Për 9 muaj Komuna e Klinës shpenzon afro 70 mijë euro për derivate - Bota Sot
Për 9 muaj Komuna e Klinës shpenzon afro 70 mijë euro për derivate

Lajme

E shtunë, 23 korrik 2016

Për 9 muaj Komuna e Klinës shpenzon afro 70 mijë euro për derivate

Më: 9 tetor 2012 Në ora: 21:29

Komuna e Klinës ka shpenzuar hiç më pak se 66 mijë e 504 euro për derivate për vetura. Kjo shifër figuron në raportin e shpenzimeve në nëntëmujorin e këtij viti të ekzekutivit klinas. Përveç derivateve, për veturat zyrtare të komunës janë shpenzuar edhe një pjesë jo e vogël e mjeteve për riparim, mirëmbajtje dhe regjistrim. Regjistrimi i mjeteve ka kushtuar 2275 euro, sigurimi i automjeteve 7897, taksë komunale për regjistrimin e automjeteve 50 euro, ndërkohë që për mirëmbajtje dhe riparim të automjeteve janë shpenzuar hiç më pak se 20 mijë e 924 euro. Të gjitha bashkërisht, kapin vlerën 97 mijë e 650 euro. Ndërkohë shpenzimet e telefonisë mobile në periudhën nëntëmujore janar-shtator janë në vlerë 10 mijë e 832 euro ndërkohë që edhe në një kategori tjetër shpenzimesh telefonike figuron të jenë shpenzuar 13 712 euro. Shpenzimet e komunës për dreka zyrtare janë 20 mijë e 192 euro janë edhe 3 949 euro të tjera që janë shpenzuar për furnizim me ushqim, pije (jo dreka zyrtare). Në raportin e shpenzimeve figuron edhe shpenzimi në vlerë 68 mijë e 056 euro për naftë për ngrohje qendrore, 78 mijë e 774 euro për dru dhe 3503 derivate për gjenerator. Duke përfshirë edhe kategori të tjera të shpenzimeve, si mirëmbajtja e ndërtesave, botimet, vendimet e gjykatave, informim publik, objekte shëndetësore, shkolla, udhëtime zyrtare e tjera, të cilët hyjnë në kategorinë mallra dhe shërbime janë shpenzuar 471 mijë e 187 euro e 71 centë. Në këtë kategori gjatë tërë këtij viti janë planifikuar të shpenzohen jo më shumë se 515 mijë e 684 euro. Në kategorinë për subvencione dhe transferime qysh në muajin e nëntë janë shpenzuar mjete më shumë se që është planifikuar të shpenzohen gjatë tërë vitit. Deri tash janë shpenzuar 95 mijë e 967 euro, ndërsa kanë qenë të planifikuara për një vit 80 mijë e 465 euro. Drejtori i Buxhetit dhe Financave, Refki Krasniqi, ka thënë se nuk dëshiron të komentojë këto gjëra.

“Nuk do t`i komentoj, këto janë shpenzimet”, ka thënë shkurt Krasniqi, i cili edhe i ka konfirmuar shpenzimet e bëra në këtë periudhë. Shpenzimet i ka arsyetuar edhe nënkryetari i Komunës së Klinës, Zenun Zeqa, i cili pohon se nuk e ka parë raportin.

“Duhet ta kemi parasysh se derivatet janë shtrenjtuar, edhe ushqimi po ashtu, disa automjete kanë qenë të dëmtuara tash e disa vjet dhe ato janë rregulluar”, sqaron Zeqa, sipas të cilit në kategorinë e shpenzimeve për dreka zyrtare hyjnë edhe ushqimi për lojtarët e KF “Dukagjini”. Ai tregon se kanë qenë edhe disa obligime të pakryera në vitin e kaluar që kanë rritur vlerën e mjeteve të shpenzuara. Sa i përket derivateve, Zeqa thotë se janë disa vetura të vjetra që shpenzojnë bukur shumë e për të cilat komuna është në procedurë për shitjen e tyre.

“Shpenzimet janë karshi nevojave”, ka thënë Zeqa.

Partia e vetme opozitare, AAK-ja, nuk ka dashur të flasë për këtë çështje para se ta kenë raportin.

“Ne do të shprehim qëndrimin tonë, kur ta kemi raportin”, ka thënë të dielën nënkryetari i parë i degës së AAK-së, Haxhi Ibishi që është edhe shef i Grupit Kuvendar të AAK-së në Kuvend. Ndërkaq lëvizja “Vetëvendosje” në Klinë, këto shpenzime i ka cilësuar si keqmenaxhim.

“Të shpenzohen të gjitha këto mjete për karburante, regjistrim veturash e dreka zyrtare, vërtet është marre, nëse do të ishin kursyer këto mjete do të mund të blihej një autoambulancë ose ndërtohej një shtëpi për nevojtarët. Po shihet qartë se pushteti nuk është duke kursyer paranë publike. Kjo udhëheqje komunale është e keqja e Klinës dhe ata duhet të shkojnë jo në shtëpi por para organeve gjyqësore për keqmenaxhim të parasë publike”, ka thënë Skënder Merturi, nga Këshilli i rrethit të lëvizjes “Vetëvendosje” në Klinë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Kush mendoni se i ka bërë vrasjet e pasluftës?
test