Shqiponjat e dardanisë me diellin e ri të pavarësisë

Kultura

Shqiponjat e dardanisë me diellin e ri të pavarësisë

Nga: Daniel Marian Më: 11 prill 2018 Në ora: 09:16
Autores i duket se transmetimi i idesë perpetuum mobile zhvillohet tani

Nga një diskurs i zgjedhur deri në përshkimin e fjalëve sipas prejardhjes së koncentruar të ekzistencës, dhe në të njëjtën kohë e ndërgjegjësuar, e matur, me një nivel të lartë linguistik, lind poezia e qartë. Rrugët janë të shumta, por të gjitha duke patur për qëllim të përbashkët shkrepëtimën e atyre ideve të transponuara mbi faqen e paprekur kurrë më parë nga nënhija e penës. Libri i Gentiana Muhaxhirit përfaqëson një univers lirik të magjepsur, absolutisht mahnitës, ku jeta, vdekja, pasioni, vuajtja dhe koha, janë të përshkruara definitivisht nga një vetëdije poetike e denjë për ta admiruar.

Nëse nuk dimë nga ta kapim të paparashikueshmen, nganjëherë madje të pamundshmen, kurse në një moment të dhënë edhe infinitin, atëherë me siguri duhet të kërkojmë „Përtej vetëvetes”: “Copëzohem shkrumbeve të së kaluarës/ Hapave të vargut të kristaltë/ E tashmja më flakëzon pranë vetes/ Jam ëndrra, jam hiri, jam bija e saj”. Ja pra, një poezi që zhvillon përreth bërthamës së saj një atmosferë të ritualit dhe magjisë, një përvojë milenare të një shpirti të ri e të frymëzuar.

E ardhur me dëshirën për të përcaktuar gjërat dhe për t’i shpënë ato nga ngjyra e përhimtë drejt universales, jo medoemos të definuara, por me siguri në pragun e definimit, Gentiana rimemoron rrënjët drejt një kërcelli të tërë, një trung i famshëm që të magjeps me kalimin e kohërave. „Heshtja e zgjuar”  mund të kundrohet dhe kuptohet si një fakt, si një rifabrifikim i të pathënave, i shmangjeve, i përpjekjeve të rënda për hulumtim, i interseksioneve të shkëputura dhe të dëshmuara të jetës.

Mu për këtë duhej të ekzistojë „Dielli i ri”. Thjeshtë dhe natyrshmërisht, ashtu siç duhet të jetë sublimja: „Kërkoj një flakë/ Kalldrëmeve të qytetit tim/ Një flake/ Dhe ta flak tutje çdo trishtim/ E nesër/ Një tjetër diell le të lindë/ Të ma kthejë sërish/ Flakën e shpirtit tim”. Prej këtu fillon aspekti i një bote ku çdo gjest të shpie në kotarin e një kuptimi simbolik. Metafora e poemave është e interpretuar si një rrugë e ekzistencës apo e artit, një rrugë simbolike e përshkuar ndërmjet realitetit dhe poezisë.

Pa patur asnjë gjurmë konfuzioni, zemërimi vazhdon gjithësesi i pazbutur. Del në pah nevoja kategorike për një qetësi magjike: “Mes rrugësh të krisura/ Që s’çajnë kokën për ne/ Mes qiejsh që zemërimin/ Hedhin me rrufe/ Të gjeta ty/ Qetësi e grisur e shpirtit tim.” (Qetësia ime). Është qetësia e poetes, e pahomologuar në kalendarët e shpirtit, madje as në muzeumet e memrojes. Është qetësia e kundruar nga një këndvështrim i shpirtit absolut. Shqetsësimi i Gentiana Muhaxhirit përfaqëson vokacionin poetik për të gjetur motive të reja të vuajtjes, për zbutjen e tyre. Është një urë e shëndetit për purifikimin e mundimit. Poetja e sheh vuajtjen pothuajse në çdo aspekt të jetës, sidomos në pritjen e të dashurit që ia ndriçon mendimet.

Mrekullia e kalimit nëpër shtresat e jetës ndahet ndërmjet emancipimit të pafshehur, i përforcuar me barrën e përditshmërisë, duke arritur deri te zhgënjimet e natyrës:  “Mos ma hesht fjalën qyteti im/ Të përgjërohem/ Në agimet e panumërta/ Që pritëm të dy// Fjalën mos ma hesht/ Se më rrënohen kështjellat e durimit/ Se rrënohemi vetë/ E s’i ik dot zhgënjimit” (Mos ma hesht fjalën), – dhe ja më në fund kundërshitmi i kristalizuar, kur „Mbi heshtje vara dhimbjen/ Dhimbja heshti/ Heshti dhe cicërima përtej/ E diku larg kënga ndali fjalën/ Melodi e zbrazët si nata/ Tha diçka/ Diçka tha.../ Por qyteti i mbylli dyert e fjalës”. (Pa fjalë). Autorja sjell kështusoj një qetësi të trazuar e të përbujshme, e denjë për të lindur pyetje e përgjigje, kujtime nga paraekzistenca e heshtjes, të gjitha në një amallgamë përfytyrimesh dhe gjendjesh ekstraordinare (të jashtëzakonshme).

Ajo “Melodi” nuk do të mbarojë kurrë. Mbetet si një jehonë në drejtim të kuptimit, gjithnjë e më i mbushur me kuptime: „Melodi kjo natë/ Melodi// Një notë e re lind/ Lind një varg i ri// Përjetësi kjo natë”. Kurse diku, në një moment të caktuar, vjen edhe hipostaza e konkluzivitetit, sidomos atëherë kur me çdo kusht duhet „Të vazhdojmë”: „Le të ecim sonte/ Po erdhi lodhja/ Le të vijë/ Ne të lodhur jemi edhe kështu// Le të heshtim sonte/ Më mirë pa fjalë/ Edhe ashtu nuk themi gjë// Le të vazhdojmë...”.  Kështusoj, del në pah një anë e veçantë e poezisë shqipe në Kosovë, nëpërmjet lirizmit që manifestohet si rezultat i një gjendjeje të përjetuar. Poezia e Gentianës na sugjeron një shpirt të ri me një tension lirik të vetëpërmbajtur.

Nuk shoh se çka mund të jetë më e lartë se poezia. Autores i duket se transmetimi i idesë perpetuum mobile zhvillohet tani dhe këtu. Ja rezultati i disa sintagmave të jashtëzakonshme përmes të cilave reflektohet arti poetik dhe përlindja e universit: Përtej yllit të fatit, Flaka e shpirtit tim, Kështjellat e durimit, Qetësi e shkëputur e shpirtit tim, Loti i fjalës sime, apo: Qyteti i mbyllte dyert e fjalës, pas perdeve të heshtjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat