Hajzer Krasniqi ishte një ndër personalitetet më të shquara të arsimit

Kultura

Hajzer Krasniqi ishte një ndër personalitetet më të shquara të arsimit

Nga: Fazli Hajrizi Më: 25 qershor 2018 Në ora: 11:30
Hajzer Krasniqi

Dje, më 24 qershor u shua jeta e profesor Hajzer Krasniqit, veprimtar i devotshëm i çështjes shqiptare, mësimdhënës shumëvjeçar, udhëheqës i Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve (1990), kryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri, deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës, kryetar i Komunës së Vushtrrisë.

Hajzer Krasniqi ishte një ndër personalitetet më të shquara të arsimit tonë në Vushtrri, Mitrovicë e më gjerë. Shumë suksese të shkollës shqipe që nga vitet ’60 e këndej janë të lidhura me emrin e tij. U lind në vitin 1938 në fshatin Begaj të komunës së Vushtrrisë në një familje bujare e me tradita patriotike. Klasën e parë të shkollës fillore e kreu gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas LDB-së vazhdoi shkollimin fillor katërvjeçar në Studime. Gjimnazin e ulët e kreu në Vushtrri, ndërsa semimaturën në Gjilan. Shkollën e Mesme Bujqësore e kreu në Prishtinë në gjuhën serbokroate, ndërsa studimet në Fakultetin Filozofik në Prishtinë– Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Hajzer Krasniqi ka filluar karrierën e mësimdhënësit në disa shkolla fillore, si: Studime, Smrekonicë, Pantinë etj. Në vitin shkollor 1966/67 ka filluar punën si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin “Silvira Tomazini” (tash “Frang Bardhi”) në Mitrovicë. Gjatë periudhës pesëvjeçare sa punoi në këtë vatër edukative-arsimore dhe në paralelet e shkollës Ekonomike ai u shqua për nivelin e lartë të përgatitjes profesionale dhe taktin pedagogjik. Në shtator të vitit 1972, kaloi me punë në Entin Pedagogjik në Vushtrri. Pak muaj ka punuar në Shkollën e Mesme Teknike “Boris Kidriç” (tash “Arkitekt Sinani”) në Mitrovicë, pastaj ka vazhduar disa vite në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Desa Tomoviqn” (tash “Dr. Xheladin Deda”) për t’u rikthyer sërish në Entin Pedagogjik.

Profesor Hajzer Krasniqi ka zhvilluar një aktivitet të dendur jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në lëvizjen e përgjithshme kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës e të popullit shqiptar. Në vitin e Pajtimit të Gjaqeve e të Ngatërresave (1990), u angazhua me tërë qenien për mbylljen e kësaj plage të rëndë që shkaktonte hemorragji kombëtare. Vite me radhë ishte kryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri, deputet i Parlamenti të Republikës së Kosovës etj. Pas luftës në Kosovë (1999) ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Vushtrrisë. Kudo që punoi, la gjurmë të mira dhe të thella.

Prof. Hajzer Krasniqi vdiq më 24 qershor 2018,  në vendlindjen e tij, në Begaj. Sot, më 25 qershor bëhet varrimi i tij në varrezat e fshatit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat