në mëngjes paskam thënë të dua.

I jam lutur zemrës për më shumë vëmendje
Të m'i fal edhe pak vargje edhe për një poezi
Mjaftojnë të them 'të dua' edhe në mbrëmje
Në mbrëmje si në mëngjes shumë të dua Ty.

Lumit tim të dashurisë

Sikur pa ajrin mbi këtë tokë e pa ujin e bekuar
Ska lidhje kush je dhe nga je, pa to nuk ka jetë
As pa kripë s'jetohet në botën tonë të trazuar
Dhe as lumturi nuk ka pa një dashuri të vërtetë.

E poezinë time në kripë do ta kisha shndërruar
Në lumin tim të dashurisë atë do e kisha tretur
E kur lumi e arrin detin, dhe krejt është avulluar
Poezia ime në det përjetësisht do kish mbetur.

Jan Kosova-Ti

Bota ime nuk është e lehtë, dhe as e lehtë për tu kuptuar,
As vet nganjëherë nuk e kuptoj.
Prandaj keni mëshirë me shpirtin tim të bardhë.
Është një nga arsyet pse jam i varur nga fjala e shkruar.
Fjala për heroin e bjeshkëve të mia.
Për tri lulet e mia të jetës.
Për frymëzimin tim të këngës.
Për jetën time.
Për Ty më e bukur se hëna.
Ty, që vargjet e mia të zhveshura lakuriq në flori i ke veshur.
Diell i errësirës së shpirtit tim të bardhë
Fllad i ditëve të nxehta të Gushtit
Ngrohtësi e vetme e netëve, acar Janari.
Qiell i kthjellët mbi kokën time mjegull.
Ëndërr e ëndrrave të mia.
Bukuria e shpitit është një
mrekulli.
Bukuria e jashtme është rastësi.
Kombinimi është vetë parajsa mbi tokë.
Ti!

Vargjet i kam gjetur

Ku janë të fshehura ëndrra ime më ka treguar
E sapo u zgjova i gjeta unë prapë vargjet e mia
Dhe nuk është kjo hera e parë që ajo ka tentuar
I ka fshehur vargjet, bukuroshja nga Dardania.

Mendja ma thotë se këtë herë duhet të dënohet
Që ta kuptoj njëherë mirë sa shumë ka gabuar
Dhe vendosa që aj dënim fare të mos vonohet
Prandaj këtë poezi tani unë jam duke e shkruar.

Nga poezia e kënga një jetë do të jem i dehur
E poezinë për Ty kurrë nuk kam për ta ndalur
E kush më tha mua se vargjet ku i ke fshehur
Më ka treguar zemra ime që Ty ta kam falur.

Vargjet i kam humbur

Mëngjesi erdhi toka përfundoi një rrotullim
Filloj rrotullimin tjetër fare nuk ka pushuar
E unë as nuk e kam parë sonte shtratin tim
Vargjet për një poezi për Ty i kam shkruar.

Por më humbën vargjet unë më nuk i gjeta
Kohën e fundit kjo më ndodh shpesh mua
E shkrova një varg të ri, pastaj rashë e fjeta
Një përshëndetje, një urim dhe një 'të dua'.

Poezia ime e fundit

Edhe nëse krejt titujt e poezisë fare ishin sosur
E çdo fjalë të gjuhës sonë nëse e kam harxhuar
Edhe numra në vend të titullit ju kisha vendosur
Por prapë me poezitë unë do të kisha vazhduar.

E para se të pushoja krejtësisht me poezinë
Edhe një dëshirë zemrës ja kisha plotësuar
Në shënjë të respektit të thellë për dashurinë
Poezinë time të fundit për Ty e kisha shkruar.

Një poezi që as poeti i madh nuk e ka ëndërruar
Me një fillim të thjeshtë që ?do kush e kupton
Por atë poezi kurrë nuk do ta kisha përfunduar
Ashtu si dashuria për Ty, kurrë nuk përfundon .

Ju uroj dashuri

Sa herë nëpër urimet e mia ju kam shkruar
Dëshiroj të jetoni jo më pak se njëqind vjet
Një pjesë e urimit prej zemrës ka munguar
Ju uroj asgjë tjetër pos dashuri e shëndet.

Dhe ndoshta je kujdesur për mënyrën e jetës
Jeton një shekull e gjysmë, i then krejt mitet
Edhe nëse ende flet, kot i thur legjenda vetes
Se pa zemër që dashuron nuk vlejnë gjë vitet.

Se një dashuri e sinqertë edhe jetën e lulëzon
Nuk ndalesh askund, plakjen ke për ta harruar
E vetëm dashuria vitet e jetës i shumëfishon
Dhe zemra që dashuron gjatë ka për të jetuar

Në shekullin që po vjen unë nuk e di se ku jam
Por edhe nëse deri atëherë kam për të jetuar
Nëse do më pyet dikush për moshën që kam
Nuk kanë rëndësi vitet, kam qenë i dashuruar.

Ëndrrat e një poeti

Në këtë mbrëmje të bukur dimri sa jam penduar
Vargjet kam filluar vonë në letër për t'i hedhur
Si fëmi poezinë shumë shpesh e kam ëndërruar
Ashtu ishte fati , e mua rininë ma kanë vjedhur.

Një kohë shumë të gjatë vetëm kam pas fjetur
Ashtu krejt kot ,viteve, jetës pas duke i shkuar
Një pjesë të ëndrrave, unë prapë e kam gjetur
E ja ku jam sot , pak poet e shumë i dashuruar.
 E di se është shumë vonë për ndonjë mrekulli
Në garë me poet të mëdhenj as nuk jam futur
Por do kisha mbledhur dhjetëra mijëra poezi
Një lumë të tërë me poezinë e kisha mbushur.

E kur të lodhem rrugëve të jetës duke bredhur
?do ditë do të zhytesha në lumin tim me poezi
Prej burimit e deri në detin ku do ishte derdhur
Një lumë pa asnjë pikë urrejtje, plot me dashuri.

E nëse mbi lumin tim një digë do ishte ndërtuar
Fuqia e poezisë edhe betonin do shkatërronte
Një Digë të urrejtjes unë kurrë nuk kisha lejuar
Lumi i dashurisë fusha të tëra do të vërshonte.

Rreth shpirtit të mjerë

Nga shpirti im nuk më hjeket i shkreti mall
Gjithkah shkon mendja, është duke shëtitur
Nganjëherë mendoj se ndoshta jam i marrë
Apo ndoshta sonte unë jam vetëm i mërzitur.

Jam përulur sonte e kam lutur mburrjën time
Le të pushon pak vetëm dy ditë të më braktis
Të jetoj me ëndrrat e të kthehem ndër kujtime
Mbrapa në kohë, në vitet e mia të fëmijërisë .

Nga lëkura e dhimbjes dy ditë unë do të ikja
Në kohën ku dhimbja vjen edhe kalon shpejtë
Në çdo derë zemre pa ngurrim do të trokisja
Njëherë ky mall i shkretë le të zhduket krejt.

Ndoshta edhe i kam rënë sonte pak vërdallë
Edhe unë jam një nga ju, e të njëjtën jetë e jetoj
Dashuria më shpëton sa herë më mbyt ky mall
Prapë hy në lëkurën e dhimbjes, poezinë vazhdoj.

Bukuroshja e Dardanisë

Kam filluar të vuaj pak nga ethet e poezisë
Ethe të ëmbla, nuk mund të them se po vuaj
Zemrën ja kam falur bukuroshes së Dardanisë
Poezi për dashurinë pandërprerë unë shkruaj.

Kam filluar të vuaj edhe nga ethet e dashurisë
Unë kam humbur kontrollin mbi vargjet e mia
Më pyesin se vallë mos jam dehur prej rakisë
E mua më ka dehur bukuroshja nga Dardania.

Kam filluar të vuaj nga sindroma e dembelisë
As letër e as stilolaps në dorë dot nuk i mbaj
Edhe zemra më thotë se jam dehur prej poezisë
Kurse unë them se jam dehur nga bukuria e saj.

Epoka e dashurisë sonë

Përgjithmonë nuk zgjat asnjë epokë e historisë
Epokës i vjen fundi e prapë nuk mbaron historia
Nuk është pa mbarim as koha jonë e dashurisë
Koha jonë do mbarojë por nuk mbaron dashuria.

Dhe ashtu si e merr emrin çdo epokë e historisë
Le ta marrë një emër të bukur edhe kjo koha jonë
Ta pagëzojmë së bashku në emër të dashurisë
Të quhet përgjithmonë 'Epoka e dashurisë sonë'
 E di se ne të dy dashurinë nuk e kemi zbuluar
Dashuri të vërteta ka pasur dynjaja gjithmonë
Por kur të arrijmë në fund të rrugës së filluar
Do ta quajmë rrugën, 'Epoka e dashurisë sonë'.

Pa poezinë

Sikur zjarri i jetës së diellit që kurrë nuk shuhet
E ndriçon tokën e bekuar tash sa miliardë vjet
Ashtu edhe zemrës time vetëm dashuri i duhet
Zjarr dashurie që e ngroh dhe e mban në jetë.

Ndoshta dielli edhe pa zjarrin do të ekzistonte
I errët i ftohtë, dhe emrin diell nuk do ta kishte
Edhe kjo zemra ime pa dashurinë do të jetonte
Pa poezinë e këngën krejt ndryshe do të ishte .

Sikur zjarri i diellit lartë, që i bën dritë gjithësisë
Zjarr njëherë i ndezur, që kurrë nuk është shuar
Edhe dashuria ime për bukuroshen e Dardanisë
Ka lindur në zemër dhe kurrë nuk është larguar.

Në vend të injorancës

Për dashurinë shkruaj e këndoj tash një jetë
Dhe sa herë e kam thënë se asgjë nuk urrej
Edhe vet e di se nuk mund të jetë e vërtetë
Injorancën kur e kujtoj e di se vetën e gënjej.

Për dashurinë shkruaj e këndoj tash një jetë
E me çdo varg vetëm gëzim e lumturi uroj
Urrejtje në poezinë time, kurrë nuk do të ketë
Injorancë në vargjet e mia kurrë nuk do lejoj.

Dhe sikur të varej në këtë botë diçka nga unë
Të gjitha vargjet që i kam shkruar do i prishja
Dhe nëse për asgjë tjetër nuk do bënin punë
Urrejtje dhe injorancë me dashuri do t'i vishja.

Fryte të dashurisë

Unë për dashurinë time shkruaj shumë poezi
Por me dashurinë time kurrë nuk jam mburrur
Unë vetëm kam pasur fat që të kam takuar Ty
Isha në kohën e saktë dhe në vendin e duhur.

Unë për dashurinë time shkruaj shumë poezi
Fryte të dashurisë që në zemër e kam mbjellë
Edhe nëse rrallë e kam thënë se sa të dua Ty
Ndjenja e dëshira përmes vargjeve Ty t'i sjellë.

Ëndrra nuk vdes
 As zemra nuk i shpëton vuajtjes së shpirtit tim
Jeta është kështu as zemra plakjes nuk i ik dot
Herë shpejton me rrahjet, herë merr pak pushim
Diçka e natyrshme, ta ndalosh mundohesh kot.

Dhimbjet e shpirtit zemrën shumë e mundojnë
Sa do e fortë të jetë, gjurmët në zemër mbesin
Dashuria dhe gëzimi shpesh edhe e shpëetojnë
E shpëton shpresa, ëndrrat që kurrë nuk vdesin.

Por sikur në kohën kur zemra ime rreh shpejt
Edhe atëherë kur zemra papritur merr në thua
Deri atë ditë kur do pushojë edhe të rrah krejt
Zemra me çdo rrahje të saj, Ty të thotë, të dua.

As ngjyra më e bukur e vetme nuk shkëlqen

Mbrëmë në Mirditë ashtu siç ju kam premtuar
Më dukeshin disi të brengosura të bardhat zana
Athua janë ende në gjumë apo prapë janë zgjuar
Athua prapë do t'i ruajnë bjeshkët ata Kapidana.

Gjërat gjysmë asnjëherë Mirdita nuk i pëlqen
Në hënën e plotë ajo, përjetësisht e dashuruar
Edhe ngjyra më e bukur e vetme nuk shkëlqen
E kuqja shkëlqen veç me të zezën e kombinuar.

Kuq e zi është në Krujë ai Flamur i heroit tim
Valëvitet krenar më shumë se pesëqind vjet
E ëndrra ime mbaron me përulje për atë Trim
Dhe sa të ketë gjithësia dritë kështu do të jetë.

Natën vonë në Elbasan

Edhe mbrëmë në ëndërr nepër Shkodër kam shëtitur
E kam pyetur liqenin tim gjatë ditës a i kam munguar
E kam pyetur Bunën e bekuar pa mua a është mërzitur
Në Bjeshkë të Shoshit një këngë trimërie kam kënduar

Më kanë thirrur mua Krasta e vogël e Krasta e madhe
Bjeshkëve të larta natën vonë në Elbasan kam arritur
Së bashku me Shqipet e mia kemi hedhur një valle
E kam pyetur Shkumbinin për mua a është mërzitur.
 Rrugës për në jugun magjepsës, ëndrra po vazhdonte
Poshtë Sarandës për në Butrint në një qytet të vjetër
Nuk u mërzita edhe pse ëndrra ngadalë përfundonte
Përshëndetje Mirditës e Krujës, shihemi natën tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat