Prej motesh ëndërra më mbledh krruspur
nuk më lë të qetë për kotësi besimi
as për shkëlqimet rrëshqitëse të syve vërbues
me shpresa të harruara ndërgjegjësimi
mëshikëzuar nga jermi e trysnisë së gjatë.
Edhe koha sikur më trandë pa pushuar
në flakje përgjumjesh me tepri përkufizimi
për fokusim gjurmësh në altarin e nderit
gjurmë të gjyshërve luftëtarë mbetur pa gjurmë,
lënë menjanë nga bjerrakoha pa formë
nga pritjet e lodhura me skuqje dhembjesh
me refrene ofshamjesh pa strehë ngushëllimi.
Prej motesh sikur më ndalet edhe frymëmarrja
sikur edhe mendja më trazohet
nga injoranca e tepruar.
Dua që të hapet më në fund qielli
që të vijnë rrjedha të mira në kujtim kohësh
në ndriqim dëshmish të vërteta
për brezat luftëtarë shekujve të shkuar
padrejtësisht mbetur të pakujtuar.
Zgjimi me jehun e pamposhtur
thekshëm ma ngacmon edhe vetëdijesimin
që vrullshëm të haperoj nëpër galeri epokash
kur ndizeshin flakë betejat e nderit
fyta-fyt me djallin
me dëshmi faktesh shekullin XIX ta ngjallë,
veçmas gjysmën e dytë të tij
të vërtetat t’i dëshmojë
për trimat e paepur që ranë dëshmorë.
Zekë Bajraktari i Parë i Therandës trime,
paragjyshi plisbardhë i krenarisë sime të paskaj
me vendim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878
luftëtarë-prijetarë
në ballë të trimave vullnetarë shqiptarë
të Bajrakut të vet,
përkrah edhe djali më i riu i tij
krejt hirësi
Asllan Bajraktari i Parë
trim i paparë luftëtar
gjithashtu edhe prijetar në vazhdim
si trashëgimi.
Të përbetuar me besën rrufe e gjakun rrëke
kurrë nuk i hoqën armët nga cepkrahu e brezi
në shpartallim pushtuesish të pështyrë,
turkun hienë e vjetër e dhelpër
Sërbinë e Malin e Zi
gllabërues të rinj në epërsi
nga përgëdheljet e Kongresit heretik të Bërlinit.
Ata luftuan ballëlartë dhe me zemër,
përkushtimin djalë pas djali e kishin me hak
dhe shqiponjën krahëhapur në bajrak
për truallin e vet me emër
nga të parët e stërlashtë trashëguar
me shqipen gjuhë përëndie
mbretëreshë në rruzullin e bekuar,
heronj për lirinë e Arbërisë
mbërthyer pabesisht në kthetra të robërisë.
Luftën e radhës me nam
në mbrojtje të tokës mëmë në shteg diell
e bënë në Hot, Grud e Kelmend
dhe në Plavë e Guci
në kufi me Malin e Zi
në vargoj qenërie katranosur me dredhi.
Aty edhe ranë deshmorë
me urata madhështie për rrënjën
e këngën-himn lavdie në gojë,
sot varret e tyre rrafshuar gjurmësh
pa emër e kurorë.
Edhe nëntoka ku ata bëjnë amshim pavdekësie
e mbitoka Livadhet e Gjakit emërtuar
sikur gjëmojnë me ofshamën e pashuar
me jehun e flakëruar nëpër shkrepa e male
për heshtjen e madhe
për harresën që kërkon këthjelltësi të shpejtuar.
Megjithatë flini të qetë
Ju të bekuarit e moteve ujëvarë rrëzëllimi
Ju paraardhësit e krenarisë sime purpur
përbetuar në besë e flamur
bashkë edhe me bashkëluftëtarët sublimë vullnetarë
në kujtesën e brezave përherë margaritarë
hirësi e ngulitur në histori.