Kumanovë, qytetarët denoncojnë parregullsitë në listën zgjedhore të KSHZ-së

Kumanova

Kumanovë, qytetarët denoncojnë parregullsitë në listën zgjedhore të KSHZ-së

Më: 29 korrik 2016 Në ora: 22:47
Kumanova

Edhe në Kumanovë qindra qytetarë gjenden në listën e votuesve të dyshimtë të KSHZ-së. Shumica prej tyre nuk kishin as njohuri se gjenden në këtë listë. Disa familje që vizitoi ekipi i televizionit Alsat, theksuan se pa të drejtë iu kontestohet e drejta e votës pasi posedojnë të gjitha dokumentet e nevojshme. Të habitur se gjenden në këtë listë u shprehen edhe disa banorë të Lagjes së Trimave në Kumanovë.

“Të drejtën me thënë është hera e parë që po marr vesh nga ju, edhe prej se kam lind jetoj në këtë lagje, prej Maqedonie nuk jam largu vetëm mysafir kur kam qen ndonjëherë, kurrë nuk e kom ndërruar adresën përveç se “Pero Ilievskit”, më vjen interesant se prej nga vjen që unë të jem në këtë listë”, u shpreh Ramadan Baftiji, qytetar.

Edhe Azem Ibrahimi i cili 60 vjet jeton në Lagjen e Trimave shprehet i befasuar përse gjendet në këtë listë. Ai theksoi se vendbanimin e kishte ndërruar vetëm disa muaj, teksa rinovohej shtëpia e tij e shkatërruar gjatë aksionit policor të 9 dhe 10 majit të vitit të kaluar.

“Jo prej juve po e marr vesh momentalisht, prej jush po e kuptoj, ju falënderoj që po na tregoni sepse ne nuk kemi pasur dijeni për këtë punë, banova përkohësisht me qera, por tash përsëri jetoj në shtëpinë time, jo jo nuk kom ndërruar asnjëherë adresë banimi, para 60tës jemi këtu”, tha Azem Ibrahimi, qytetar.

Ekipi ynë inspektoi edhe vendbanime të tjera të qytetit të Kumanovës sikurse lagjen “Crnotravska”. Bashkëshortja e Elmaz Musliut thotë se është e palogjikshme që burri i saj të gjendet në listën e të dyshuarve të KSHZ-së, pasi 25 vjet ka qenë punonjës arsimi.

“Po e pamë që nuk jemi në listë për me votu, ama ne këtu jemi, burri im ka punuar 25 vjet në shkollën e mesme teknike si profesor, ne nuk e kemi ndërruar adresën e banimit, unë ka 38 vjet që jam këtu. Normal do të ankohemi përse me na hjek, ne këtu jetojmë, burri ka disa muaj që ka dal në pension, fëmijët këtu kanë kryer studimet”, u shpreh një qytetare.

Ndër të anketuarit ishte edhe zonja Sheribane Destani e cila prej 35 vjetësh jeton në adresë të njejtë banimi.

“Nuk e di, ne kemi votuar edhe më herët nuk kemi pasur problem, kurrë asgjë, nuk e kam ditur që jam e hjekun prej listës së votimeve, gjithmonë kemi votuar këtu te xhamia, ka 35 vjet që jetoj këtu, kurrë asnjëher nuk kemi ndërruar adresë banimi gjithmonë kemi qenë këtu”, deklaroi Sheribane Destani, qytetare.

Qytetarët që gjendjen në listën e votuesve të dyshimtë duhet të paraqiten në njësinë komunale të KSHZ-së, në Zyrtar e Drejtorisë amë apo në mënyrë elektronike që ta konfirmojnë të drejtën e tyre të votës. Në këtë kundërtën do të humbin të drejtën për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat