Ngrohja individuale, prodhimi i energjisë dhe transporti janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit

Lajme

Ngrohja individuale, prodhimi i energjisë dhe transporti janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 15:47
Ngrohja individuale, prodhimi i energjisë dhe transporti janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit

Kosova renditet në vendin e 40-të në botë për ndotje të ajrit, e si pasojë e këtij mjedisi vdesin 760 qytetarë para kohe brenda një viti. Kështu u tha me rastin e Ditës Botërore të Habitatit, UN-Habitat Kosova, në aktivitetin e mbajtur në Prishtinë me temën “Përshpejtimi i veprimit urban për një botë pa karbon”.

Presidentja Vjosa Osmani tha se është koha e fundit që edhe Kosova të veprojë drejt një bote të çliruar nga karboni.

Presidentja Osmani tha se përveç vullnetit dhe buxhetit, duhet pasur edhe vizion për një të ardhme pa karbon. Derisa, në këtë ngjarje nuk la pa përmendur edhe zgjedhjet lokale, ku kërkoi nga qytetarët që të kenë parasysh se kënd e votojnë.

Osmani: Për t’u çliruar nga karboni, përveç vullnetit dhe buxhetit duhet edhe vizion

Parashihet që deri në vitin 2050 më shumë se 70 përqind e popullsisë së botës do të jetojnë në qytete. Me fjalë të tjera, nevoja për infrastrukturë sa vjen e shtohet, prandaj, është koha e fundit që ne të veprojmë. Prandaj, mundësia e radhës më e mirë e jona për të vepruar në këtë drejtim, është pikërisht sot, sepse koha e duhur për investim në qytetet tona të mençura ishte dje. E përderisa ne sot flasim për rëndësinë e veprimit në këtë drejtim, të gjithë e kemi mundësinë që ta bëjmë diferencën shumë shpejt. Mundësia, e parë është pikërisht zgjedhja e atyre që do të jenë në krye të planifikimit e politik bërjes në nivel lokal në komunën tuaj. Jo që dua ta politizoj këtë paraqitje, por në këto zgjedhje lokale ju ftoj që t’i shfrytëzoni ditët e fushatës për të komunikuar me kandidatët tuaj të preferuar dhe të kërkoni drejtpërdrejt nga ata që të sigurohen që në programet e tyre të kenë të përfshirë në mënyrë sa më konkrete edhe atë që tashmë i referohemi si agjenda e gjelbër… Për të pasur sukses në këtë drejtim përveç vullnetit, por edhe buxhetit duhet mbi të gjitha të kemi vizion për të arritur këtë qëllim”, theksoi ajo.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh se derisa qytetet janë burimi kryesor i ndotjes, ato janë edhe bërthama nga ku fillon zgjidhja e problemit që është me ndotjen dhe krizën mjedisore.

Kryeministri Kurti tha se transformimi i qyteteve nënkupton qeverisje me një mendësi tjetër dhe planifikim të mirëfilltë strategjik në harmoni me natyrën.

Kurti: Është e domosdoshme, që ne të ndërmarrim hapa konkret në reduktimin e nivelit të lartë të ndotjes së ajrit

Derisa qytetet janë burimi kryesor i ndotjes, ato janë edhe bërthama nga ku fillon zgjidhja e problemit që kemi me ndotjen dhe krizën mjedisore. Transformimi i qyteteve nënkupton qeverisje me një mendësi tjetër dhe planifikim të mirëfilltë strategjik në harmoni me natyrën. Qytetet që kemi sot, ofrojnë mundësi të shumta që të reduktojmë nivelin e dioksidit të karbonit dhe në të njëjtën kohë të përmirësojmë standardet e jetesës, duke bërë qytetet tona të shëndetshme dhe me ekonomi të qëndrueshme. Është e domosdoshme, që ne të ndërmarrim hapa konkret në reduktimin e nivelit të lartë të ndotjes së ajrit që kemi në qytetet tona, i cili ndikon në shëndetin e qytetarëve tanë me vdekje të parakohshme dhe cilësi të dobët të jetës”, u shpreh Kurti.

Omar Siddique, shef i Zyrës dhe këshilltar kryesor teknik në UN-Habitat Kosovë, tha se përveç vdekjeve, pasojat e ndotjes paraqesin rrezikshmëri të lartë edhe në sektorin e ushqimit dhe krijojnë pasiguri ekonomike.

Siddique tha po ashtu se çdo kompani duhet të ketë strategji zero emetime. Teksa ka kërkuar nga autoritetet e vendit që të angazhohen në ruajtjen e mjedisit dhe ambientit.

Siddique: Në Kosovë për çdo vit vdesin 760 njerëz para kohe si pasojë e ndotjes së ajrit

Për ta thënë thjesht, gjendja e Planetit është prishur, njerizimi po e dëmton natyrën apo po krijon luftë për natyrën. Kjo është vetëvrasje, natyra gjithmonë i kundërpërgjigjet dhe tashmë po e bën këtë gjë me forcë dhe tërbim, duke u rritur ajo. Biodiversiteti po shembet, 1 milion specie në nivel global janë në rrezik zhdukje. Ekosistemet po zhduken para syve tanë, çdo vit bota humbë 10 milionë hektarë pyje. Kosova renditet e 40-ta në botë kur bëhet për të pasur cilësinë me të keqe të ajrit. Në Kosovës rreth 760 njerëz në vit vdesin para kohe për shkak të ndotjes së ajrit. Kjo ka kosto ekonomike gjithashtu. Vdekjet nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit I kushtojnë Kosovës mbi 300 milionë dollar ose gati 4.7 përqind të GDP-së”, tha ai.

Ndërsa, në panel diskutimi me temën se si mund të përshpejtojë Kosova veprimet urbane për një botë pa karbon, Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë se që nga pas lufta planifikimi hapësinor ka qenë i orientuar drejt profitit të bizneseve, dhe jo në dobi të qytetarëve.

Aliu: Planifikimi hapësinor ka qenë i orientuar kah profiti i bizneseve, dhe jo në dobi të qytetarëve

Në vitet e pasluftës dhe tani për tani, që ende vazhdon të kemi një trend të njëjtë, planifikimi hapësinor në Kosovë ka qenë kryesisht I orientuar kah profiti I biznesit në përgjithësi. Kjo shumë më pak nga të drejtat e qytetarëve, shumë më pak nga ndikimet mjedisore, për mbrojtje të mjedisit, për jetën cilësore për qytetarët e saj, por kryesisht ka qenë vetëm profiti. Dhe për pasojë kemi sot një zgjerim urban për tej asaj që kishim mundur me imagjinuar që ndodhë në qytetin e Prishtinës, edhe në qytetet të tjera”, theksoi Aliu.

Sipas një studimi kontribuuesit tanë më të mëdhenj në emetimin e gazrave serë, mbeten ngrohja individuale, prodhimi i energjisë dhe transporti.

Po ashtu sipas këtij studimi rreth 53% e ndotjes së ajrit në Kosovë, vjen nga amvisëritë, që djegin qymyr për ngrohje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat