Poezia e poetit Shaban Pllana - Bota Sot
Poezia e poetit Shaban Pllana

Kultura

E martë, 19 qershor 2018

Poezia e poetit Shaban Pllana

Nga: Zymer Mehani Më: 13 qershor 2018 Në ora: 23:21
Poezia e poetit Shaban Pllana

Shkruan Zymer Mehani

Me vëllimin poetik “Nën hije lisash rigon këngë zogjsh”, poeti Shaban Pllana lexuesve u dhuroi vargje margaritare, me të cilat poezinë tonë shqipe e nderoi dhe e lartësoi gjer në horizontet e qiellit poetik kombëtar. Kështu, ky krijues i talentuar është duke e kryer misionin e tij prej poeti, të cilin po e bën me përkushtim.

Meqë krijuesi letrar dhe të gjithë artistët e tjerë, sikurse edhe poeti Shaban Pllana, në një mënyrë ose tjetër, janë të lindur në një rreth apo ambient të caktuar, doemos aty edhe i kërkojnë dhe i gjejnë temat dhe motivet e veprave të tyre artistike. Si rrjedhojë e kësaj, ata duke shkruar për ambientin dhe rrethin shoqëror, për njerëzit e tij, pa dyshim se e studiojnë edhe mentalitetin e tyre, bashkë me psikologjinë e tyre dhe krahas veçimit të elementeve tipike e karakteristike për rrethin e njerëzit, përpiqen t’i hetojnë dhe zbulojnë edhe karakteristikat e përgjithshme shoqërore.

Një poet, që është karakteristik me stilin e tij të të shkruarit, është edhe z. Shaban Pllana, i cili thuajase në tërë krijimtarinë e tij letrare dhe poetike asnjëherë s’u shkëput nga ambienti i vet, (nga Llapi ilirik dhe Kosova dardane). Por ai ka trajtuar motive që s’janë të lidhura me ambientin e nuk janë as tipike për rrethin, në të cilin jeton (cikli “Diegie malli”), ku janë përjetuar frymëzimet e tij për të krijuar vargje për viset e atdheut (Shqipërisë), si në poezitë: “Lulja e Korçës”, kushtuar Shkollës së Parë Shqipe të Korçës, “Rrezja e diturisë (kushtuar Normales së Elbasanit), pastaj “Baladë për Shkodrën” (kushtuar Kalasë së Rozafës), “Adriatik, o deti Jon(ë)”dhe “Dashuria për Tiranën”. Në të gjithë këtë cikël, në çdo poezi dhe varg të tij, poeti Pllana shpërfaq mallin të përzier me dashuri për këto vise të atdheut, që prej fëmijërisë, gjatë kohës së rinisë e deri në moshë të pjekurisë, poetin do ta djegë porsi eshkë “plot pesëdhjetë e pesë vjet-shekuj”, siç shprehet në një poezi të tij.

Ky poet me fjalorin, simbolikën, metaforat dhe shprehjet tjera figurative, tipike për stilin e veçantë të tij, na ndihmon dukshëm për ta zbërthyer poezinë e tij më mirë, kur ta studiojmë njëherit edhe burimin e frymëzimit të tij. Vetë titujt e poezive të tij, qofshin edhe me kuptimin e tyre parësor apo edhe me atë simbolik e metaforik e orientojnë vëmendjen tonë në një ambient karakteristik, ku përdoret dendur fjalori, me të cilin edhe vetë poeti i jetëson vargjet e veta.

Poeti Shaban Pllana, tanimë me një përvojë relativisht të gjatë të krijimtarisë së tij letrare është shumë i bindur për misionin e lartë dhe rolin shoqëror si krijues dhe poet. Këtij nuk i intereson vetëm e kaluara, por edhe e tanishmja, bashkë me të ardhmen, e duke qenë kështu,  me poezitë e tij jo vetëm që ka shënuar ngjarjet nëpër stuhitë e historisë dhe shtrëngatat e njëpasnjëshme, por edhe e ka shprehur botëkuptimin e tij të mirëfilltë për problemet e jetës, prandaj edhe poezia e tij është bërë udhërrëfyese dhe ushqim shpirtëror për shumë lexues. Prandaj, në krijimtarinë poetike të poetit Pllana hasim tërë atë që është njerëzore, fisnike, stoike, morale, kombëtare.

Shaban Pllana me penën e tij, gjithnjë është në shërbim të lexuesit, duke e përmbushur dhe kryer obligimin e tij si krijues potencial, ngase vargëzon për njeriun, për rrethin shoqëror, popullin e atdheun; për problemet e ndryshme jetësore, shikuar nga shumë aspekte. Me hapa të sigurt ky poet po e sendërton edhe programin e vet poetik, duke e pasuruar letërsinë tonë shqipe me krijime dhe realizime të reja. Sidoqoftë, poezitë e vëllimit “Nën hije lisash rigon këngë zogjsh“ na bindin se poeti Shaban Pllana ka prirje për kultivimin e poezisë refleksive, ngase di të meditojë për shumë çështje, për shumë gjëra, duke nxjerrë përfundime përkitazi me to.

Duke kënduar për heroizmin e bijave dhe bijve të kombit, poeti Pllana heronjve u jep dimenzionalitet mbarëkombëtar (ciklet “Kur rriten lisat” dhe “Sakrificë për bardhësi”). Në këto dy cikle dominant është motivi i atdhedashurisë, që njëherit është edhe lajtmotivi i poetit në tërë krijimtarinë e tij poetiko-letrare.

Te cikli “Ku rriten lisat”, poeti Pllana me epizëm shpërthen, duke i ndërtuar monument letrar atdheut e kombit, ndërsa te cikli “Sakrificë për bardhësi” poeti Shaban Pllana do t’i jetësojë me vargje e poezi figurat kombëtare, që sakrifikuan për lirinë e atdheut. Këtë cikël poetik poeti do ta fillojë me poezinë përkushtuese “Për bardhësi”,të cilën ia kushton simbolit të rezistencës sonë kombëtare, bacë Adem Demaçit, pastaj me vargje do të jetësojë edhe shumë figura të rëndësishme kombëtare, siç janë Skënderbeu, Dedë Gjo Luli, Çerçiz e Bajo Topulli, Bajram Curri e Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina e Ismail Qemali, për të vazhduar me portretizimin e figurave të bijve të Llapit, siç janë Xheladin Rekaliu, Hakif Sheholli, Ali Ajeti dhe për ta përmbyllur këtë cikël qendror të vëllimit “Nën hije lisash rigon këngë zogjsh, me ravijëzimin e figurave më kryesore të UÇK-së, si të Adem e Hamëz Jasharit, Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës, të heroinave Antigona Fazliu e Ganimete Gjylanit etj., duke i përjetësuar me vagje margaritare poetike.

Poeti, Shaban Pllana me kujtimin për përjetimet e veta, me mallin për kohën e kaluar të fëmijërisë, poezive të tij u jep edhe konotacion autobiografik (cikli “Në cep të kujtimeve”). Janë tejet të bukura poezitë “ Më djeg malli”, “Kujtimet e varura”, “Fëmijëria ime e plakur”, “I brej kujtimet”, “E harruam lojën” etj., që secila është më e mirë se tjetra.

Motivin e dashurisë intime, të përzier me mall, poeti Shaban Pllana do ta trajtojë bukur në pezitë për Emiredn’-in, në ciklin “Syri i kaltër”. Vetë emërtimi i ciklit na zbulon se këtu motivet janë të përziera: atdhe-dashuri-mall. Janë tejet të thurura bukur poezitë “Buzëqeshjet në gotë”, që lirisht mund ta quajmë poezi antologjike, pastaj ”Ëndrrat në krahë dallëndysheje”, “Kur të kam ty”, “Të bëj be në çka të duash” e ndonjë tjetër.

Poezitë e tij, poeti Shaban Pllana  i ngrit në një nivel edhe më të lartë, duke i përgjithësuar për tërë gjeneratën, së cilës edhe vetë i takon.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test